ORCA i dhuron rreth 2 mijë libra Qendrës Studentore

Kosova

ORCA i dhuron rreth 2 mijë libra Qendrës Studentore

Më: 15 mars 2018 Në ora: 15:45
Librat e dhuruar

Përfaqësuesit e Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim i kanë dorëzuar Qendrës së Studentëve 2 mijë libra me 500 tituj të ndryshëm të mbledhur nga donacionet e qytetarëve për bibliotekën e konvikteve.

Rron Gjinovci, përfaqësues i ORCA-së tha se për një muaj, nga qytetarët kanë mbledhur rreth 2 mijë libra të fushave të ndryshme.

Arsyeja pse kanë zgjedhur Qendrën e Studentëve për t’i dhuruar këto libra  ishte koncentrimi më i madh i studentëve në këtë pjesë.

Gjinovci: Kemi mbledhur rreth 2000 libra me mbi 500 tituj

 "Pas ardhjes së kësaj ideje tek ne, ne kemi parë mundësinë që me e bë një kampanjë që me mbledh libra për studentë dhe kemi menduar që vendi më i mirë për ta bërë këtë është Qendra e Studentëve ku janë të koncentruar me mijëra studentë edhe ku ka shumë nevojë për libra. Përgjigja ka qenë e jashtëzakonshme nga qytetarët e Republikës së Kosovës siç po e shihmi prapa nesh janë rreth 2 mijë njësi me diku më shumë se 500 tituj të të gjitha fushave që studiohen në Universitetin e Prishtinës", tha  Gjinovci.

Gjinovci ka akuzuar universitetet se nuk po investojnë në qasjen informative të studentëve.

Sipas tij nga sot në bibliotekën e Qendrës së Studentëve do të jetë e koncentruar e gjithë puna e OJQ-ve të Kosovës sepse donatorë të shumtë ishin edhe OJQ-të që veprojnë në vend.

Gjinovci: Tani punën e OJQ-ve e kemi në këtë bibliotekë

“Tani për herë të parë në Kosovë e kemi në një bibliotekë të koncentruar të gjithë punën e OJQ-ve pra të dhënat që janë bërë nga studimet e ndryshme dhe hulumtimeve të ndryshme në fushat arsimit, ekonomisë, politikës, studentët i gjejnë këtu dhe kanë me pas shumë më lehtë  me i përfundua temat e tyre të diplomës dhe jo duke i kopjuar ato por duke i referuar ato”, tha ai.

Gjinovci tha se me këtë iniciativë i kanë dëshmuar Ministrisë së Arsimit se ata si institucione mund të bëjnë shumë për furnizimin e bibliotekave me libra.

Drejtori i Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta tha se librat e dhuruar do të ndikojnë në zgjerimin e njohurive për studentët.

Sfishta: Këto libra do ndikojnë në zgjerimin e njohurive të studentëve

"Fond i cili në Qendrën e Studentëve me thënë të drejtën është  shumë modest dhe sado pak të ndikoj në kërkesën që e kanë studentët për literaturë për lexim dhe kjo kërkesë do të reflektohet edhe në zgjerimin e njohurive për studentët që janë konviktor dhe jo konviktor”, tha ai.

I lumtur për këto libra u shpreh studenti i Fakultetit Juridik, Besart Tasholli i cili tha se këto libra kanë qenë të nevojshëm për studentët dhe tani ka mbetur vetëm që studentët për lexojnë.

 Tasholli: Studentëve tani iu mbetet vetëm të lexojnë

 "Kjo është shumë e rëndësishme i pashë disa nga titujt të librave që janë jashtëzakonisht të rëndësishëm që unë personalisht nuk kam mundur t' i gjej këtu në Kosovë dhe jam detyruar me i kërkua disa prej Tiranës disa me i përkthyer nga gjuhët e huaja është jashtëzakonisht kjo. Mendoj që studentët duhet të vijnë dhe të vizitojnë, ka mjaft literaturë dhe tituj vetëm duhet me lexua tash", tha Tasholli.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat