Kërkesat e Apelit për Beqir Kalludrën në rastin e aktivistëve të VV’së

Kosova

Kërkesat e Apelit për Beqir Kalludrën në rastin e aktivistëve të VV’së

Më: 21 mars 2018 Në ora: 11:56
Aktivistët e VV’së

Gjykata e Apelit në vendimin e saj me të cilin ka kthyer në rigjykim rastin e aktivistëve të Vetëvendosjes, e ka porositur Gjykatën e Shkallës së parë që përpos evitimit të shkeljeve të bëra të nxjerrë edhe prova të reja.

Kallxo ekskluzivisht sjell kërkesat e Gjykatës së Apelit drejtuar Gjykatës Themelore me qëllim të zbardhjes së rastit për sulmin në Kuvendin e Kosovës.

“Të marrë në pyetje ekspertë nga lëmia e sigurisë për të vërtetuar shkaktimin e frikësimit dhe ndjenjës së pasigurisë te qytetarët; të merret në pyetje sekretari i Kuvendit të Kosovës lidhur me vërtetimin e faktit se në kohën kur është sulmuar Kuvendi i Kosovës me raketahedhës RPG, a ka penguar punën e Kuvendit të Kosovës në mbajtjen e mbledhjeve dhe veprimeve tjera të cilat janë të lidhur ngusht me punën e Kuvendit”, thuhet në vendimin e Apelit.

Po ashtu, Apeli e ka urdhëruar Gjykatën Themelore që të përcaktohet vlera e dëmit të shkaktuar si pasojë e veprës penale por më e rëndësishmja e ka urdhëruar të angazhojë një ekspert të balistikës.

“Të merret në pyetje eksperti i balistikës, të sqarohet lidhur me raketahedhësin RPG se a mund ta përdorë çdo person, çfarë preciziteti ka, si dhe a është sulmuar Kuvendi i Kosovës nga motoçikleta apo nga ndonjë mjet i sofistikuar”, thuhet në vendimin e Apelit.

Apeli po ashtu ka urdhëruar shikimin e të gjitha fotografive, dokumenteve dhe CD me incizime të cilat janë marrë në Qendrën Tregtare ETC me anë të ekspertit të lëmisë përkatëse e në prezencën e të akuzuarve dhe duke i shikuar incizimet për të cilat nuk ka mundur të deklarohet FBI që të mund të bëhet identifikimi nëse të akuzuarit kanë qenë në ETC kur është blerë motori.

Më 26 shkurt, Gjykata e Apelit e ktheu në rigjykim rastin ndaj 4 aktivistëve të VV-së të akuzuar për sulmin me granatë të gushtit të vitit 2016 në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.

Në nëntor të vitit të kaluar Gjykata Themelore në Prishtinë kishte dënuar Atdhe Arifin me 6 vjet burg; deputetin Frashër Krasniqi me 8 vjet burg; Egzon Halitin me 5 vjet e gjysmë burg si dhe Adea Batushën me 2 vjet burg.

Këta të katër akuzoheshin se më 4 gusht të vitit të kaluar në bashkëkryerje kishin sulmuar Kuvendin e Kosovës, andaj mbi ta vihej në barrë vepra penale terrorizmit, vepër kjo e paraparë në nenin 136 të Kodit Penal të Kosovës, ndërsa në këtë rast e kualifikuar sipas paragrafit 1 të këtij neni, e dënueshme me jo më pak se 5 vjet burg.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat