ORCA kërkon shkarkimin e prorektores Teuta Pustina- Krasniqi

Kosova

ORCA kërkon shkarkimin e prorektores Teuta Pustina- Krasniqi

Më: 26 mars 2018 Në ora: 11:56
Teuta Pustina-Krasniqi

Prorektorja e UP-së, Teuta Pustina-Krasniqi, ka thënë se mediat e kanë nxjerr nga konteksti fjalimin e saj për pozitën e gruas dhe ngacmimet seksuale në institucionet publike.

Përmes një sqarimi ajo ka treguar se e ka punuar gjithmonë për përmirësimin e pozitës së femrës në shoqëri dhe në Universitetin e Prishtinës.

Lidhur me këtë sqarim të prorektores ka reaguar organizata për rritjen e cilësisë në arsim ORCA.

Përmes një njoftimi dërguar mediave, ORCA ka kërkuar shkarkimin e prorektores Teuta Pustina- Krasniqi.

” ORCA është thellësisht e indinjuar me deklaratat dhe tentim sqarimin e prorektores Pustina e cila ka fajësuar viktimat e sulmeve dhe ngacmimeve seksuale. Ngacmimet seksuale dhe keqpërdorimi i autoritetit për favore seksuale në Universitetin e Prishtinës po shndërrohet në dukuri nga një pjesë e stafit akademik”, thuhet në reagimin e ORCA-s.

Më poshtë ua sjellim të plotë reagimin e ORCA-s dhe sqarimin e Prorektores Teuta Pustina- Krasniqi.

Të shkarkohet prorektorja!

ORCA është thellësisht e indinjuar me deklaratat dhe tentim sqarimin e prorektores Pustina e cila ka fajësuar viktimat e sulmeve dhe ngacmimeve seksuale. Ngacmimet seksuale dhe keqpërdorimi i autoritetit për favore seksuale në Universitetin e Prishtinës po shndërrohet në dukuri nga një pjesë e stafit akademik.

ORCA kohëve të fundit ka pranuar me shqetësim raportime të ndryshme të studenteve të cilat kanë treguar për forma të ndryshme tësulmeve dhe ngacmimeve seksuale nga një pjesë e stafit akademik i Universitetit të Prishtinës.

Edhe më shqetësues është fakti që Universiteti i Prishtinës nuk ka politikë për luftimin e kësaj dukurie dhe mbrojtjen e viktimave të këtyre sulmeve. Në anën tjetër deklaratat qëpërfaqësojnë një pozicion ekstremist të patriarkalizmit, si ajo e prorektores Pustina,është stimulues e sulmuesve për të vazhduar me aktivitetin e tyre të paligjshëm pa u penguar.

ORCA kërkon përgjegjësi maksimale të institucionit që do të thotë:

1. Kërkim falje në emër të institucionit për deklaratën e prorektores Pustina;

2. Shkarkim të prorektores Pustina;

3. Krijimin e një komisioni të posaçëm me pjesëmarrje të gjerë për hetimin e ngacmimeve seksuale në Universitetin e Prishtinës.
ORCA i bën thirrje të gjitha institucioneve dhe organizatave që ta trajtojnë me seriozitet këtë çështje në mënyrë që të krijohet një standard bashkëkohor i diskursit publik ku nuk tolerohet më gjuha seksiste dhe mizogjene.

Sqarimi i Prorektores:

I MBROJ DHE I RESPEKTOJ FEMRAT

Të nderuara e të respektuara femra, meshkuj, studente, studentë, kudo që jeni,

Gjatë dy ditëve të fundit, është krijuar një përshtypje shumë e gabuar dhe tërësisht e kundërt me bindjet e mia ndaj gjinisë femërore, dhe në atë se çfarë kam deklaruar.

Po e them këtë sepse kam parë në rrjetet sociale reagime të ashpra nga politikane/ë, pjesëtare/ë të shoqërisë civile dhe qytetarë për deklaratën time, sidoqoftë të keqinterpretuar dhe të nxjerrë nga konteksti lidhur me ngacmimet seksuale.

Për të gjithë ata që nuk më njohin, para se tu shpjegoj me dy fjalë se cila është deklarata e vërtetë e imja, më duhet të ju informoj se jam anëtare në Agjencinë Kosovare për Barazi Gjinore, kam kryer aktivitete të ndryshme në UP rreth kësaj çështjeje kaq sensitive, si  inicimi për të përpiluar pyetësor rreth barazisë gjinore në UP si dhe lansimi i tij, dhe poashtu kam aplikuar për një projekt që ka të bëjë pikërisht me Barazinë Gjinore në UP, kemi organizuar konferencën me titull ?Gratë në Universitetin e Prishtinës, Mundësitë , Përparësitë, E Ardhmja? me rastin e 8 Marsit në UP, ku kam bërë të pamundurën që ky event të jetë sa më dinjitoz, e që kishte për qëllim reflektimin dhe bartjen e mesazhit tek bota akademike, si dhe tek gjeneratat e reja, për përpjekjet, arritjet dhe sfidat e grave në zhvillimin akademik. Të gjitha këto janë tregues i mjaftueshëm se një pjesë dërmuese të karrierës sime akademike, sigurisht se ja kam dedikuar avancimit të pozitës së gjinisë femërore.

Sa i përket deklaratës, që për së pari e pashë mbrëmë, 24 mars 2018, në Insajder, ndërsa deklarata është e dhënë kohë më parë për Frontal T7, e kam obligim që të ju tregoj se ajo është nxjerrë nga konteksti duke u transmetuar vetëm një pjesë e saj, e jo në tërësi. Kur e them jo në tërësi, mendoj në atë se gjatë intervistës time të dhënë për Frontal T7, nuk kam përmendur vetem gjininë femërore, por edhe atë mashkullore, sepse ky është një fenomen që dëmton imazhin e femrës. Universiteti i Prishtinës është institucion serioz, andaj ka nevojë për staf serioz, është institucion që na përfaqëson të gjithëve, femra e meshkuj, kudo që jemi.

Ajo që e them me bindje të plotë, është se kam luftuar dhe do të vazhdoj të luftoj ashpër kundër të gjitha formave të ngacmimit seksual në UP, dhe jo vetëm, por njëkohësisht edhe në fuqizimin e rregullit të Kodit të Veshjes dhe atij të Sjelljes.

Me respekt,

Teuta Pustina-Krasniqi

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat