Gjykata sot shpallë aktgjykimin ndaj vëllaut të Zahir Pajazitit

Kosova

Gjykata sot shpallë aktgjykimin ndaj vëllaut të Zahir Pajazitit

Më: 11 prill 2018 Në ora: 08:17
Ilustrim

Sot pritet që Gjykata Themelore në Prishtinë të shpallë aktgjykimin në rastin e zyrtareve të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Bajram Pajaziti e Bajram Azemi, rast ky i kthyer në rigjykim.

Një ankesë e Prokurorisë kishte bërë që vendimi me të cilin Bajram Pajaziti, vëllai i dëshmorit Zahir Pajaziti, ishte shpallur i pafajshëm në akuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare të prishet dhe rasti të rigjykohet nga gjykata e shkallës së parë pasi që Gjykata e Apelit kishte vlerësuar se janë gjetur shkelje të ligjit penal.

Gjykata Themelore e Prishtinës kishte refuzuar pretendimin e Prokurorisë duke i gjetur të pamjaftueshme provat e paraqitura dhe duke i liruar dy të akuzuarit.

Të pakënaqur Prokuroria Themelore e Prishtinës paraqitën ankesë në Gjykatën e Apelit, ndërsa kjo e fundit gjeti shkelje në aktgjykimin e Themelores.

Sipas prokurorisë Rexhep Haxhës i ishte ndarë pensioni për djalin e tij të vrarë në maj të vitit 1999, edhe pse Haxha nuk kishte dokument nga Shtabi i Përgjithshëm i TMK-së, i cili ishte i nevojshëm për të përcaktuar ata që janë dëshmorë.

Sipas aktakuzës, Bajram Azemi, në cilësinë e Kryesuesit të Divizionit në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në Departamentin për Familjet e Dëshmorëve Invalidëve të Luftës dhe Viktimave Civile, si dhe i akuzuari tjetër, Bajram Pajaziti në cilësinë e Drejtorit në po të njëjtin departament, kanë dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës, duke i sjellë përfitim pasuror të kundërligjshëm Rexhep Haxhës.

Gjithnjë sipas aktakuzës,  Bajram Azemi e ka nxjerrë një vendim me anë të së cilës Rexhep Haxhës i njihet e drejta në pension të familjeve të Dëshmorëve, për djalin e tij të ndjerë Bahri Haxha.

Pajaziti dhe Azemi ngarkoheshin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, me pretendimin se Rexhep Haxhës i kanë sjellë përfitim pasuror të kundërligjshëm në shumë prej 13,900,98 euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat