Deputetët të shqetësuar me parametrat e ZRRE-së për KEDS-in

Kosova

Deputetët të shqetësuar me parametrat e ZRRE-së për KEDS-in

Më: 12 prill 2018 Në ora: 15:00
Komisionit për Zhvillim Ekonomik

Tarifat e reja për energjinë ngarkojnë koston që qytetarët duhet të paguajnë për shpenzimin e energjisë elektrike.

Kështu u tha sot me rastin e prezantimit të parametrave rregullativ nga ZRRE-ja para Komisionit për Zhvillim Ekonomik, me anën e të cilave caktohen tarifat përfundimtare të konsumatorëve.

Udhëheqësi i Departamentit për Tarifa dhe Çmime në ZRRE, Ymer Fejzullahu, gjatë prezantimit të tarifave të reja, tha se kanë ardhur në përfundim se kostoja duhet të jetë 7.6 për qind për energjinë.

Ai theksoi se i gjithë ky proces zgjat 120 ditë, ndërsa do të ishte dashur të përfundojë më 31 mars të këtij viti, por kjo nuk ka mundur të ndodhë pasi bordi nuk kishte kuorum.

Fejzullahu: Kostoja ose mesatarja e ponderuar të jetë 7.6 për qind

"Kosto e borxhit në bazë të vlerësimeve tona që kemi marrë është rreth 6.5 për qind. Po ashtu edhe premia e riskut të tregut ka qenë 4.5, e të cilën KEDS në bazë të dokumentit të tyre ka kërkuar që premia e riskut të tyre të tregut të jetë rreth 12 për qind. Besoj se jeni të informuar se kjo ka ndodhur edhe në vitin 2012 kur është bërë privatizimi i KEDS-it. Të njëjtën gjë e kërkon edhe tash, që kosto e kapitalit real të jetë 13.6 për qind, ose nominal që është 15.5 për qind. Në bazë të vlerësimeve tona profesionale, ne kemi ardhur në përfundim që kosto ose mesatarja e ponderuar të jetë 7.6 për qind”, tha ai.

Ndërsa deputeti i Grupit të Pavarur të Deputetëve, njëherësh  zëvendëskryetar i komisionit, Dardan Sejdiu ka shprehur shqetësimet e tij lidhur me propozimet e parametrave të propozuar, duke thënë se nuk ka asnjë arsye ekonomike për të ecur përtej numrave të propozuar, pasi që siç tha ai, kostoja e vlerës së parasë në treg është më e lirë se që e kërkon KEDS-i.

Sipas tij, kosto e borxhit të cilën ZRRE i ka pranuar KEDS-it si propozim, duhet të rishikohet, pasi për kreditë në nivel afatgjatë, interesi vjetor nuk kalon 4.5, gjë që sipas Sejdiut, e bën propozimin e ZRRE-së shumë liberal, duke shkuar deri në 6.5.

Ai tha se një gjë e tillë do të ketë ndikim direkt në çmimin që KEDS do të tarifojë dhe nëse ZRRE e aprovon këtë, atëherë duhet të kërkohen hetime për ato që po ndodhin.

Sejdiu: Duhet të kërkojmë hetim pse po ndodhin këto gjëra

“Si rekomandim, t’i referoheni çmimit të parasë në treg, sepse paraja në treg është më e lirë se sa që ia keni pranuar. Me 6.5 për qind merr sot kredi secili në Kosovë e jo një korporatë profitabile me parametra çfarë ju e keni paraqitur. Nëse unë si deputet jam në gjendje të argumentoj këtu se kostoja e parasë në treg është më e lirë se që po e kërkon KEDS-i, dhe ju e aprovoni këtë, atëherë gjithsesi se duhet të kërkojmë edhe hetim për të kuptuar mirë e saktë se pse po ndodhin këto gjëra. Pra, pse një operatori privat përtej asaj që jepet në treg i mundësohet të paguhet më shtrenjtë? Ky është një rekomandim i imi dhe ju kisha sugjeruar t’i merrni seriozisht, sepse në fund të ditës përfaqësojmë qytetarët, të cilët i paguajnë këto fatura, të cilat ju po i shpërndani në 12 muaj me çmim më të shtrenjtë”, tha ai.

Ndërsa deputeti Dardan Molliqaj ka akuzuar Zyrën e Rregullatorit të Energjisë të parametrave rregullativ (ZRRE) se po punon në favor të KEDS-it, duke lënë anash interesin e qytetarëve.

Ai është shprehur kundër tarifës së njëtrajtshme të rrymës, i cila sipas tij, e ngarkon koston e ekonomive familjare në nivel prej 30 për qind,  ku si rezultat ka përfituar vetëm KEDS-i, derisa ka shtuar se ZRRE nuk ka sjellë para komisionit raportin për përfitimet e ekonomisë së Kosovës, me ç’rast është shmangur një veprim që ka pasur impakt direkt në ekonominë e vendit.

Molliqaj: ZRRE më shumë i ka shërbyer KEDS-it se qytetarëve

“Kam përshtypjen që ZRRE në përgjithësi shumë më shumë i ka shërbyer kompanisë private, në këtë rast KEDS-it se sa interesave të qytetarëve. E kam shumë më lehtë të kuptoj politikën e ZRRE-së sikur KEDS-i të ishte kompani publike. Po ashtu, do ta kisha shumë më lehtë sikur të mos flitej për miliona euro fitime neto. Politikat e juaja kanë qenë të dëmshme dhe e kanë rënduar ekonominë familjare në Kosovë, ndërsa që një kompani ka fituar shumë. Unë sot nuk pash, të paktën prej kësaj që keni sjellë me shkrim, që ju keni bë një raport, qysh jeni zotuar se do ta bëni, me na treguar se çka ka përfituar ekonomia e Kosovës dhe cili ka qenë rezultati i atyre tarifave”, tha Molliqaj.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i drejtorit të Bordit të ZRRE-së, Arsim Janova, i cili tha se kanë për obligim të mbrojnë interesat e qytetarit, por edhe të operatorit.

Janova: Nuk pajtohem me atë adresim

“Personalisht nuk pajtohem me atë adresim se jemi munduar me e mbrojt vetëm operatorin dhe jo qytetarin. Është fakt se tarifat kanë ndërruar vitin e kaluar, skema tarifore. Ajo është bërë pas një procesi të gjatë për atë vendim që është marrë. Fakt është që nëse KEDS-i ka përfituar prej saj, tash në procesin e vlerësimit 5-vjeçar, ato mjete që nëse kemi dhënë më shumë tash e marrim. E marrim me 15 për qind kamatë. Nëse ne nuk e kemi vlerësuar mirë, ka shpenzuar më shumë se sa që ne i kemi dhënë, duhet t’ia kthejmë vitin e ardhshëm operatorit. Kështu shkon sistemi tarifor”, sqaroi ai.

Deputeti Molliqaj është kundërpërgjigjur ndaj deklarimeve të Janovës, duke thënë se është paguar më shumë energji nga qytetarët.

Molliqaj: Me këtë tarifë paguhet më shumë për të njëjtën energji

“I nderuar anëtar i bordit, kisha sugjeruar që me qenë më korrekt sipas pikë vështrimit tim në komunikim. Unë nuk bëra pikë vështrime subjektive këtu. Nuk është kjo çka po them unë, çka po thotë ai. Është paguar më shumë për të njëjtën energji elektrike në shumë të euros për tarifat që i keni vendosur. Nuk është që po e them unë apo dikush tjetër. Flasim, por është paguar. E dyta, kompania ka pasur profit më shumë. Kjo është e saktë dhe ju jeni mesi aty”, theksoi ai.

Ndërsa deputeti Memli Krasniqi ka mbështetur tarifën e njëtrajtshme të energjisë elektrike.

Krasniqi: Unë jam kundër ndryshimit të tarifave mes të ditës dhe natës

“Dallimet verë dhe dimër nuk ekzistojnë realisht as në konsum të rrymës. Janë shumë më të vogla se para 10 vjetësh. Para 10 viteve është shpenzuar shumë më pak energji verës se sa që shpenzohet sot, sepse nuk kemi pasur as klima nëpër zyra e shtëpi, e sot ka shumë më shumë dhe konsumi është pak a shumë i ngjashëm. Bile unë jam kundër ndryshimit të tarifave mes të ditës dhe natës. Duhet me qenë njëjtë”,tha ai.

Deputetja nga Alternativa Mimoza Kusari -Lila ka kërkuar të di ndryshimin në efikasitetin e performancës para dhe pas privatizimit. Ajo ka kërkuar të sqarohet edhe termi humbje politike, dhe kufiri teknik, duke sqaruar se ato janë humbje komerciale.

Në anën tjetër, Petrit Pepaj nga ZRRE tha se një humbje që nuk ka mundur të trajtohet duhet të kontrollohet nga shteti. /N.Jakupi/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat