Ambasadori i Francës: Askush s’mund ta shtyjë Spanjën ta njohë Kosovën

Kosova

Ambasadori i Francës: Askush s’mund ta shtyjë Spanjën ta njohë Kosovën

Më: 17 prill 2018 Në ora: 14:44
Didier Chabert

Nëse Kosova i kryen obligimet ndaj Bashkimit Evropian, atëherë edhe Franca do ta ketë më të lehtë të ndikojë te Spanja që ta njohë shtetin e Kosovës.

Kështu ka deklaruar ambasadori i Francës në Kosovë, Didier Chabert gjatë një ligjërate të profesorit francez, Frederik Charillon me temën “Evropa në botë: politika e jashtme dhe e sigurisë e BE-së”, para studentëve të Fakultetit Filologjik në Prishtinë.

Diplomati francez tha se askush nuk mundet ta detyrojë Spanjën të njohë Kosovës, por Franca si shtet mik mund të ndikojë në këtë drejtim nëse Kosova i kryer obligimet e saj evropiane.

“Askush nuk mundet me shty Spanjën me e njoh pavarësinë, por mundemi si shtet mik me i ndihmuar. Kosova duhet të ndikojë është lehtë nëse reformat që janë në mes Kosovës dhe Evropës që janë për shtet ligjor, për aspektet e ndryshme, për të gjitha obligimet që keni ndaj Evropës do të jetë shumë më lehtë nëse i bëni si duhet, atëherë ne mundemi me ndikuar te Spanja me ju njoh, kurse nëse nuk i bëni si duhet, atëherë Spanja mund të na thotë pse po kërkoni prej nesh që ta njohim Kosovën kur ajo nuk po i plotëson kërkesat që keni”, tha ai.

E lidhur çështjen të cilën pesë shtetet e BE-së që ende nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës, profesori Frederik Charillon tha se për këtë ekzistojnë dy metoda.

“I kemi dy metoda ose themi do t’i shtyjmë pesë ata që nuk dëshirojnë ta ndërrojnë mendjen, nuk është e lehtë sigurisht siç e thash edhe në fillim pasi që nuk ka politikë të jashtme unike, secili e ka politikën e jashtme, secili është i lirë t’i ruajë prioritet kombëtare dhe siç e dini për Spanjën për shembull, çështja e Kosovës është çështje e separatizmit, është një çështje që nuk ka politikë të jashtme, por ata sigurt nuk e kanë kundër Kosovës, kuptimin që do të kishte në parimin ndërkombëtar do t’i prekte drejtpërdrejt ata. Metoda tjetër do të ishte të mendojmë ta gjejmë një zgjidhje më elastike, kur të gjithë nuk pajtohen ata që nuk dëshirojnë që ta pranojnë të kenë aksion të përbashkët nuk e bëjnë, por nuk i parandalojnë të tjerët t’i jepet një label evropian, është një zgjidhje si kompromis në njëfarë mënyre thua unë nuk e kisha bërë, por nëse ju jeni shumicë për t a pranuar këtë zgjidhje unë nuk kundërshtoj”, tha ai.

Gjatë kësaj ligjërate, ambasadori Chabert ka folur edhe për liberalizimin e vizave ku tha se Kosovës nuk i ka mbetur shumë punë në këtë drejtim.

Sipas tij nëse Kosova tregon që me seriozitet po e lufton krimin e organizuar dhe korrupsionin, atëherë deri në fund të vitet mund të ndodhë edhe liberalizimi.

“Sa i takon liberalizimit të vizave ka mbetur një kriter, nuk ka shumë kritere të shumëfishta, d.m.th. ka kaluar demarkacioni e dimë që ekziston kriteri i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, sigurisht që nuk presim që Kosova t’i rregullojë këto probleme në tërësi, për të gjitha vendet kjo është një çështje afatgjate, por presim nga Kosova që të tregojë që ka filluar t’i trajtojë këto dy çështje me seriozitet. Kosova ka humbur mjaft kohë deri tani, siç ka pasur diskutime për demarkacionin. Këtë kohë keni mundur ta shfrytëzojmë për të ecur për liberalizimin e vizave. Nëse ka vullnet politik mundet shumë shpejt me tregua që ka vullnet politik. Nëse vlerësimi i Bashkimit Evropian është pozitiv në javët apo muajt e ardhshëm, atëherë procedimi për liberalizimin e vizave mund të bëhet deri në fund të vitit. Krejt varet nga aftësia e autoriteteve kosovare për të treguar efikasitetin dhe vullnetin për t’i luftuar këto çështje”, tha Chabert.

Ai ka paralajmëruar se për të qenë pjesë e BE-së, Kosova duhet t’i përfshijë ligjet dhe rregullat e BE-së në legjislaturën e saj.

E lidhur me lëvizjen e lirë të kosovarëve drejt vendeve evropiane, profesori francez Charillon ka deklaruar se BE duhet të japë shpjegime për kriteret e saj.

“Çështja specifike e Kosovës që po e sillni është sigurisht e veçantë së pari është problemi i vizave që është simbolika që është shumë e rëndësishme. Këtu do të duhej që ndoshta Evropa t’i shpjegonte më mirë arsyen e kërkesave që i bënë, nuk është vetëm një provim që kërkohet prej vendeve, sigurisht ka një arsye. Ekzistojnë kushte që duhet kryen dhe kur nuk plotësohen si duhet, do jetë më vështirë për vendin. Mendoj se duhet të ketë statuse të ndërmjetme dhe të ekzistojnë ato”, tha ai.

Krejt në fund, profesori Frederik Charillon para studentëve të UP-së ka deklaruar se duhet të rilansohet Evropa diplomatike, pasi SHBA ka treguar se nuk do të jenë gjithmonë të gatshme për ta ndihmuar Evropën ashtu siç ka ndodhur me Ballkanin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat