Realizohet ëndërra e deçanasve, inaugurohet rruga që lidh Deçanin dhe Plavën

Kosova

Realizohet ëndërra e deçanasve, inaugurohet rruga që lidh Deçanin dhe Plavën

Më: 24 prill 2018 Në ora: 13:54
Ilustrim

Është inauguruar në Grykën e Deçanit rruga Deçan-Plavë e cila lidhë Kosovën dhe Malin e Zi, teksa po vlerësohet të ketë impakt pozitiv për zhvillimin ekonomik dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve duke mos cenuar asnjëherë integritetin e Manastirit të Deçanit.

Ndërtimi i kësaj rruge pritet të përfundojë në vitin 2020, ndërsa për këtë vit Ministria e Infrastrukturës ka ndarë rreth 4 milionë euro.

 Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, me këtë rast tha se kjo është një ditë e veçantë pasi që ndërtimi i saj do të ketë efekte të mëdha në zhvillimin ekonomik.

Ai bëri të ditur se për ndërtimin e kësaj rrugë nuk është atakuar askush, ndërsa u shpreh i vendosur që ndërtimin e saj ta çojë deri në fund.

 Lekaj: Kjo rrugë lidh shqiptarët e Kosovës dhe të Malit të Zi

 "Sot është një ditë e veçantë pasi që na u ka dhënë rasti që të lidhim korridoret, dhe që të lidhet Deçani, Kosova me Malin e Zi, e sidomos me atë pjesë që banojnë shqiptarët. Nuk ka ndjenjë më të mirë kur ne jemi në shërbim të qytetarëve, në shërbim të lëvizjes së lirë, në shërbim të investimeve, zhvillimit të turizmit dhe kjo rrugë ka impakt pozitiv shumëdimensional... Unë jam i vendosur që këtë rrugë ta çojmë deri në fund", tha ai.

 Po ashtu, ministri i Infrastrukturës bëri të ditur se vitin e ardhëm pritet që të investohen edhe 8 milionë euro.

Lekaj: Në vitin 2019 priten edhe 8 milionë

 "Investimi është diku 4 milionë që i kemi ndarë për këtë vit, por që priten që në vitin 2019 diku edhe 8 milionë euro. I tërë projekti do të përfundojë në vitin 2020", bëri të ditur ai.

 Efektet e rrugës Deçan-Plavë sipas ministrit Lekaj, do të vërehen edhe në zhvillimin e turizmit dhe lehtësimin e transportit të mallrave.

 Ndërsa kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, tha se qytetarët e Deçanit e kanë pritur me padurim këtë rrugë, deri sa theksoi se kur flitet për të, flitet për potencialet më të mëdha që Republika e Kosovës ka.

 Gjithashtu, ai ka sqaruar se me ndërtimin e kësaj rruge nuk është cenuar integriteti i Manastirit të Deçanit dhe çdo gjë do të shkojë sipas procedurave të rregullta ligjore.

Ramosaj: Nuk kemi cenuar integritetin e Manastirit të Deçanit?

 "Qytetarët e Deçanit e kanë pritur me padurim këtë rrugë sepse kjo ndikon në zhvillimin ekonomik, ndikon që qytetarët e këtij vendi të kenë shpresë për të jetuar në këtë vend. Kur flasim për këtë rrugë, flasim për potencialet më të mëdha që Republika e Kosovës i ka e në këtë rast edhe qytetarët e Deçanit, që këto të mira me i shfrytëzu për ekonomitë e veta familjare. Njëkohësisht këtu e deri tek manastiri njihet si zonë e veçantë e cila është e trajtuar me ligj. Në ndërkohë këto procedura kanë për të vazhduar duke u respektuar normat ligjore. Nuk e kemi cenuar integritetin e Manastirit të Deçanit sepse ka qenë shqetësim edhe i ambasadave edhe i institucioneve relevante ndërkombëtare dhe të Kosovës. Dhe krejt cka po duam të bëjmë është të jetojmë më mirë, po dojmë të kemi perpektivë zhvillimore për këtë qytet", u shpreh ai.

Ndërsa qytetarët të cilët kishin ardhur për të parë nga afër dhe për të shijuar fillimin e punimeve në kilometrin e 6 të rrugës Deçan - Plavë shprehën mendimet e tyre lidhur me këtë çështje. Xhevdet Qerimaj përkundër gëzimit, në një prononcim për KosovaPress u shpreh i shqetësuar për faktin se punimet nuk nisën aty ku është dashur, e që sipas tij është pikërisht rruga para manastirit.

Qerimaj: Punimet është dashtë të nisin mu para kishës

 "Mirë ka nisur, por është dashur të niset prej kishës e jo në gjysmë të rrugës. Këtu nuk pajtohem hiç e nuk pajtohet as populli. Tash prifti atje mos me leju është katastrofë, sepse kjo është pronë e shoqërisë së Kosovës e jo e kishës", u shpreh ai.

Ndërsa Mustafë Haxhosaj nga Deçani tha se kjo ditë është historike për banorët e Deçanit, për shkak të efekteve pozitive që do të jap ndërtimi i rrugës që lidhë Kosovën me Malin e Zi.

Haxhosaj: Ky është një fillim i mbarë

"Këtë fillim e vlerësoj shumë të mbarë, fillim i mirëpritur nga populli mirëpo shumë gjatë kemi pritur ne për këtë punë. Kjo është një kënaqësi për popullin dhe për fshatrat 32-34 fshatra që kanë qasje në këto bjeshkë", tha ai.

 Ndryshe, ndërtimi i rrugës Deçan - Plavë pritet të përfundojë në vitin 2020.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat