Ligji për personat e verbër nuk po zbatohet

Kosova

Ligji për personat e verbër nuk po zbatohet

Më: 2 maj 2018 Në ora: 14:42
Foto nga mbledhja e Komisionit

Shoqata e të Verbërve të Kosovës ka shprehur pakënaqësi për mos zbatimin e Ligjit për personat e verbër në Kosovë.

Kryetari i kësaj shoqate Bujar Kadriu, tha se zbatimi i ligjit për punësimin e personave me aftësi të kufizuara është nën zero.

Ai këto komente i bëri me rastin e raportimit të ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica dhe ministrit të Administratës Publike Mahir Yagcilar, në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, ku prezentë kanë qenë edhe shoqatat e personave të verbër.

Kadriu: Zbatimi i ligjit për të drejtat e punësimit është nën pikën zero

“Zbatimi i ligjit për të drejtat e punësimit të personave me aftësi të kufizuara është nën pikën zero, me plot kuptim e them, sepse zbatimi i këtij ligji është në fuqi prej vitit 2009. Janë bërë me dhjetëra dokumente, strategji qeveritare, ka pasur publikime të ndryshme, ka pasur angazhime të ndryshme, por rezultatet janë me të vërtet shqetësuese. Ka pasur punësime individuale, ka pasur punësime sporadike, por ato kanë qenë punësime që janë angazhuar ose Shoqata e të Verbërve të Kosovës, ose persona të bazuar në mënyrë individuale apo thjeshtë në varësi nga momenti që e kanë gjetur ata”, tha ai.

Ndërkohë që në vitin 2015 Kuvendi ka nxjerrë rekomandime të qarta për ligjin për personat e verbër, Kadriu ka përkujtuar se nuk janë marrë parasysh ato rekomandime nga Qeveria e Kosovës.

Punësimi i personave të verbër në Kosovë si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat nuk është i kënaqshëm për ministrin e Administratës Publike, Mahir Yagcilar. Madje, nuk ka as statistika se sa është numri personave të verbër të punësuar në sektorin publik.

Yagcilar: Të punësuar janë 103 persona me aftësi të kufizuar

“Statistika veç e veç nuk ka, por sipas informatave të cilat i posedojmë dhe të cilat do të publikohen në raportin mbi gjendjen e shërbimit civil janë 103 persona në këtë sferë të shërbimit civil, të punësuar janë 103 persona me aftësi të kufizuar. Në këtë aspekt ne kemi pasur takime me zyrtarë dhe javën e kaluar jam takuar me drejtorin e departamentit për administrimin e shërbimit civil dhe janë shumë çështje të biseduara që si mundet kjo çështje të përmirësohet. Në këtë moment jemi duke punuar në ligjin e ri dhe të shikojmë edhe si Qeveri dhe parlament këto kërkesa si mundemi me transferua edhe nga dispozitat ligjore në të ardhmen që të bëhet një përkrahje nga aspekti më pozitiv sa i përket punësimit”, tha ai.

Ndërsa, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, tha se janë duke punuar në ligjin gjithëpërfshirës për personat me aftësi të kufizuara.

Reçica: Ligji gjithëpërfshirës për personat me aftësi të kufizuar

“Ka parë si aktivitet hartimin e koncept dokumentit për rregullimin e fushës së të drejtave në përfitime dhe shërbime për personat me aftësi të kufizuar apo siç po quhet ligji gjithëpërfshirës për personat me aftësi të kufizuar. Pas miratimit të këtij koncept dokumenti do të filloj hartimi i projektligjit të përgjithshëm për rregullimin e fushës së të drejtave në përfitime dhe shërbime për persona me aftësi të kufizuara, i cili ligj do të garantoj trajtimin e barabartë për të gjitha kategoritë të personave me aftësi të kufizuara në pajtim me normat dhe praktikat ndërkombëtare”, tha ministri.

Në këtë komision është diskutuar edhe për komisionin mediko-social, e që ky komision është funksional vetëm në Prishtinë dhe ky shërbim nuk mund të kryhet në komunat e tjera.

Kryetarja e Komisionit, Duda Balje, është shprehur se kjo duhet të ndryshojë dhe se duhet si shërbim të ofrohet edhe në qendrat e tjera mjekësore në Kosovë, pasi sipas saj është shumë e vështirë për një person të verbër të vij në Prishtinë.

Balje: Ju jeni i obliguar t’i bëni kushtet

“Ju jeni i obliguar me bë kushtet, nuk janë personat e verbër. Ju jeni nëse si ministër nuk keni mekanizma, qysh ata munden me bë mekanizma, qysh ata munden me bë organizime, do të thotë Prishtinë nuk është afër për personat e verbër. Nëse ata kanë të drejtë me ligj unë mendoj se ju keni obligim me bë kushtet edhe në disa regjione jashtë Prishtinës me bë vlerësim”, tha ajo.

Ndërsa, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, potencoj se janë duke punuar për të avancuar nivelin e shërbimeve edhe në qendrat tjera spitalore rajonale.

Reçica: Jemi duke punuar në këtë drejtim

“Jemi duke punuar në këtë drejtim, por unë po e përsërisë për shkak të sensibilitetit dhe të ndjeshmërisë së trajtimit të rasteve spitalet rajonale nuk e kanë atë mundësi të ofrimit të këtij shërbimi. Pikërisht kjo është arsyeja se pse koncentrohet në Prishtinë, aplikacionet pranohen nëpër qendrat rajonale, komunale, ndërsa rastet trajtohen në QKUK në Prishtinë. E dimë që nuk është mirë kjo të sillen prej të gjitha qendrave në Prishtinë, jemi duke punuar bashkërisht me Ministrinë e Shëndetësisë për avancimin e nivelit të këtij shërbimi edhe në qendrat spitalore rajonale”, tha ministri.

Ndërsa, është diskutuar edhe për mandatin e këtij komisioni i cili sipas ligjit ka mandat njëvjeçare, kurse funksional është komisioni i cili është formuar në vitin 2013. Kryetarja e Komisionit, Duda Balje, ka thënë se është shkelur ligji nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Balje: Ju keni shkel ligjin, me ligj është një vit, ndërsa ata janë prej 2013

“Anëtarët aktual të komisionit  janë prej fillimit të zbatimit të këtij ligji. Ata janë prej vitit 2013. Prej 2013 janë komisioni i njëjtë, ju me ligj keni vetëm një vit. Ministria e ka të drejtën e vazhdimit të mandatit të atyre njerëzve. Jo nuk keni të drejtë, me ligj nuk keni të drejtë unë lexova ligjin. Këtë komision ka bërë tollovi e madhe në terren, sepse një komision është për të gjithë të verbrit të Kosovës. Veç me ditë ju keni shkel ligjin. Ju keni shkel ligjin, me ligj është një vit, ndërsa ata janë prej 2013”, tha Balje.

Në përgjigjen e tij, ministri Reçica tha se ai e ka gjetur funksional këtë komision dhe se në momentin e skadimit të mandatit do të bëhet komision i ri.

Gjithashtu, është diskutuar edhe për librezat e personave të verbër, ku për të marrë librezën duhet paguar 24 euro. Kryetari i Shoqatës së Personave të Verbër Bujar Kadriu është shprehur se libreza jepet pavarësisht a është apo jo anëtar i shoqatës, ndërsa ai tha se kuatizimi vlen për të gjithë.

Por, me këtë nuk u pajtua Jasmin Maksuti nga Iniciativa e pavarur e të verbërve të Kosovës, i cili tha se nuk e ka bërë pagesën dhe nuk ka librezë të verbërisë.

Maksuti: Për ta pasur librezën prapë duhet t’i paguaj shoqatës

“Unë nuk dua të jem anëtar i shoqatës, unë për ta pasur librezën prapë duhet t’i paguaj shoqatës, por për çka t’i paguaj unë nëse nuk dua të jem anëtar. Nëse 24 euro janë për anëtarësi çfarë është kjo që duhet ta paguaj unë për ta marrë librezën. Kjo është automatikisht si të them tatim apo plaçkë. Unë për veti nuk e paguaj dhe nuk kam librezë, pse duhet të më mohohet kjo e drejtë e cila e drejtë siç u përmend është e garantuar dhe në asnjë pikë nuk përmendet që për të marrë këtë librezë personi i caktuar duhet të ja paguajë një shumë të caktuar lëshuesit të këtyre librezave”, tha ai.

Për këtë çështje është ftuar të raportojë edhe ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli, i cili përkundër që kishte konfirmuar pjesëmarrjen, në momentin e fundit ka lajmëruar se nuk do të marrë pjesë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat