Sindikata e Policisë kërkon sigurim për policët

Kosova

Sindikata e Policisë kërkon sigurim për policët

Më: 2 maj 2018 Në ora: 19:51
Ilustrim

19 vjet pas themelimit të Policisë së Kosovës, pjesëtarët e saj nuk kanë ende sigurim shëndetësor, jetësor dhe aksidental.

Edhe pse Sindikata e Policisë së Kosovës për shumë vite ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që pjesëtarëve të Policisë t’u bëhet e mundur të kenë këto sigurime por deri më tani asnjëherë nuk kanë marrë përgjigje pozitive.

Kryetari i Sindikatës së Policisë, Shaban Tashollit, thotë në një intervistë për KALLXO.com se kërkesa për sigurim shëndetësor është bërë me vite por nuk është plotësuar asnjëherë.

“Ndoshta edhe është tepruar me kërkesa tona që i bëhen të gjitha institucioneve të Kosovës, duke u  nisur nga Ministria jonë (MPB), Ministria e Financave dhe Kryeministri por edhe Qeveritë e mëhershme… Nuk është puna me muaj që kërkohet sigurimi shëndetësor, dhe nuk kemi asnjëherë përgjigje pozitive”, tha Tasholli.

Ai tha se kryeministri Ramush Haradinaj nuk ka dhënë ndonjë premtim konkret në lidhje me kërkesat e Sindikatës në takimin e fundit të mbajtur këtyre ditëve.

“Premtim konkret nuk ka dhënë Kryeministri, por ka dhënë premtim se do ta shqyrtojë me Qeverinë për këto pika”, u shpreh Tasholli.

Pesë ditë më parë, dy pjesëtarë të Policisë u aksidentuan në rrugën Kaçanik- Hani i Elezit. Derisa kërkimet për fatin e tyre po vazhdojnë, Sindikata është bërë më e zëshme për domosdoshmërinë që pjesëtarët e Policisë të kenë më në fund sigurim.

“Tani e them se për sigurimin shëndetsor ndoshta do të del punë për Qeverinë apo Ministrinë e Financave, por sigurimi aksidental dhe jetësor nuk kushton shumë, as atë nuk e kemi”, tha Tasholli për KALLXO.com.

Sindikata e Policisë së Kosovës ka kërkuar nga Qeveria edhe njohjen e përvojës së viteve të ’90 për pjesëtarët e  Policisë. Sipas Tashollit, policët të cilët kanë punuar deri në fillim të viteve 1990, nuk e kanë përvojën 15 vjeçare, që parashihet ta ketë një punëtor për ta gëzuar pensionin kontributdhënës.

“Ka punuar 10 vite para luftës, në vitet 90-99 është ballafaquar me shumë sakrifica burgosje, rrahje, maltretime, disa nga ne jemi pjesëmarrës edhe të luftës, kemi edhe të plagosur, dhe këta njerëz dalin në pension me 70 euro.  Kërkojmë që përvoja e viteve 90-99 të na njihet siç po ju njihet të tjerëve”, tha Tasholli.

Në rast të mosplotësimit të kërkesave të tyre, Sindikata e Policisë ka paralajmëruar se do të ndërmarrë hapa sindikalë, duke përmendur si shembull edhe grevën e sindikalistëve të arsimit.

“Është hapur një rrugë e pakënaqësisë sepse me një grevë sindikalistët e arsimit kanë arritur që të plotësoj kërkesën e tyre që kanë pasur… Ne nuk jemi të bëjmë protesta, nuk dëshirojmë, por nëse nuk plotësohen këto dy kërkesa do të  jemi të detyruar të marrim hapa sindikalë”, u shpreh Tasholli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat