Gjuajtje me armë ndaj drejtorit të Financave në Policinë e Kosovës, askush i arrestuar

Kosova

Gjuajtje me armë ndaj drejtorit të Financave në Policinë e Kosovës, askush i arrestuar

Më: 3 maj 2018 Në ora: 15:22
Foto ilustrim

Përderisa po udhëtonte me veturë, dikush shkrepi tre plumba drejt drejtorit të Financave në Policinë e Kosovës, Hamdi Hyseni. Ngjarja ndodhi mbrëmë në orën 18:40 në rrugën “Isa Kastrati” në Prishtinë. Nga ky incident nuk ka pësuar lëndime askush, ndërsa Policia ende nuk ka arritur të arrestojë personin që shkrepi në drejtim të Hysenit. Ky rast po cilësohet si “tentim vrasje”.

Në vendin e ngjarjes kishte dalë Policia ku kanë gjetur dhe konfiskuar tri gëzhoja të kalibrit të panjohur. Policia ka kontrolluar edhe disa lokacione tjera por deri më tani nuk ka rezultuar me arrestimin e ndonjë të dyshuari.

Media mëson se në momentin e gjuajtjes me armë Hamdi Hyseni ishte bashkë me një pasagjere në veturën e tipit “Mercedes” të cilin po e ngiste vetë ai. Nga gjuajtjet me armë zjarri veturës i është dëmtuar xhami i dritares së pasme.

Media po ashtu, ka mësuar se vetura prapa “Mercedes"-it nga e cila u shtie me armë zjarri ishte e tipit “Fiat Punto”.

Ky rast është përfshirë edhe në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës:

“Rr. “Isa Kastrati”, Prishtinë 02.05.2018-18:40. Ankuesi mashkull K-Shqiptar ka raportuar se një i dyshuar i panjohur nga një veturë në lëvizje ka shtënë me armë zjarri në drejtim të veturës së tij me ç’rast është dëmtuar xhami i pasmë i veturës. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore ku kanë gjetur dhe konfiskuar tri gëzhoja të kalibrit të panjohur. Nuk raportohet për të lënduar”, thuhet në raport.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat