Haradinaj reagon pasi Serbia nuk lejoi hyrjen e karateistëve nga Kosova

Kosova

Haradinaj reagon pasi Serbia nuk lejoi hyrjen e karateistëve nga Kosova

Më: 9 maj 2018 Në ora: 09:32
Ramush Haradinaj

Në ditën e Evropës, Serbia nuk lejoi hyrjen në territorin e saj të kombëtares së Kosovës në karate.

Ndaj kësaj ka reaguar kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili këtë e ka quajtur akt të papranueshëm.

I pari i ekzekutivit këtë akt të autoriteteve serbe e ka konsideruar si veprim që sinjalizon se Serbia po qëndron në politikat nacionaliste të konfliktit dhe refuzimit, në vend të bashkëpunimit.

“Ndalimi i Kombëtares së Kosovës nga autoritetet e Serbisë, për të marrë pjesë në Kampionatin Europian të Karatesë në Novi Sad të Vojvodinës, është akt i papranueshëm që nuk i kontribuon normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve tona. Autoritetet serbe janë njoftuar më kohë nga Komiteti Olimpik i Kosovës për këtë udhëtim dhe pretendimi se ato nuk janë informuar me kohë është i paqëndrueshëm”, ka shkruar kryeministri në rrjetin social Facebook.

Kombëtarja e karatesë së Kosovës do të duhej të merrte pjesë në kampionatin evropian të karatesë, që mbahet në Novi Sad të Serbisë. Mirëpo, ekspedita u kthye në Prishtinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat