Haradinaj: Ilir Konushevci ishte idealist i lirisë

Kosova

Haradinaj: Ilir Konushevci ishte idealist i lirisë

Më: 9 maj 2018 Në ora: 13:10
Ramush Haradinaj

Në Tiranë është mbajtur sot një akademi përkujtimore për nder të 20 vjetorit të rënies së dëshmorit Ilir Konushevci dhe Hazir Mala.

Akademia që u mbajt nën patronatin  e kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj mblodhi drejtues  të institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, ministra, zëvendësministra, pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta, familjarë e bashkëluftëtarë të dëshmorëve Ilir Konushevci e Hazir Mala dhe qytetarë nga Kosova e Shqipëria.

“Fakti se mblidhemi në Tiranë në një akademi për të përkujtuar Ilir Konushevcin e Hazir Malën, na tregon se bëhet fjalë për një situatë të veçantë, për një rrethanë të veçantë për njerëz të veçantë. Nuk janë të vetmit këta dy luftëtarë shqiptarë andej e këndej kufirit që kanë qenë dhe kanë luftuar bashkë, por është rënia e tyre, një rënie e veçantë, pra ata ranë duke afruar luftën aty ku ndodhte”, tha kryeministri i Kosovës  Ramush Haradinaj.

 “Iliri ishte një djalë shqiptar, i cili vizionin për liri nuk e kishte kopje të askujt, por të veten, të familjes dhe e kishte të thellë, jo sipërfaqësor. Ky vizion për liri buronte nga ai, e kishte kultivuar dhe ndërtuar deri në veprime që na çojnë te liria. Dikush që lirinë e ka ndjerë, e ka pasur në vete, e ka përcaktuar si qëllim të tij, por jo vetëm kaq, ai vetë ishte krijues i shumë veprimeve deri te liria”, tha Haradinaj.

 Më tej, kryeministri Haradinaj tha se Iliri ishte idealist i lirisë, i cili pastaj kishte kaluar në etapën tjetër, planifikim dhe zbatim.

 “Iliri, përveç përcaktimit për liri, ishte planifikues i gjithë rrugës tonë deri te liria, rrugë e përpjekjeve dhe veprimeve luftarake, e organizimeve luftarake, politike, e njerëzore, dhe njëkohësisht zbatim. Pjesa e zbatimit ishte jo e lehtë, për shkak se për t’u bërë bashkë të gjitha këto komponente deri te liria, nuk ishte projekt i thjeshtë”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se në këto përpjekje të Ilirit më së paku ishte e pranishme frika nga vdekja.  

 Më pas kryeministri tha se gjatë takimeve me Ilirin ka hetuar te ai një guxim për të mos parë pamje të pjesshme, por të sheh totalin dhe të mos e lejojë vetën që të bëhet pjesë e organizimeve më të ngushta.

 Kryeministri Haradinaj, foli edhe për takimin e tij me Hazir Malën, duke thënë se Haziri nuk ishte vetëm një djalë që nga emocionet iu bashkua UÇK-së, por ishte një intelektual, një djalë i një familje intelektuale.

“Familja e Haziri Malës dhe vetë Haziri ishte bazë e fuqishme, e respektuar për UÇK-në. Nuk ka mision më të mirë, nuk ka qëllim më të drejtë dhe vlerë më sublime sesa ecja deri në liri për popullin tënd, për fëmijët, nënat, pleqtë, për të gjithë ata që ishin të pambrojtur në Kosovë, për të gjithë ata që edhe bota më e civilizuar u detyrua të lëviz”, tha kryeministri Haradinaj.

 Para të pranishmëve, kryeministri Haradinaj tha se me angazhimin e NATO-s e gjithë bota e civilizuar u angazhua të veprojë në rrugën në të cilën ishte Iliri e Haziri.

 Haradinaj tha se Evropa tani duhet t’i hap negociatat për Shqipërinë, ndërsa popullit të Kosovës duhet t’i jap liberalizimin e vizave.

 “Si ka mundësi Evropa të jetë e lirë nëse një popull më i vjetri në këtë kontinent, shqiptarët, nuk është i lirë”, theksoi kryeministri, duke shtuar se do të punojnë për ato vlera për të cilat kanë vdekur njerëzit më të mirë.  

  Në emër të institucioneve të Shqipërisë, për figurën dhe veprën e lavdishme të Dëshmorëve të Kombit, Ilir Konushevci e Hazir Mala, foli zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, i cili tha se askush nuk na e ndal që dëshmorët e Kosovës t’i konsiderojmë dëshmorë të Shqipërisë, dhe anasjelltas.

 Në emër të bashkëluftëtarëve, foli ish-Komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, në emër të shoqatave të dala nga lufta, Xhavit Jashari, ndërsa të pranishmit në emër të familjeve Konushevci dhe Mala, i falënderoi Arton Konushevci, vëllai i dëshmorit Ilir Konushevci.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat