Fillojnë punimet për zgjerimin e rrugës Podujevë-Prishtinë

Kosova

Fillojnë punimet për zgjerimin e rrugës Podujevë-Prishtinë

Më: 11 maj 2018 Në ora: 12:38
Foto nga vendi i ngjarjes

Në Gllamnik të Podujevës ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj inauguroi fillimin e punimeve të rrugës nacionale N 25, “Rrethrrotullimi Besi-Podujevë, segmenti Lluzhan-Gllamnik”.

Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj ka thënë se sot janë duke e filluar një punë me rëndësi për Podujevën, për lidhjen e Prishtinës me Podujevën, përmes rrugës nacionale N 25, me gjatësi prej 4 kilometrash, me kosto të përafërt rreth 5 milionë euro, ndërsa punët do të kryhen për 200 ditë. 

“Për mua si ministër dhe bashkëpunëtorët e mi, ky është një projekt i veçantë. Ne nuk do të ndalemi, do të vazhdojmë me projekte të tilla. Sot e kemi filluar këtu në Podujevë, javën e ardhshme do ta fillojmë për Mitrovicë dhe mund të them që jam mjaftë i lumtur që ne po implementojmë me përpikëri të gjitha ato projekte që kanë fjetur për vite të tëra. Vetëm ky projekt kur ka filluar dhe asgjë nuk është bërë, prandaj unë jam i vendosur që çdo projekt ta fillojmë me kohë, por edhe ta implementojmë me përpikëri. Podujeva dhe qytetarët e gëzofshin këtë projekt dhe kërkoj nga kompania që të jetë e kujdesshme dhe të implementohet sipas kontratës i tërë projekti”,  tha ministri Pal Lekaj.

Tutje ministri Lekaj ka thënë se brenda këtij viti do të vazhdojmë edhe me llotet tjera, sapo të përfundojnë procedurat që duhen ndjekur.

Ndërkaq nënkryetari i komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari tha se ky projekt është i rëndësishëm për qytetarët dhe vendin, sidomos për ata që jetojnë në Evropë, sepse kjo është arteria kryesore që e lidhë Kosovën me botën e jashtme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat