E akuzuara Ajvazi: Njehsori i ka plotësuar të gjitha kushtet

Kosova

E akuzuara Ajvazi: Njehsori i ka plotësuar të gjitha kushtet

Më: 11 maj 2018 Në ora: 21:26
Pamje nga gjykimi

Në gjykimin për njehsorët e tipit “Kohler” ndaj dy zyrtarëve të metrologjisë Vjollca Ajvazi e Drita Hamiti si dhe zyrtarit të KEDS-it Avni Alidemaj, të akuzuarit e kanë dhënë mbrojtjen.

Gjatë deklarimit të tyre secili veç e veç i përshkruajti në mënyrë të detajuar detyrat dhe përgjegjësitë që thanë se i kanë pasur në bazë të pozitave përkatëse që kanë mbajtur gjatë periudhës për të cilën akuzohen si dhe veprimet që i kishin marrë kundrejt atyre përgjegjësive.

E akuzuara Vjollca Ajvazi gjatë dëshmisë së saj e shpjegoi procedurën sesi e kishin bërë licencimin e njehsorit  të tipit “AEL. TF.04-1”.

“Pas kontrollimit të dokumentacioneve dhe në marrëveshje me drejtorin Blerim Sokolin dhe këshilltaren e cila ka qenë këshilltare e ministres në atë kohë Teuta Luboteni, kanë preferuar që tipit AEL. TF.04 t’i shtohet një -1 pasi që ky njehsor ka pasur avancim nga tipi paraprak AEL. TF.04, që është lejuar në vitin 2009. E tani operatori ka kërkuar që ky tip të avancohet me një ndryshim në rrymë minimale/bazë, kërkesë e cila ka qenë sipas direktivave europiane”, tha e akuzuara.

Ajo deklaroi se vendosjen e shenjës -1 në këtë njehsor ia kishte kërkuar këshilltarja e ministres Teuta Luboteni

Për këta njehsor të tipit AEL. TF.04-1 tha se janë testuar në laboratorin e fabrikës së testuesit si dhe në laboratorin e Agjencionit të Metrologjisë, për rezultatet e testimit tha se kanë qenë sipas dispozitave ligjore dhe udhëzimeve administrative në fuqi.

Për këtë tip të njehsorit deklaroi se nuk ka certifikatë të veçantë për arsye se sipas saj certifikata e njehsorit AEL. TF.04 është e njëjtë edhe për AEL. TF.04-1, pasi që i kanë të njëjta të gjitha karakteristikat tekniko- meteorologjike.

E akuzuara tha se saktësia e njehsorit ka qenë sipas dispozitave ligjore në fuqi.

Ajvazi e pranoi se pasi që njehsori i kishte plotësuar të gjitha kushtet sipas ligjeve dhe udhëzimeve administrative në fuqi, ajo i kishte rekomanduar drejtorit që të lejohej certifikimi i këtij tipi, por tha se kompetent për certifikimin e njehsorit nuk ka qenë ajo, por drejtori.

“Kompetent për të lejuar apo jo certifikimin e tipit të njehsorit është drejtori. Të gjitha dokumentet/testimet që janë bërë janë përcjellë te drejtori dhe këshilltarja, të cilat i kanë pasur në dispozicion disa ditë dhe i kanë kontrolluar dhe kanë shikuar se çdo gjë është në rregull sipas udhëzimeve dhe ligjit”, deklaroi e akuzuara Ajvazi.

“A ka pasur autoritet drejtori me e refuzu rekomandimin e juaj”, e pyeti të akuzuarën avokati Besnik Berisha, për çka ajo u përgjigj se ajo ka qenë përgjegjëse vetëm ta shqyrtonte dokumentacionin dhe në bazë të dokumentacionit të jepte një rekomandim, ndërsa për drejtorin tha se ai ka qenë përgjegjës për të marrë vendimin për ta pranuar apo refuzuar rekomandimin e saj.

Në fund e akuzuara Ajvazi deklaroi se nuk e ndjen vetën aspak fajtore pasi që ajo ka punuar dhe vepruar kundrejt udhëzimeve administrative në fuqi dhe sipas përshkrimit të detyrat të punës.

E akuzuara tjetër Drita Hamiti gjatë deklarimit të saj tha se ajo fare nuk ka pasur të bëjë me certifikimin e këtij njehsori pasi që kjo lëndë nuk i ishte caktuar asaj, por koleges së saj Vjollca Ajvazi.

“Sa i përket këtij tipi të njësorit AEL. TF.04-1 unë nuk e kam punuar këtë lëndë dhe nuk kam qenë e përfshirë prej paraqitjes së kërkesës deri në fund të përfundimit të procesit, pasi që unë kam qenë në pushim vjetor. Kërkesa për lejimin e tipit të ri është dorëzuar me 19 qershor të vitit 2013, unë kam shkuar në pushim vjetor me 20 qershor 2013 deri me 28 qershor 2013.

Në punë kam dalë me 1 korrik 2013.”, tha e akuzuara Hamiti.

Tutje ajo shpjegoi edhe mënyrën se si i ishte ndarë ajo lëndë Vjollca Ajvazit.

“Në Zyrën për Matje Elektrike kemi qenë vetëm dy zyrtare, unë dhe kolegia ime Vjollca Ajvazi. Ne të dyja e kemi pasur një zyre të përbashkët ku punojmë me punë të ndara. Nuk ekziston asnjë rregullore e brendshme për ndarjen e punëve mirëpo punët ndahet varësisht prej vëllimit të punëve nëse unë jam e zënë me një punë atëherë e merr kolegia ose e kundërta”, tha e akuzuara.

Kurse i akuzuari Avni Alidemaj tha se ballafaqimi i tij i parë me këtë tip të njehsorëve ka qenë në momentin që ishin paraqitur probleme me këta njehsorë.

Ai tha se përafërsisht 18 mijë njehsorë të tipit AEL. TF.04-1 kanë qenë të instaluar te konsumatorët dhe se problemi i parë me ta ishte paraqitur në Komunën e Gjilanit.

Menjëherë pasi që ishte njoftuar për këtë problem, tha se i kishte ndërmarrë hapat e duhur.

“Mua më ka informuar menaxheri i matjeve Selman Hoti. Menjëherë pas marrjes së informatës është formuar komisioni për ta trajtuar këtë rast, e kam lajmëruar drejtorin menaxhues për rastin dhe po të njëjtën ditë drejtorin e metrologjisë, të ndjerin Blerim Sokolin”, tha Alidemaj.

Ai deklaroi se i kishte urdhëruar të gjitha ekipet që të dilnin në terren t’i kontrollonin të gjithë njehsorët e këtij tipi dhe aty ku kishte probleme të ndërmerreshin hapat e duhur.

“Aty ku ka pasur ndonjë anomali/parregullsi që kemi vërejtur, apo ndonjë dyshim janë tërhequr njehsorët, janë vendosur njehsorët e rinj dhe janë analizuar për me pa se a ka diçka rreth atij problemi. Duhet me shtu se te rastet ku konsumatorit i është vendosur njehsori i ri, nuk ju ka faturu asnjë kilovat i shpenzuar te njehsori që është ndryshuar, për të cilin është dyshuar se ka parregullsi. Po ashtu ndërrimi i njehsorit është bërë falas”, tha i akuzuari Alidemaj.

I akuzuari deklaroi se probleme të natyrës së njëjtë kanë ndodhur edhe në periudhën e KEK-ut, me ç’rast është zbatuar procedura e njëjtë, raporton kallxo.

“Çdo mundësi që e kam pasur e kam zbatuar në këtë rast dhe për çdo problem apo defekt, drejtori menaxhues ka qenë i informuar menjëherë”, tha për fund i akuzuari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat