Brenda dy viteve përfundon rruga që lidh 18 fshatra të Artakollit

Kosova

Brenda dy viteve përfundon rruga që lidh 18 fshatra të Artakollit

Më: 20 maj 2018 Në ora: 11:01
Banorët e kësaj zone ku janë duke u zhvilluar punimet po përballen me shumë probleme

Muaji prill ka shënuar fillimin e punimeve për asfaltimin e rrugës që lidhë 18 fshatra të Artakollit në komunën e Vushtrrisë, kurse, përfundimi i asfaltimit pritet të zgjasë deri në vitin 2019.

Banorët e kësaj zone ku janë duke u zhvilluar punimet po përballen me shumë probleme, pasi që gjatë largimit të asfaltit ekzistues dhe rregullimit, po krijohet pluhur. Përveç pluhurit, banorët e fshatrave të Artakollit po përballen me vështirësi edhe për kalimin me vetura në atë pjesë të rrugës ku janë duke u zhvilluar punimet.

Ndonëse iu ka gëzuar fillimit të punimeve, Rrahim Bollopoja, banor i fshatit Reznik, vlerëson se punimet janë duke shkuar ngadalë.

 Ndryshe mendon banori i fshatit Mihaliq, Ferki Syla, i cili thotë se punimet po shkojnë shumë mirë.

Kurse, për banorin tjetër të fshatit Reznik, Shaban Bunjaku ndërtimi i kësaj rruge është shumë i rëndësishëm për të gjithë banorët e fshatrave të Artakollit.

Asfaltimit të kësaj rruge iu ka gëzuar edhe kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, i cili ka thënë se është një prej rrugëve më të rëndësishme të qytetit që ai drejton. Po ashtu, ai u shpreh se do të jetë një infrastrukturë moderne, ku do të ketë edhe trotuar dhe ndriçim.

Ndërsa, sa i përket krijimit të pluhurit, kreu i Vushtrrisë premton se do të dërgojnë cisterna me ujë për të reduktuar aq sa është e mundur pluhurin gjatë punimeve.

Sa i përket punimeve, i pari i Vushtrrisë, thotë se janë duke shkuar shumë mirë dhe nëse gjithçka shkon sipas planit i gjithë projekti do të përfundojë në vitin 2019.

Asfaltimi i kësaj rrugë është kompetencë e Ministrisë së Infrastrukturës, e ministri i këtij dikasteri, Pal Lekaj, ka thënë se punimet do të përfundohen në afatin sa më të shkurtë.

Përkundër asaj që nuk ka dhënë një datë apo vit se kur do të përfundojnë punimet, ai thotë se të gjitha punimet që kjo ministri ka përgjegjësi po fillojnë me saktësi dhe në atë mënyrë do të përfundojnë.

Nga asfaltimi i rrugës do të përfitojnë 18 të Artakollit, ndërsa kjo rrugë lidhë fshatrat e Vushtrrisë edhe me magjistralen Prishtinë-Mitrovicë, si dhe ka dalje edhe në Obiliq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat