Tahiri kërkon përkrahjen e deputetëve për Kodin e ri Penal

Kosova

Tahiri kërkon përkrahjen e deputetëve për Kodin e ri Penal

Më: 21 maj 2018 Në ora: 12:18
Abelard Tahiri

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se para Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, ka prezantuar Projekt Kodin e Ri Penal.

"Sot prezantova Projekt-Kodin e Ri Penal të Republikës së Kosovës para Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit. Ky Projekt-Kod i Ri Penal është një prej akteve legjislative më të rëndësishme të hartuara nga Ministria e Drejtësisë, i cili ka kaluar nëpër një proces jashtëzakonisht transparent, profesional dhe gjithëpërfshirës" ka shkruar Tahiri. 

Ministri Tahiri ka theksuar se ky draft i konsoliduar adreson probleme konkrete, siç është korrupsioni dhe krimi i organizuar, duke shënuar progres të lartë në sistemin e drejtësisë. Andaj, ka kërkuar nga deputetët mbështetjen dhe miratimin e këtij Kodi, që reflektohet edhe në procesin e liberalizimit të vizave. 

"Ky akt legjislativ paraqet draftin e konsoliduar dhe progresiv, që në njërën anë adreson zgjidhjen e shumë problemeve konkrete me të cilat përballet shoqëria jonë siç është korrupsioni dhe krimi i organizuar, ndërsa në anën tjetër, shënon një progres të lartë në sistemin e drejtësisë. Prandaj, si ministër i Drejtësisë, shpresoj në mbështetjen dhe konstruktivitetin e anëtarëve të Kuvendit që të përkrahin këtë akt legjislativ, i cili përveç se do përmbushë kërkesat e Bashkimit Evropian për parandalimin dhe luftimin e dukurive negative si dhe nevojat e institucioneve të zbatimit të ligjit për parime të qarta dhe siguri juridike për qytetarët tanë, reflektohet drejtpërdrejtë edhe në procesin e liberalizimin të vizave" ka përfunduar Tahiri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat