Ishte i diplomuar por punonte në ndërtimtari, 30 vjeçari nga Drenasi humbi jetën në vendin e punës

Kosova

Ishte i diplomuar por punonte në ndërtimtari, 30 vjeçari nga Drenasi humbi jetën në vendin e punës

Më: 24 maj 2018 Në ora: 17:14
Foto ilustrim

Punëtori i ndërtimtarisë që ra nga kati i tretë i një objekti në Fushë-Kosovë, ishte i diplomuar në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe të Sportit. Në mungesë të një vendi të punës në drejtimin në të cilin ishte diplomuar, Valon Berisha, 30 vjeç, nga fshati Vasilevë i komunës së Drenasit, ishte detyruar të punonte si ndërtimtar. Kjo punë ia mori jetën. Valoni u bë viktima e pestë për këtë vit që humbi jetën në vendin e punës, në sektorin e ndërtimtarisë

Mëngjesi i sotëm nisi me një lajm të kobshëm. Policia njoftoi se në orën 7:30, një punëtor i ndërtimtarisë kishte rënë nga lartësia në një objekt në Fushë-Kosovë, duke vdekur në vend. Media merr vesh se bëhet fjalë për Valon Berishën.

Express ka qëndruar sot te shtëpia e Valonit, familjarët kishin hapur të pamën. Idrizi, djali i axhës së Valonit ka treguar se i ndjeri ishte nisur rreth orës shtatë nga shtëpia për të shkuar në punë. Ai punonte prej dy vjetesh si ndërtimtar në një kompani ndërtimi.

“Sot në mëngjes ka vdekë që dy vjet është duke punu, në shtatë ka dalë prej shpisë. Njerëzit që kanë qenë afër tij kanë tregu që ngjarja ka ndodhur në orën 7.30. Më shumë nuk dina”, thotë Idrizi.

Familjarët treguan se Valoni ishte i martuar dhe pas vetës la dy fëmijë, një vajzë 2 vjet e gjysmë dhe një djalë mbi 1 vjeç. Ata thanë se Valoni ishte i diplomuar në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe të Sportit. I ndjeri kishte aplikuar disa herë për ndonjë punë në drejtimin që kishte kryer por në mungesë të saj ia kishte mësyrë ndërtimtarisë.

“Valoni ka ra prej katit të tretë, 30 vjeçar. Dy fëmijë i ka lan”, vazhdon më tej rrëfimi.

Kushërinjtë e përshkruajnë si djalë të urtë që s’ka bërë fjalë me askënd.

“Valoni ska pas fjalë me kerkond, ka ngjinu Ramazanin. Sot u kan ninushëm”, tha Ragipi, njëri prej kushërinjve të Valonit.

Familjarët thanë se askush nuk po jep më shumë informacione rreth vdekjes së tij dhe të njëjtit nuk e dinin nëse vendi ku ka punuar Valoni ka qenë i rrethuar me mbrojtëse apo jo.

“Nuk po japin informacione, qysh nuk e dim a ka pasur mbrojtëse, nuk kemi qenë në vendin e ngjarjes”, tha më tej, Idrizi.

Media ka qëndruar edhe tek objekti që po ndërtohet në rrugën “Dardania” në Fushë-Kosovë, ku humbi jetën Valoni, por askush nuk ka qenë i gatshëm të flasë. Pas tragjedisë punimet ishin ndërprerë, ndërsa roja tha shkurtë se nuk ka asnjë infomatë pasi nuk ka qenë në ndërrim kur ka ndodhur rasti.

Edhe një punëtor nga një lokal afarist pranë ndërtesës ku vdiq Valoni tha se ka dëgjuar për ngjarjen por nuk di më shumë për rrethanat e vdekjes. Sipas tij, objekti që ia mori jetën një punëtorit ka filluar të ndërtohet 3-4 muaj më parë.

Familjarët thanë se varrimi i të ndjerit do të bëhet nesër në varrezat e fshatit Vasilevë të Drenasit. Ata po presin edhe babain e Valonit, pasi ai ndodhet për një kontrollë mjekësore në Shqipëri.

Policia e Kosovës tha se lidhur me rastin është inicuar hetim me qellim të ndriçimit të rrethanave të vdekjes së të riut dhe pritet intervistimi i personave që në një mënyrë ose tjetrën ndërlidhen me rastin.

“Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes se bashku me ekipet e mjekëve emergjentë, të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës. Policia ka filluar ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme policore si dhe ka inicuar një hetim me qellim të ndriçimit të rrethanave të rastit”, tha Policia.

Vetëm këtë vit kanë vdekur pesë kosovarë në vendet e tyre të punës në ndërtimtari. Në vitin e kaluar kishin vdekur shtatë në total.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat