Prokuroria vendos nëse kishte keqpërdorime në Mejë

Kosova

Prokuroria vendos nëse kishte keqpërdorime në Mejë

Më: 25 maj 2018 Në ora: 13:39
Mbledhja e Komisionit

Drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, Idriz Blakaj, ka raportuar para Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, lidhur me gjendjen në Kompleksin Memorial në Meje, për të cilat ka pasur shumë vërejtje nga familjarët, e po ashtu është kërkuar dhe hetim nga kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj.

Blakaj  para komisionit foli për numrin e vogël të punonjësve në këtë agjenci, e që janë 12 dhe mos miratimin e buxhetit për rritje të stafit, për të cilin tha se vështirëson punën kësaj agjencie.

Ai tha se numri i komplekseve memoriale është tepër i madh dhe se me ata punëtorë sa ka, kanë bërë atë që kanë mundur.

Ndërsa shtoi se për komplekset memoriale,  për të cilat është ndarë buxhet është punuar, kurse, të tjerat, për të cilat s’ka mjete për mirëmbajtje, janë në gjendje të keqe.

Ai tha se për kompleksin memorial në Mejë  janë ndarë 400 mijë euro për varrezat, por se ka pasur probleme me punimet, të cilat herë pas here nuk janë kryer si duhet nga kompania kontraktuese, por se janë detyruar që të bëjnë punën  për së dyti herë, vetëm e vetëm që të përfundohen mirë.

Blakaj pohoi se nuk ka pasur ankesa nga  familjarët sa i përket këtij kompleksi dhe as nga shoqata. Ndërsa tha se nëse ka keqpërdorimi njeriu i parë që duhet të përgjigjet për këtë, është ai.

 Blakaj: Nëse ka keqpërdorime, njeriu i parë që duhet të përgjigjem jam unë

“Po të garantoj se shoqata dhe anëtarët e shoqatës, asnjëri prej tyre nuk i ka bërë këto vërejtje dhe nuk e ka ngrit zërin kundër kësaj pune, por megjithatë është e drejtë e njerëzve me reagu. Ata kanë qenë të pakënaqur. 18 vite janë bërë që nuk janë rregullu ato varreza.... Gjendja është kjo, puna është duke vazhduar, puna do të kryhet sigurisht deri kah mesi i qershorit, eventualisht fundi i qershorit puna do të kryhet dhe do të bëhet pranimi teknik. Pranimi teknik do të bëhet nëse puna kryhet sipas standardeve dhe sipas projektit që është i punuar.... Prej atij momenti që kryeministri ka bërë kërkesë për hetime, unë nuk kam dashur me dhanë asnjë deklaratë për Mejen dhe sot nuk është dashur të jap, sepse tash është fjala te prokurori. Prokuroria e ka në dorë dhe kërkesë e imja është se nëse ka keqpërdorime, çfarëdo keqpërdorime që mund të ketë, dikush duhet të përgjigjet. Nëse ka keqpërdorime, nj eriu i parë që duhet të përgjigjet jam unë, sepse unë jam drejtori i agjencionit dhe jam i gatshëm me u përgjigj në çdo kohë, në të gjitha mënyrat”, tha ai.

Deputetja nga radhët e AAK-së, Teuta Haxhiu kishte vërejtje të shumta, sa i përket punimeve që po bëhen në këtë memorial. Ajo tha se varrezat nuk janë duke u punuar si duhet dhe se për këtë ka pasur ankesa nga familjarët dhe nga shoqata.

Haxhiu: Cilësia dhe punimet janë të kategorisë së fundit

“Janë 300 mijë euro dhe 100 mijë të tjera, janë 400 mijë euro. Përderisa janë diku  376 varreza, a po i bie kjo që vetëm një varr, është mbi 1 mijë euro. Unë po flas për 400 mijë, me matematikën time i bjen më shumë se 1 mijë euro, po flas për një varr sepse shqetësimi i familjarëve, shoqatës dhe i imi personal, është në varrezën çka po bëhet me ato varreza. Pos ndërtimeve skajshmërisht jo të mira sepse shihet, është shumë e dukshme ajo, dhe kërkesa e kryeministrit edhe unë e kam parë në media atë kërkesë, konsideroj se është shumë e drejtë...Cilësia dhe punimet janë me të vërtetë të kategorisë së fundit dhe shqetësimin po e sjellë këtu nga përfaqësues të shoqatës, duke i lënë anash familjarët sepse janë të përditshme“, tha ajo.

Edhe Mexhide Mjaku, anëtare e komisionit nga PDK tha se shqetësimet e ngritura, kanë qenë me vend dhe se puna në këtë kompleks memorial, nuk duhet të kryhet shkel e shko.

Mjaku: Të mos kryhen punët shkel e shko

“Për të gjitha ato ngjarje, ato probleme shqetësime që kanë qenë dhe po shihet që kanë qenë taman me vend. Për punët që nuk janë kryer si duhet dhe ka pasur reagime nga familjarët. Edhe ne jemi ata që dëshirojmë të dimë dhe të punohet ashtu si duhet. Edhe pse ndarja e buxhetit më vjen keq por kontraktuesi kur ta merr punën, duhet ta punoj si në familjen e vet punën, e jo veç shkel e shko”, tha ajo.

Por derisa po fliste Mjaku, u ndërpre disa herë nga Teuta Haxhiu, duke ngjallur kështu debat mes dy deputetëve.  

Mjaku: Teutë po më dekoncentron

“Çka mua po më intereson është çështja që ka pasur mosmarrëveshjet. Familjarët e martirëve po më intereson sa ka zgjatë ajo mosmarrëveshje mes familjarëve, a e ka vonu procesin kjo mosmarrëveshje.. Po më dekoncentron Teutë. Të lutem. Kolege e nderuar derisa ne jemi deputete dhe derisa të dyja kemi pasur qëllim të përbashkët që në Mejë pas 10 viteve të ndërtohet  një kompleks, atëherë dhe unë po dua ta di ku është thelbi i problemit...Është hera e fundit që më ndërprenë”, tha ai.

Por Blakaj u sugjeron deputetëve të presin dhe dy javë derisa të përfundojnë punët dhe se me keqpërdorimet e mundshme do të merret prokuroria.

Blakaj: Se kam ndërmend me ikë askund

“Ta presim edhe dy javë. Prokuroria le të merret me punë të vet. Unë absolutisht nuk dua të merrem me atë punë, nëse ata kanë punë me mua, unë i kam përgjigjet e mia. E kam dokumentacionin, edhe unë jam këtu, nuk e kam ndërmend me ikë askund. Prokuroria është ajo që vendos, ka apo s’ka bazë për ndjekje. Mirëpo nëse hynë prokuroria, atëherë dikush ka me u ndjekë, por kush unë nuk e di, por sigurisht unë jo. E agjencioni sigurisht jo këtë jam i sigurt 2 mijë për qind”, tha ai.

Kurse, kritikat e deputetes Haxhiu nuk kishin të ndalur. Ajo këto varreza i quajti zgafella. E kjo bëri që Blakaj të reagojë dhe t’i thotë Haxhiut, që të shkojnë së bashku dhe ta shikojnë gjendjen në këtë memorial.

Haxhiu: Ato janë tmerr, ato janë zgafella

“Krejt shqetësimi i familjarët e kanë tek varrezat. I nderuar. Aty janë zgafella, aty janë tmerr por s’po dua me fol sepse familjarët. Hajde shkojmë tash...bjeri fotografitë..... Hajde shkojmë. Mos e merrni personale ju jeni institucion, ne jemi duke fol me institucionin, absolutisht s’me intereson individi”, tha ajo..

Ndryshe në këtë komision, ku ishte paraparë të diskutohet për gjendjen në memorialët e Kosovës, ishte paraparë të jenë të pranishëm dhe përfaqësues të Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, por të cilët nuk ishin prezent, pasi që u tha se ishin në një vizitë zyrtare jashtë vendit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat