Kontestet pronësore zvarrisin ndërtimin e memorialit të heroit Afrim Zhitia

Kosova

Kontestet pronësore zvarrisin ndërtimin e memorialit të heroit Afrim Zhitia

Më: 26 maj 2018 Në ora: 21:51
Foto nga vendi ku eshte varrosur Afrim Zhitia

Ndërtimi i memorialit në nder të dëshmorit të Kombit, Afrim Zhitia është një projekt i planifikuar që në vitin 2014 nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Me kërkesë nga kjo e fundit, Komuna e Podujevës kishte siguruar hapësirën për ndërtimin e këtij memoriali në një sipërfaqe prej 2,904m2 në fshatin Llugë të Podujevës. Memorial ishte planifikuar të ndërtohej pranë obeliskut, i cili u ndërtua në vitin 2006 nga Komuna e Podujevës në nder të këtij dëshmori. Por, kjo nuk u pëlqye nga banorët e lagjes ku po planifikohej nderimi i këtij obeliksi, madje ata e kundërshtuan me anën e një peticioni.

Sipas drejtorit të Drejtorisë së Pronës, Kadastrit dhe Gjeodezisë në Komunën e Podujevës, Abaz LLugaliu parcela për të cilën bëhet fjalë në këtë kontekst mes banorëve të fshatit Llugë dhe Komunës së Podujevës është përdorur si “lamë”, ku është bërë shirja e grurit.

“Kundërshtimi dhe peticioni i parashtruar nga banorë të lagjes Zhitia në fshatin Llugë, me pretekst se sipërfaqja e kërkuar për ndërtimin e memorialit është e mirë e krejt lagjes, të cilën në të kaluarën e kanë përdorur si “Lamë” ku është bërë shirja e grurit. Sipas parashtruesve të peticionit me ndërtimin e memorialit do të vije deri te bllokimi i parcelave përballë hapësirës së kërkuar për memorial dhe disa shtëpi të ndërtuara në ato parcela do të mbesin pa qasje në rrugë” ka thënë.

Mirëpo, zyrtarë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë për IOndeksonline kanë thënë se punimet janë ndalur për shkak të problemeve pronësore.
Ata kanë shtuar se punimet në nderimin e këtij memoriali janë ndaluar nga Inspeksioni i Komunës së Podujevës, edhe pse MMHP-ja kishte bërë kërkesë për sigurimin e hapësirës.

“MMPH-ja ka njoftuar me kohë Komunën e Podujevës dhe ka bërë kërkesën me datën 01.11.2013 për sigurimin e hapësirave, dhe përsëritjen e kërkesës me datën 23.03.2016 për dhënien ne shfrytëzim te parcelave katastrale për ndërtimin e Memorialit “ Afrim Zhitia”. Mirëpo Komuna e Podujevës nuk ka kthyer përgjigjen lidhur me kërkesat nga MMPH-ja”, kanë thënë ata.

Por, Abaz Llugaliu ka thënë se Drejtoria për Pronë, Kadastër dhe Gjeodezi (DPKGJ) ka thënë se pesë persona të lagjes së Zhitia janë shpallur uzurpues sipas procedurën administrative për uzurpimin arbitrar të pronës Komunale.

Mirëpo, këta të fundit janë ankuar në Agjencionin Kadastral të Kosovës.

“Në prona e paluajtshme të Komunës në sipërfaqe prej 3,904m2, në një pjesë të kësaj sipërfaqeje është një pjesë e rrugës publike, por ka edhe uzurpime arbitrare të pronës komunale nga pronarët privatë, të cilat i kanë parcelat përballë të pronës së kërkuar për Memorial. Kundër tyre Drejtoria për Pronë kadastër dhe Gjeodezi (DPKGJ) ka zhvilluar procedurën administrative për uzurpimin arbitrar të pronës Komunale, ku pesë persona të lagjes së Zhitia i kemi shpall uzurpues. Ata kanë parashtruar ankesë në Agjencionin Kadastral të Kosovës (AKK), me ç’rast edhe AKK-ja është pajtuar më Aktvendimet e DPKGJ-së.” ka thënë Llugaliu.
Ndryshe, palët i janë drejtuar Gjykatës së Apelit, por atyre iu është kthyer vetëm një aktgjykim refuzues por jo edhe katër lëndë tjera.

“Pas përfundimit të procedurës Administrative palët në fjalë i janë drejtuar Gjykatës së Apelit – Departamenti për çështje administrative dhe deri tani kemi vetëm një aktgjykim refuzues të gjykatës në fjalë, por jo edhe katër lëndët e tjera” ka përfunduar Llugaliu.

Afrim Zhitia ishte njëri nga aktivistët dhe organizatorët e Lëvizjes Popullore të Kosovës në vitet e 80-ta.

Ai ra heroikisht më 2 nëntor 1989 bashkë me heroin, Fahri Fazliun i rrethuar nga forcat serbe në lagjen Kodra e Diellit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat