Qytetarët e Vushtrrisë të pakënaqur me rrënimin e Qendrës së Kulturës

Kosova

Qytetarët e Vushtrrisë të pakënaqur me rrënimin e Qendrës së Kulturës

Më: 27 maj 2018 Në ora: 17:30
Vushtrri

Sot në Vushtrri është rrënuar kujtesa shoqërore e qytetarëve të Vushtrrisë, për ta ndërtuar një objekt të ri e që në arkitekturë njihet si Kitsch ose “alla Shkupi”.

Kështu ka vlerësuar arkitekti vushtrrias, Bledian Salihu, me rastin e rrënimit të Shtëpisë së Kulturës “Hasan Prishtina”, në Vushtrri.

Ai në një përgjigje me shkrim për KosovaPress ka thënë se edhe salla e teatrit e cila nuk përfshihet në demolim, rrezikon të rrënohet nga punëtorët.

“Ekziston mundësia që punëtorët "gabimisht" ta rrënojnë edhe pjesën e teatrit gjë kjo që do të shpie deri te një rritje shumë e madhe e çmimit për rinovim që rrjedhimisht do të sillte në falimentimin e tenderit dhe si përfundim do të jepej për shfrytëzim privat nga investitorë privat qysh edhe është vepruar edhe me shumë objekte të trashëgimisë kulturore në Kosovë duke ndërtuar banesa mbi to”, ka thënë ai.

Madje në llogarinë e tij në Facebook, Salihu ka ftuar të gjithë qytetarët e Vushtrrisë që të reagojnë ndaj këtij akti, që sipas tij, është kundër rrënimit të vlerave njerëzore.

Edhe qytetarët e Vushtrrisë të cilët kishin dalë për të parë nga afër rrënimin e këtij monumenti kulturor, kanë shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me këtë vendim të komunës.

Besim Maxhuni  duke u shprehur i pakënaqur tha se sikur të ishin pyetur qytetarët, një gjë e tillë nuk do të ndodhte.

Maxhuni: Më dhimbset se ka rëndësi historike

"Varet se çka del në vend të saj, a rinovohet si pjesë e re. Në një aspekt më dhimbset se ka goxha kohë. Prej se kam lindur unë e mbaj mend. Qe 36 vite është e njëjta. Nëse vjen diçka më e re, më e mirë, se edhe kështu ka qenë se di sa me thënë, nuk ka qenë shumë e përdorshme. Ia vlenë edhe me u rrëzu, me u ndërtua diçka më e mirë... Çka me bë, nuk po na pyesin më shumë", u shpreh ai.

Për Rizah Muzaqin rrënimi i Qendrës së Kulturës, nuk është aspak në rregull edhe për faktin se rrënime të tilla siç thotë ai, duhet të kryhen natën, kur nuk rrezikohet jeta e qytetarëve.

Muzaqi: Mënyra e rrënimit të Qendrës së Kulturës po rrezikon qytetarët

"Mirë bënë që e rrëzon, mirë bënë që e ndërton. Por nuk prishet ditën kjo. Kjo natën prishet. Unë 60 vjet kam punu këso punësh. Natën kjo prishet me ujë dhe i largon njerëzit. Ditën nuk prishet, por tanët bëjnë gjithçka, të marrët", shfryu ai.

Ndërsa Enver Pushkolli thotë se kryetari i komunës, Xhafer Tahiri, ka bërë shkelje të ligjit, pasi që siç thotë ai, aty nuk do të ndërtohet objekt kulturor.

Pushkolli: Nuk është mirë që po rrëzohet, ky është monument i moçëm

"Nuk është mirë. Ky është monument i moçëm. Ky ka pasur nevojë veç me e rinovu, me e bë për fëmijë. Filma, shfaqje, sikur teatrot e gjithë Kosovës. Por këtu janë duke bërë gabime. Kryetari i komunës ka bërë shkelje... Thoshin ka me u ndërtu shtëpi e re, më e ulët. Por mua nuk ma merr mendja se ka për tu ndërtuar hiq. Këtu ndonjë objekt banesor, garant", tha ai.

Kurse Avdi Maliqi duke folur lidhur me këtë çështje, ka kujtuar kohën kur ka kaluar kohën duke shikuar filma të ndryshëm.

Ai ka shtuar për KP se rëndësia e shtëpisë së kulturës “Hasan Prishtina” është shumë e madhe, pasi që nga kjo e fundit kanë dalë shumë figura të shquara shqiptare.

Maliqi: Kjo ka mundur të rinovohet

"Është një gabim, për mendim timin po, sepse ka mundur të rinovohet kjo. Me u bë edhe më e mirë kjo, si muze i vjetër. Shqiptarët e kanë ndërtu këtë. Ky është muze. Kjo është diku rreth 70 vjet që flitet. Si fëmijë e mbaj mend që shikonim filma si Bruse Lee e të tjerë. Mirëpo nuk e di pse me u rrëzu kjo pasi që është objekt që mundet me u rinovo. Ky ka qenë një objekt që me të me u njoft Vushtrria. Ka pasur shumë njerëz që kanë dalë prej saj. Kanë dalë këngëtar e artistë. Për hir të tyre nuk është dashur ta rrëzojnë këtë. Kanë dalë emra që i njeh krejt Kosova, Adem Mikullovci, Dibran Tahiri e shumë artistë", tha ai.

Ndërsa kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, është shprehur i gatshëm të publikojë dokumentet e tenderimit, derisa ka deklaruar për KosovaPress së një gjë të tillë do ta bëjë ditën e hënë.

Lidhur me rrënimin e Shtëpisë së Kulturës “Hasan Prishtina”, i pari i Vushtrrisë ka reaguar edhe në Facebook, ku ka thënë se kjo ka qenë një punë e trashëguar nga qeverisja e kaluar. Teksa ka theksuar se 5 ditë para marrjes së detyrës, qeverisja e kaluar ka shpallur fituesin e tenderit.

“Për transparencë për qytetarët e Vushtrrisë lidhur me projektin e ndërtimit të Qendrës së Kulturës “Hasan Prishtina” po i publikoj veprimet nga pushteti i kaluar për tenderim të këtij projekti: Me datë 02 nëntor 2017 është shpallur tenderi për këtë projekt; Me datë 15 dhjetor 2017 është shpallur fituesi i tenderit ( 5 ditë para se ne te marrim detyrën). Diskutimet publike për projektin janë zhvilluar gjatë fillim vitit 2017. Atëherë është vendosur të rrënohet pjesa e përparme e objektit dhe të ndërtohet objekt i ri i Qendrës së Kulturës (si ne foto, me ndryshime te vogla ne pjesën e jashtme e te brendshme)”, thuhet në reagimin e tij.

Ai ka siguruar qytetarët e Vushtrrisë se po bëjnë gjithçka që ti kthehet identiteti kulturor e historik qytetit. Derisa ka shtuar se falë reagimit qytetarë dhe të LDK-së në Kuvendin e Komunës, është shmangur ndërtimi i banesave kolektive në vend të Shtëpisë së Kulturës, siç ka qenë ë paraparë nga qeverisja e kaluar.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat