Malisheva shënon dyfishim të rasteve nga pickimi i rriqrave

Kosova

Malisheva shënon dyfishim të rasteve nga pickimi i rriqrave

Më: 28 maj 2018 Në ora: 00:05
Foto ilustrim

Malisheva është zona më e prekur në Kosovë nga pickimi i rriqrave. Numri i të prekurve deri më tash është më i lartë sesa për periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Megjithatë, dezinsektimi me kohë ka bërë që këto pickime të mos jenë vdekjeprurëse.

Sa herë që vjen vera, Drita Toplana nga Kijeva e Malishevës, thotë se ajo dhe fëmijët e saj pickohen nga rriqrat.

Këtë herë atë e pickoi derisa punonte në kopsht. Pavarësisht se u përpoq ta largonte vete, megjithatë kërkoi trajtim në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Malishevë. Në këtë qendër mjekësore, të dhënat tregojnë se është rritur shkalla e gatishmërisë për ofrimin e shërbimeve për rastet e pickimit nga rriqrat.

Kryeinfermerja Drita Gashi thotë se numri i rasteve të paraqitura me pickim nga rriqra është dyfishuar në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Prej janarit kemi 452 raste, ndërsa në periudhën e njëjtë në vitin e kaluar kemi pasur 246 raste të pickimit të rriqrave do të thotë kemi një dyfishim”, ka thënë ajo.

Pavarësisht rasteve të thumbimeve, deri më tani nuk është regjistruar asnjë rast i infektimit me ethet hemorragjike, krime kongo, virus i cili bartet nga rriqrat tek njeriu. Për këtë, në territorin e komunës së Malishevës, është duke vazhduar fushata e dezinsektimit selektiv të zonave endemike, ndërsa procesi i dezinsektimit është duke u monitoruar nga ana e zyrtarëve përgjegjës komunalë.

Në vitin 2017, 916 persona u pickuan nga rriqrat. Malisheva ka hyrë në vitin e pestë, pa regjistruar vdekje nga rriqrat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat