Rekomandohet ndryshimi i kornizës ligjore për udhëtimet zyrtare

Kosova

Rekomandohet ndryshimi i kornizës ligjore për udhëtimet zyrtare

Më: 28 maj 2018 Në ora: 10:19
Avion në Aeroportin "Adem Jashari"

Udhëzimi adminstrativ që rregullon çështjen e udhëtimeve zyrtare për zyrtarët publikë nuk po përshtatet me kërkesat aktuale për menaxhimin e parasë publike.

Kështu ka vlerësuar Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani në një kërkesë që i dërgoi Kryeministrit Ramush Haradinaj për ndryshimin e këtij udhëzimi.

Osmani ka kërkuar vëmendje për trajtimin me prioritet nga ana e Qeverisë të Udhëzimit Administrativ 2004/2007 për Udhëtimet Zyrtare (Udhëzuesi) i miratuar nga Ministria e Shërbimeve Publike në vitin 2004, i cili ende është në fuqi.

Sipas tij, paqartësitë dhe mungesat e identifikuara në kornizën ekzistuese ligjore kanë ndikuar në aplikimin jo konsistent të tij nga organizatat buxhetore.

Auditori i Përgjithshëm, në shkresën e tij thekson se gjatë punës audituese është vërejtur se Udhëzuesi nuk i përgjigjet kërkesave të kohës dhe si i tillë nuk kontribuon në menaxhimin e rregullt, të shëndoshë dhe të mirëfilltë të parasë publike.

Për këtë ai ka rekomanduar që të rishikohet e tërë korniza ligjore që ka të bëjë me shpenzimet për udhëtimet zyrtare dhe të azhurnohet për të përmbushur kërkesat e kuadrit të ri ligjor dhe institucional të Republikës së Kosovës.

Osmani ka paralajëmuar se ZKA do të ofrojë rekomandime specifike lidhur me përmirësimin e qeverisjes, me qëllim të rritjes së besueshmërisë në shpenzimin e fondeve publike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat