Me moton “ bashkë në luftë kundër sklerozës multiple”, sot është shënuar Dita Botërore e Sklerozës Multiple.
Nexhmedin Shala, drejtor i Klinikës së Neurologjisë dhe nënkryetar i Shoqatës së neurologëve të Kosovës, tha se përmes shënimit të kësaj dite kanë synojnë sensibilizimin e opinionit dhe vendimmarrësve për luftën kundër kësaj sëmundjeje.
Sipas tij, Kosova ka të evidentuar mbi 1300 persona të diagnostikuar me sklerozë multiple, përderisa aktualisht në terapi janë vetëm 100 prej tyre. Ai tha se nga skleroza multiple janë të goditura grup-moshat e ndryshme, duke filluar nga mosha 15-vjeçare e tutje.
Shala njoftoi se Klinika e Neurologjisë ka staf të mjaftueshëm profesionalë për trajtim të kësaj sëmundje, por nevojitet përkrahje më e madhe në trajtim me terapi.
Ndërsa, Labinot Demi nga Shoqata e pacientëve me Sklerozë Multiple, kërkoi përkrahje më e madhe për këtë kategori të pacientëve dhe mbulim i formave të terapisë.
Skleroza Multiple është sëmundje e sistemit nervor, e cila paraqitet me ankesa dhe dhimbje të ndryshme kohë pas kohe. Ankesat tipike të kësaj sëmundjeje janë ligështimi në duar apo këmbë, ndjenja e të qenit të pirë (shtangur), dridhjet, artikulimi i paqartë dhe pengesa në shikim.