FSSHK-ja ultimatum Qeverisë: Brenda muajit të procedohet ligji për pagat - Bota Sot
FSSHK-ja ultimatum Qeverisë: Brenda muajit të procedohet ligji për pagat

Kosova

E enjte, 20 shtator 2018

FSSHK-ja ultimatum Qeverisë: Brenda muajit të procedohet ligji për pagat

Më: 13 qershor 2018 Në ora: 15:27
Konferenca e FSSHK-së

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës i ka dhënë ultimatum Qeverisë së Kosovës që brenda këtij muaji të procedojnë në Kuvend projektligjin për pagat, në të kundërtën ka paralajmëruar kolaps.

Kryetari i FSHSK-së, Blerim Syla, tha se presin që Qeveria të reflektojë, në mënyrë që punonjësit shëndetësor të marrin statusin e merituar në shoqëri. Ndërsa ka thënë se janë të pakënaqur me transparencën e Ministrisë së Administratës Publike.

Syla: Deri në fund të qershorit Qeveria të procedojë projektligjin për pagat

“Qëndrimi i Federatës është dhe po apeloj prej këtu, se nuk kam nevojë të dërgoj më letra tek kryeministri, as tek ministri Yagcilar, as nga ministri i Shëndetësisë, që të procedohet në mënyrë urgjente projektligji i pagave. Por jo sipas fontanës së dëshirave që po e bën MAP. Ata e dinë shumë mirë se ku ka për të pasur vendin punëtori shëndetësor. Deri në fund të qershorit neve kemi një grevë të pezulluar, nëse nuk procedohet ligji i pagave, ku punëtorët shëndetësor do ta kenë vendin e merituar, shëndetësia shkon në kolaps”, apelon Syla.

Sipas tij, debatet që po bëhen kinse për të gjetur zgjidhje më të mira, janë vetëm sa për të blerë kohë, pasi që siç thotë ai, po bëhen manipulime.

Syla foli edhe për kontratën kolektive sektoriale të nënshkruar në mes FSShK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë, e cila sipas tij përfshinë disa përfitime për punonjësit shëndetësor.

Syla: Qëndrojmë më së miri në rajon sa i përket kujdestarive

“Ajo çka është me rëndësi është se ajo kontratë ka kushtuar diku 4 milionë euro – fillimi dhe fillimi i implementimit sipas ministrit të Shëndetësisë, duhet të bëhet nga muaji i ardhshëm. Ajo çka unë sot po e them është se kujdestaria është rritur 45 përqind me nivelizime të ndryshme. Që do të thotë se të gjithë kanë përfituar por varet se ku punojnë dhe çka punojnë. Por lajmi i mirë është se më në fund është përmirësuar gjendja e kujdestarive. Qëndrojmë më së miri në rajon sa i përket kujdestarive”, tha ai.

Sipas tij, edhe mediat do të mund të kenë Kontratën Kolektive, porse tha se një gjë e tillë mund të ndodh pas protokollimit të saj.

Ndërsa nënkryetari i FSHSK-së, Xhemajl Selmani, tha se MAP ka nxjerrë një tabelar për nivelizimin e pagave, tabelar i cili sipas tij, është i papranueshëm për punonjësit shëndetësor.

Sipas këtij tabelari, Selmani tha se koeficienti për mjekun është paraparë nën 4, ndërsa për infermierin 1.7, vlera këto të papranuara nga punonjësit shëndetësor. Ndërsa theksoi se Federata ka propozuar që koeficienti për mjekun specialit të jetë 8.

Selmani: Punonjësit shëndetësorë nuk e pranojnë nivelizimin e pagave sipas tabelarit të MAP-it

“Punonjësi shëndetësor e refuzon këtë tabelar. Sepse ne në vazhdimësi kemi kërkuar statusin meritor në shoqëri dhe atë status e duam me ligj. Është e papranueshme për punonjësit shëndetësor nëse është bërë përllogaritja sipas tabelarit, i cili është nxjerrë për konsultime brenda Qeverisë”, deklaroi ai.

Krejt në fund, kryetari i FSShK-së, Blerim Syla, foli edhe për rastin e suspendimit të doktorit Gani Bajraktari, me ç’rast tha se është detyrë e Odës së Mjekëve që të mbrojnë profesionistët shëndetësorë.  Madje Syla tha se si Federatë, janë të gatshëm të shkojnë ta mbrojnë atë edhe para komisionit disiplinor nëse iu kërkohet një gjë e tillë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test