Bujqit e Gadimes i gëzohen investimit të KEDS-it

Kosova

Bujqit e Gadimes i gëzohen investimit të KEDS-it

Më: 19 qershor 2018 Në ora: 11:59
Ilustrim

Një projekt shumë të rëndësishëm investiv sapo ka përfunduar KEDS-i në fshatin Gadime e Epërme të Lipjanit. Fjala është për projektin e quajtur TS Shkolla Gadime, projekt ky që do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë të furnizimit dhe rënien e humbjeve.

Sipas kumtesës për media dërguar nga KEDS-i, projekti është pritur tepër mirë nga banorët e kësaj ane, të cilët kryesisht merren me bujqësi.

Për Agim Hajdinin banor i fshatit, projekti i KEDS-it është më i miri nga të gjithë projektet tjera që janë realizuar në këtë fshat.   

“Shpeshherë kur bëj pagesën mujore të rrymës, paguaj edhe 20-30 euro avanc, prej gëzimit që kam për gjendjen e mirë që kemi me rrymë. Prej të gjithë projekteve që janë bërë në fshatin tonë, ky i KEDS-it është më i miri.

Përpara me rrymën e dobët që kishim as vullnet për punë s’kishim, tash punojmë me qejf. Falënderojmë shumë KEDS-in dhe juve që po interesoheni për konsumatorët. Për 100 vjet e kemi hequr dertin për rrymë”, ka thënë Agim Hajdini, i cili punon në kompaninë Bechtel & Enka. 

Gjatë implementimit të projektit KEDS këtu ka vendosur tri trafostacione, dy me fuqi prej 160 kV, dhe një me fuqi prej 250 kVA. Gjithashtu janë vendosur 99 shtylla betoni për tensionin e ulët dhe 66 shtylla për tensionin e mesëm. Janë shtrirë edhe 6 km kabllo ajrore për tensionin e ulët dhe 2km rrjet të tensionit të mesëm.

Janë 130 familje që përfitojnë nga ky investim.

Gjendja energjetike në këtë fshat ka qenë tepër e rëndë, mbingarkesat shpesh sillnin ndërprerje të energjisë elektrike dhe banorët thonë që kanë pasur problem për me i përdorë edhe pajisjet më të thjeshta shtëpiake.

Për ndryshimet dhe përfitimet e banorëve prej këtij investimi tregon edhe Xhyzide Limani, banuese në këtë lokalitet.

“Përpara një frymë që i prekte telat e nalte rrymën. E kena pas problem me i përdorë pajisjet shtëpiake që nuk punonin pa korrektorë. Tash rryma është e fortë dhe nuk tutemi kur fryn era. E ka knaq KEDS-i, super e ka ba”, thotë e zonja e shtëpisë, Xhyzidja.

KEDS vazhdon me investime në shumë vendbanime të Kosovës për të modernizuar rrjetin elektrik, që është zotim i kompanisë për të zgjidhur problemet infrastrukturore për shpërndarjen e energjisë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat