Haradinaj ofron mbështetje të plotë për komunën e Klinës

Kosova

Haradinaj ofron mbështetje të plotë për komunën e Klinës

Më: 25 qershor 2018 Në ora: 16:36
Ramush Haradinaj

Në vazhdën e vizitave nëpër komuna, kryeministri Ramush Haradinaj gjatë ditës së sotme ka vizituar Klinën, me ç'rast premtoi implementimin e marrëveshjeve të arritura deri më tash në mes të kryetarit të kësaj komune dhe ministrave të kabinetit qeveritar.

Haradinaj tha se do të përkushtohen për bashkëpunim sa më të ngushtë në mes të nivelit qendror dhe lokal, në mënyrë që sa më shpejt të arrihet qytetari. Në emër të Qeverisë së Kosovës, kryeministri ofroi mbështetje për zgjidhjen e problemeve me të cilat çdo ditë përballen qytetarët e Klinës.

Haradinaj: Do të zhvillohen të gjitha memorandumet e deritashme

"Është ujësjellësi. Gjendja nuk është e mirë, duhet të veprojmë. Janë edhe ujërat e zeza por për këtë është një projekt më i ngadalshëm. Pastaj e kemi infrastrukturën, të cilën do ta trajtojmë me kujdes. Është miniera e Boksiteve, një resurs që mund të hap vende të punës dhe ndikon në zhvillim ekonomik. Ka edhe aspekte të tjera që lidhen me bujqësinë, me fermerët, me përkrahjen për arsimin, për shëndetësinë. U diskutua edhe për dhënien në shfrytëzim komunës, pronë që do të shfrytëzohej pastaj për zhvillim ekonomik për zonë industriale, ashtu sikurse kemi vepruar me komuna të tjera. Në emër të Qeverisë të Kosovës u zotuam se  disa projekte infrastrukturore, memorandumet që janë arritur me komunën do të zhvillohen më projeksionet e ardhshme buxhetore", tha ai.

Kreu i ekzekutivit po ashtu shprehu gatishmërinë  për të vizituar edhe komunat e tjera, pavarësisht asaj se cilit subjekt politik i takojnë kryetarët e tyre.

Haradinaj: Do t'i vizitoj të gjitha komunat

"Nuk ka lidhje se i cilës parti është kryetari apo kryeministri, por e marr shembull komunën e Prizrenit. Prizrenit ia keni zgjedhur në afat të shkurtër dy probleme, të një zone industriale që ishte në pritje të gjatë dhe të planit urbanistik që ishte i bllokuar për shkak të një padie. Edhe në Klinë mund t'i shtyjmë disa projekte që janë shumë me rëndësi për qytetarët, por mundemi edhe në Podujevë, edhe në çdo komunë tjetër, në Istog, Pejë ose kudo", u shpreh Haradinaj.

Ndërsa kryetari i komunës së Klinës, Zenun Elezaj shprehi mirënjohjen e tij për kryeministrin Haradinaj, pasi që tha se ky i fundit ka ofruar mbështetje të plotë për Klinën.

Elezaj: Morëm përkrahje të plotë nga kryeministri Haradinaj

"Morëm përkrahje të plotë për disa nga çështjet kryesore që preokupojnë komunën e Klinës, që është furnizimi me ujin e pijes, trajtimi i ujërave të zeza, infrastruktura dhe problemet tjera", tha Elezaj.

Kryeministri u prit edhe në një seancë solemne, ku kryesuesi i Kuvendit Komunal të Klinës, Fadil Gashi pati dy kërkesa, me theks të veçantë zbardhjen e fatit të të pagjeturve të komunës së Klinës.

Gashi: Çështjes së të pagjeturve t'i jepet fund

"Si çdo komunë tjetër dhe Kosova si tërësi ka dalë prej luftës me humbje të mëdha materiale dhe humane. Ndërsa fati i pagjeturve këtë komunë edhe sot e përcjellë. Ne po kërkojmë autoritetin tuaj të drejtpërdrejt të ndërhyni te secili faktor relevant ndërkombëtar që kësaj çështjeje t'i gjendet fundi sado i dhimbshëm të jetë ai. Dhe kërkesa e dytë është materiale, që ne po kërkojmë të gjitha ato memorandume që kryetari Elezaj ka nënshkruar me Qeverinë tuaj, të përcillen me mjete buxhetore, qoftë në këtë vit fiskal, qoftë në kornizën afatmesme buxhetore që është duke u ndërtuar për vitin 2019-2020", u shpreh ai.

Ndërsa Haradinaj pranoi porosinë duke deklaruar se bashkëndien dhimbjen e rrugëtimit për liri.

Ndryshe, kryeministri gjatë vizitës në Klinë, u takua me kryetarin e komunës Zenun Elezaj, drejtorët, asamblistët dhe kryetarët e bashkësive lokale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat