“Me ty” projekt që ndihmon fëmijët me leukemi

Kosova

“Me ty” projekt që ndihmon fëmijët me leukemi

Më: 26 qershor 2018 Në ora: 17:10
Me rastin e lansimit të librit, menaxherja e projektit Bleona Foniqi, u shpreh se qëllimi i këtij projekti është rikthimi i buzëqeshjes tek fëmijët e sëmurë me leukemi

Është lansuar projekti “Me ty”, që është një libër për ngjyrosje për fëmijët, e që për qëllim ka mbledhjen e fondeve për fëmijët që po përballen me sëmundjen e leukemisë në Kosovë.

Libri do të kushtojë 2 euro dhe të gjitha fondet e mbledhura nga shitja do të shkojnë për fëmijët në repartin Hemato-onkologjik të QKUK-së.

Ky projekt është realizuar nga studentët e Kolegjit Riinvest në bashkëpunim me UNICEF Innovations Lab Kosova.

Me rastin e lansimit të librit, menaxherja e projektit Bleona Foniqi, u shpreh se qëllimi i këtij projekti është rikthimi i buzëqeshjes tek fëmijët e sëmurë me leukemi.

Foniqi: “Me ty” ka për qëllim kthimin e buzëqeshjes tek fëmijët me leukemi

“Projekti “Me ty” ka pasur për qëllim prej fillimit me kthye buzëqeshjen tek fëmijët të cilët po luftojnë me sëmundjen e leukemisë në këtë repart. Reparti pra ka qenë në gjendje të mjerueshme kur ne kemi qenë aty, pra tash fondet kanë me vazhdua me u ngrit për atë repart prandaj edhe ka vazhduar pjesa e dytë e projektit që është realizimi i këtij libri që sot po bëhet lansimi. Libri është libër për fëmijë për ngjyrosje që do të dal shumë shpejt në shitje, pikat e shitjes do të bëhen të ditura nga Riinvesti. Ju bëjë thirrje që me e ble këtë libër dhe me i përkrahë sa më shumë fëmijët që po luftojnë me këtë sëmundje të rëndë”, tha ajo.

E lumtur që ky projekt është realizuar dhe do të dal në shitje u shpreh të jetë edhe rektorja e Kolegjit Riinvest, Bardha Qirezi, e cila tha se do të vazhdojnë të punojnë në projekte të tilla.

Qirezi: Përmes librit do të përkrahim repartin e hemato-onkologjisë në QKUK

“Projekti ka filluar me përkrahjen e repartit hemato-onkologjik të QKUK-së, ku qëllimi ishte që të ndihmohet ky repart për të krijuar një ambient më miqësor dhe të këndshëm për fëmijët të cilët kalonin qaste shumë të vështira të jetës së tyre duke u shëruar aty. Projekti përfshiu riparimin e këtij reparti duke përfshirë edhe ngjyrosjen, krijimin e këndit të fëmijëve, riparimin e kuzhinës dhe një kënd të lodrave. Pastaj me bashkëpunimin që patëm me Innovations Lab ky projekt e mori një dimension tjetër të qëndrueshmërisë, normalisht ne gjatë gjithë kohës kemi bashkëpunuar me Innovations Lab për realizimin e këtij projekti, po ajo çka na ka pëlqyer shumë me realizimin e mëtutjeshëm ishte që të krijojmë një qëndrueshmëri të projektit dhe produkt është ky që po e prezantojmë. Pra, është libri i cili ka për qëllim mbledhjen e fondeve për të vazhduar përkrahjen për këtë repart”, tha ai.

Ndërsa, Zana Cana nga UNICEF Innovations Lab Kosova u shpreh e lumtur që po  lansohet një projekt që ajo tha se ka qenë shumë i dashur për ta për shkak të misionit fisnik që e ka.

Cana: Paret tona kanë me shkua në vend të duhur

“Po dëshiroj të ju ftoj me e pa librin, pse jo edhe me e ble duke e ditur për kauzën që kemi me kontribuua kemi me kënaq vetën dhe fëmijët duke ngjyrosur, paret tona kanë me shkua në vend të duhur”, tha ajo. Libri “Me ty” shumë shpejt do të dal në shitje. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat