Kosova ende përballet me sfida në Administratën Publike

Kosova

Kosova ende përballet me sfida në Administratën Publike

Më: 27 qershor 2018 Në ora: 13:17

Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka mbajtur sot tryezën e diskutimit mbi temën "Sfidat në Reformën e Administratës Publike: Ku qëndron Kosova?". Tryeza ka reflektuar mbi pritjet dhe angazhimin institucional në zbatimin e kësaj reforme, e cila është një nga kriteret kryesore të agjendës evropiane.

Në fillim të diskutimit janë prezantuar  të gjeturat dhe rekomandimet e analizës së politikave me titullin: “Sistemi i politikë-bërjes në Kosovë: Një pikëpamje mbi sfidat sistematike dhe drejtimet potenciale të reformës”.

Albana Rexha, hulumtuese në Grupin për Studime Juridike dhe Politike, ka thënë se administrata publike përballet me sfida, kurse si gjetje tjetër këtu është përmendur mungesa e mekanizimit llogaridhënës.

Rexha: Administrata publike ballafaqohet me një numër tejet të madh të sfidave

“Sistemi apo administrata publike ballafaqohet me një numër tejet të madh të sfidave, duke përfshirë këtu një numër shumë të madh të institucioneve të pavarura që funksionojnë, një sistem të pa uniformuar të pagave, që do të thotë se shërbyesit civilë të cilët kryejnë punën e njejtë, paguhen ndryshe, së treti ekziston një mungesë e rekrutimit dhe promovimit të shërbimit civil bazuar në meritë, dhe së fundi ekziston një koordinim jo efikas i politikave i cili rezulton në një numër tejet të madh të strategjive sektoriale, pra duke paraqitur një inflacion të prioriteteve të cilat në shumicën e rasteve mbesin edhe prioritete vetëm në letër”, u shpreh Rexha.

I pranishëm në këtë rast ishte edhe ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, i cili ka thënë se thënë se kjo sfidë është shoqërore dhe shtetërore dhe se rruga drejt BE-së duhet vazhduar reformat në administratën politke.

Yagcilar: Kosova, përkundër problemeve që kemi nuk qëndron keq

“Raporti i monitorimit i Sigmës i vitit 2017 për Kosovën ofron një pasqyrë gjithëpërfshirëse të progresit dhe sfidave të vendit në lidhje me administratën publike. Kosova, përkundër problemeve që kemi nuk qëndron keq në raport me shumicën e rasteve, ndoshta edhe në mesataren apo përtej mesatares, sa i përket kornizës strategjike për reformën e administratës publike, Kosova qëndron shumë mirë dhe është mbi mesataren rajonale kur është fjala për cilësinë e kuadrit strategjik të reformës së administratës publike, efektivitetin e zbatimit si dhe monitorimin dhe raportimin në kuptimin gjithëpërfshirës. Por, kërkohet pastaj në proceset e zbatimit një përqendrim edhe më të madh”, u shpreh Ministri Tagcilar.

Ai tutje ka thënë se sa u përket shërbimeve publike, ky raport njeh progresin e bërë nga Kosova, duke shtuar se ka një vlerësim të përgjithshëm pozitiv në raport.

Zëvendësministri i financave, Fatmir Gashi në këtë tryezë ka thënë se në këtë aspekt Kosova gjendet përpara shteteve të rajonit.

Gashi: Mungesa e bashkëpunimit ndërinstitucional ka vend të përmirësohet

“Ne kemi nevojë të përmirësojmë edhe më tutje vlerësimin e ndikimit buxhetor, me theks të veçantë në sinkronizmin e tij më të mirë me ciklin buxhetor, nuk ka ligj që shkon në Kuvend të Kosovës, i cili nuk merr vlerësim buxhetor, sa ka ndikim në buxhet. Është e vërtetë që këto ndikimet mjedisore, sociale nuk janë të përfshira në atë mendim, për arsye se Ministria e Financave dhe departamenti i buxhetit e jep opinionin vetëm sa i përket pjesës financiare, kurse duhet të funksionojë kjo, duhet të rregullohet që në ministri tjera të merret edhe nga Ministria e Mjedisit edhe nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, të shiqohet edhe ndikimi social dhe mjedisor i ligjit. Do të thotë kjo është ajo mungesa e bashkëpunimit ndërinstitucional e cila ka vend shumë për mu përmirësu dhe ju këtu e tregoni shumë herë”, tha ai.

Venera Hajrullahu , drejtoreshë Ekzekutive në  Fondacionin Kosovar për Shoqëri Civile tha se Kosova ka pranuar mjaft ndihmë nga partnerët ndërkombëtarë për zbatim të reformës në administratën publike.

Hajrullahu: Kemi pas mundësinë ta ndërtojmë administratën nga fillimi

“Në Kosovë nuk kemi pas të bëjmë realisht vetëm me reformim, kemi pas mundësinë ta ndërtojmë administratën publike nga fillimi, dhe kemi pas mundësinë ta ndërtojmë si duhet dhe kemi pas mjaft kohë dhe mbështetje. Pra kjo çka duhet ta themi është se nuk ja kemi dal ta kemi sot një shërbim civil, një administratë publike e cila i mjafton proceseve në të cilat është i angazhuar vendi”, u shpreh Hajrullahu.

I pranishëm ishte edhe Besnik Tahiri, koordinator Nacional për Reforma Shtetërore nga Zyra e Kryeministrit, i cili ka thënë se edhe pas  20 viteve, Kosova nuk ka arritur të krijojë një sistem të qeverisjes se mirë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat