Rritet numri i fëmijëve që lypin

Kosova

Rritet numri i fëmijëve që lypin

Më: 5 korrik 2018 Në ora: 13:45
Policia e Kosovës

Numri i fëmijëve që kërkojnë lëmoshë në rrugë është duke u rritur, ndërkohë që gjatë muajit qershor janë iniciuar 15 raste të abuzimit me fëmijë lidhur me këtë dukuri.

Kështu është bërë e ditur gjatë aktivitetit të organizuar nga Qendra për Punë Sociale në komunën e Prishtinës, Policia e Kosovës dhe OJQ “AKTI”, të cilët kanë shpërndarë broshura duke kërkuar që qytetarët të ndërpresin dhënien e lëmoshës për fëmijët që kërkojnë në rrugë.

Me këtë rast, drejtor i Qendrës për Punë Sociale në Komunën e Prishtinës, Vehbi Mujku, bëri të ditur se e kanë ndërmarrë këtë aktivitet me qëllim vetëdijesimin e qytetarëve për mosdhënien e lëmoshës.

Mujku tha se numri i fëmijëve që kërkojnë lëmoshë është duke u rritur dhe për këtë ai tha se janë të shqetësuar për shkak se po rrezikohet jeta e tyre.

Mujku: Numri i fëmijëve në situatë rruge është duke u rritur

“Kemi marrë një veprim për të sensibilizuar opinionin publik për mosdhënien e lëmoshës. Përmes kësaj broshure e cila përbëhet prej dy anëve, ana e parë ka të bëjë me komunikimin e fëmijës me qytetarin dhe pjesa e dytë ka të bëjë me komunikimin e institucionit me qytetarin, që ka për qëllim ta bëjë vetëdijesimin e qytetarëve për mos dhënien e lëmoshës. Jemi dëshmitar që numri i fëmijëve në situatë rruge është duke u rritur dhe këta njëkohësisht po e rrezikojnë vetën dhe po i rrezikojnë vozitësit tjerë, si dhe po e dëmtojnë shëndetin e tyre. Kemi një numër të madh të fëmijëve që nuk vijojnë shkollimin me të vetmen arsye se dalin në rrugë me prindërit e tyre apo të vetëm për të kërkuar lëmosh”, tha Mujku.

Ndërsa, shefi i sektorit për parandalim dhe projekte në Policinë e Kosovës, Sali Dragidella, deklaroi se fëmijët që kërkojnë lëmoshë mund të jenë viktima të trafikimit apo abuzimit, prandaj ai apeloi që të ndërpritet dhënia e lëmoshës nga qytetarët.

Dragidella bëri të ditur se gjatë muajit qershor janë iniciuar 15 raste për abuzim me fëmijë lidhur me dukurinë e kërkim lëmoshës.

Dragidella: Gjatë muajit qershor janë iniciuar 15 raste për abuzim me fëmijë

Deri më tani informacione nuk kemi dhe ata nuk e pranojnë se janë të trafikuar apo të shtyrë nga dikush që të kërkojnë lëmosh, ka raste kur prindërit i detyrojnë këta të kërkojnë lëmosh. Gjatë muajit qershor janë iniciuar 15 raste për abuzim me fëmijë lidhur me dukurinë e kërkim lëmoshës”, bëri të ditur Dragidella.  

Kurse, nga Organizata AKTI, Rexhep Gojnovci tha se qytetarët duhet të vetëdijesohen që me dhënien e lëmoshës nuk ndihmohen fëmijët.

Gojnovci: Të bëhet informimi i qytetarëve që nuk ndihmon një fëmijë nëse i jep lëmoshë    

“Në muajt e fundit është bërë shumë shqetësuese për të gjithë komunitetin dhe shoqërinë që jeton në Kosovë. Ideja dhe qëllimi i kësaj fushate ka qenë që të bëhet informimi i qytetarëve që nuk ndihmon një fëmijë nëse i jep lëmosh, por në fakt efekti më negativ është dëmtimi i tij dhe i personalitetit të tij”, tha Gojnovci.

Shpërndarja e broshurave ku kërkohet që të ndërpritet dhënia e lëmoshës është bërë tek semaforët afër Katedrales në Prishtinë, vend ky i njohur ku një numër i madh i fëmijëve kërkojnë lëmosh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat