Ekspertët financiarë dëshmojnë në gjykimin e grupit të akuzuar për kontrabandë me derivate

Kosova

Ekspertët financiarë dëshmojnë në gjykimin e grupit të akuzuar për kontrabandë me derivate

Më: 18 korrik 2018 Në ora: 06:22
Gjykimi për krim të organizuar

Në Gjykatën e Mitrovicës ka vazhduar gjykimi i të akuzuarve për krim të organizuar.

Ky gjykim është një prej 39 rasteve të shënjestruara për liberalizmin e vizave.

Prokuroria Speciale e Kosovës akuzon Besim Zeqirin dhe Ismet Zeqirin së bashku me të pandehurit Milan Radisavleviq dhe Aleksander Rakiçeviq se në fillim të vitit 2012 kanë themeluar grupin kriminal me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore financiare.

Sipas Prokurorisë, këta të akuzuar nga Serbia dhe Mitrovica e Veriut kanë sjellë në mënyrë ilegale në vazhdimësi mallra të kontrabanduara, si derivate të naftës, vajra motorike etj.

Në aktakuzë thuhet se në periudhën kohore qershor-dhjetor 2014, të njëjtit me të gjithë pjesëtarët e grupit nga Serbia në Kosovë kanë bërë kontrabandimin e 52 ngarkesave me derivate të naftës, 2 ngarkesave me vaj hidrol dhe 3 ngarkesave me nitro-tretës.

Sipas aktakuzës, këto mallra më pas janë shpërndarë nëpër qytete të ndryshme të Kosovës me qëllim që të akuzuarit vetes apo personit të tjetër t’i sjellin dobi pasurore, duke bërë shmangien nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore në shumën prej 30.000 eurove.

Për këto veprime të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprën penale pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal, lidhur me veprat penale kontrabandim i mallrave, tregtia e ndaluar dhe shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore.

Për të njëjtën vepër akuzohen edhe Agron Zymeri, Gentrit Zymeri, Canabeg Hyseni, Ali Muzliukaj, Liridon Hyseni, Ridvan Avdiu, Dukagjin Latifi, Besnik Istrefi dhe Azem Islami.

Po ashtu edhe të pandehurit Xhevat Spahija, Shkëlqim Jusaj, Selami Morina, Sabri Hasani, Burim Hasani, Nexhat Mazreku, Demë Lokaj, Alban Nikçi, Fadil Çollaku dhe Albion Lokaj akuzohen se kanë kryer veprën penale pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal lidhur me veprat penale – kontrabandim i mallrave dhe shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore.

Gjithashtu, gjatë kontrollimit të shtëpive të të pandehurve Agron dhe Gentrit Zymeri, Ismet Zeqiri, Canabeg Hyseni, Azem Islami, Fadil Çollaku, Demë Lokaj dhe Alban Nikçi Policia ka gjetur dhe ka konfiskuar armë.

Me këtë këta të akuzuar kanë kryer veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve.

Pas konstatimit të prezencës të të gjithë të pandehurve dhe mbrojtësve të tyre ne seancë, gjykimi ka vazhduar me marrjen në pyetje të dy ekspertëve financiarë nga ana e mbrojtësve të të pandehurve.

Fillimisht lidhur me ekspertizën e dhënë ne seancat e kaluara pyetje për ekspertët ka parashtruar mbrojtësi i të akuzuarit Shkelqim Jusaj, avokati Kujtim Kerveshi.

Eksperti Xhevdet Krasniqi tha se bazuar në raportet e kontrollit të ATK-së, detyrimet e “Petrol Company”, kanë qenë në vlerë prej 2.069.57 euro, ndërsa sipas ekspertit, shmangiet e tjera arrijnë vlerën prej 13.006.20 euro, e që në total japin shumën prej 15.075.77 euro.

Në vazhdim të marrjes në pyetje nga mbrojtësi i të akuzuarit Jusaj, avokati Kërveshi, lidhur me konstatimin në ekspertizë se i akuzuari Jusaj ka kontrabanduar mallra në shumë prej 10.936.63 euro, eksperti Krasniqi u pyet se gjatë hartimit të ekspertizës a është marrë për bazë një dokument në të cilin konstatohet gjendja e stoqeve të derivateve për njësinë e pompës së derivateve “Delta Group SHPK”, e që pas shikimit të dokumentit në fjalë eksperti u shpreh se nuk i kujtohet ai dokument.

Më pas Krasniqi tha se për hartimin e kësaj ekspertize kryesisht janë bazuar në raportet e ATK-së dhe të njëjtat, sipas tij, janë verifikuar së bashku me përfaqësues të ATK-së dhe mbi bazën e rezultatit të ekzaminimit është dhënë edhe mendimi në ekspertizë.

I pyetur nga avokati Kërveshi se në rast se do të ishte marrë për bazë dokumenti në fjalë, a do të ndryshonte gjendja aktuale, eksperti tha se të dhënat nga ai dokument do të ndikonin në pasqyrat financiare të biznesit në fjalë.

Tutje, gjatë marrjes në pyetje nga avokati Kërveshi, eksperti Krasniqi ka cekur se gjatë hartimit të ekspertizës, është takuar edhe me përfaqësues të ATK-së dhe disa nga përfaqësuesit e subjekteve ekonomike ndaj të cilave kishin filluar hetimet.

Lidhur me këtë, eksperti Krasniqi tha se në bazë të detyrave të përshkruara në aktvendimin e Prokurorisë Speciale nuk kanë pasur obligim të takohen me përfaqësues të ATK-së apo të subjekteve ekonomike, por kjo sipas tij, është bërë me qëllim të ofrimit të disa provave nga disa prej subjekteve, ndërsa takimi me përfaqësuesit e ATK-së, sipas tij, është bërë pasi që pjesë thelbësore e shkresave të lëndës kanë qenë raportet e kontrollit të Administratës Tatimore dhe në disa raste është ndjerë nevoja që disa shkresa të trajtohet bashkërisht.

Eksperti Krasniqi ka thënë  se qëndron pranë kësaj ekspertize dhe konstatimeve të bëra në të, ndërkaq që eksperti tjetër Shaban Baftiri u shpreh se qëndron pranë pjesës që ai e ka punuar e që sipas tij, e njëjta cilësohet si analizë financiare.

Eksperti Shaban Baftiri, edhe në seancën të mbajtur më 11 maj 2018, është shprehur se në ekspertizën financiare të datës 29 nëntor 2016, nuk është i përfshirë mendimi i tij si ekspert.

Pas përfundimit të marrjes në pyetje të ekspertëve nga ana e mbrojtësit të të akuzuarit Shkëlqim Jusaj, avokatit Kujtim Kërveshi, ekspertët financiarë u morën në pyetje nga mbrojtësi i të akuzuarit Selami Morina, avokati Agim Lushta.

Gjatë marrjes në pyetje nga avokati Lushta, eksperti financiar Xhevdet Krasniqi u shpreh se bazuar në raportin e doganës, shmangie doganore në raport me të akuzuarin Selami Morina dhe subjektin afarist “Bahar Ticaret’ është konstatuar shuma në vlerë prej 2.582.67 euro.

Eksperti Krasniqi duke iu referuar konstatimit lidhur me të akuzuarin Morina tha se vlera e mallit të ndaluar bazuar në raportin e Shërbimit Doganor të Kosovës, arrin vlerën në shumë prej 9,357,50 euro.

Ndërsa seancat e radhës për këtë rast janë caktuar më 27 dhe 28 shtator 2018.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat