Mbahet provimi pranues në UP, rektori premton se do të pranohen më të mirët

Kosova

Mbahet provimi pranues në UP, rektori premton se do të pranohen më të mirët

Më: 19 korrik 2018 Në ora: 09:57
Provimi pranues në UP

(E plotësuar) - Në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” është mbajtur provimi pranues për pranimin e studentëve të rinj, ku për vitin akademik 2018/2019 do të pranohen mbi 8 mijë studentë.

Rektori i UP-së, Marjan Dema ka vizituar studentët të cilët iu kanë nënshtruar provimit pranues, të cilëve iu ka premtuar se do të pranohen vetëm më të mirët.

Dema: Unë i garantoj studentët që do të pranohen ata që e meritojnë

“Nga ora 9 Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” e ka filluar procesin e organizimit të provimit pranues për studentët që do të bëhen pjesë e këtij Universiteti. Në këtë konkurs kanë konkurruar mbi 12 mijë e 600 studentë të cilët konkurrojnë  në 143 programe studimore. Çdo gjë është bërë gati, është duke funksionuar sipas planifikimit. Unë i garantoj studentët që do të pranohen ata që e meritojnë, sepse kjo është bërë një traditë. Por, natyrisht që të bëhen pjesë e Universitetit të Prishtinës nuk është lehtë, se UP i ka avancuar standardet se synojmë të jemi më të mirët, jemi më të mirët, po natyrisht pa standarde më të mira, pa studentë më të mirë kjo nuk arrihet”, tha  Dema.

Në rast se nxënësit provojnë të kopjojnë rektori tha se do të ketë masa disiplinore.

Dema: Sigurisht që ka masa disiplinore

“Sigurisht që janë masat disiplinore të cilat janë të përcaktuara nëpër të gjitha njësitë akademike, nëpër fakultete ato do të respektohen çdo gjë sipas normave dhe akteve ligjore që UP i posedon”, tha rektori Dema.

Në Fakultetin Filozofik, në drejtimin Shkenca Politike po shpreson të pranohet Hëna Rexhaj nga  Istogu. Ajo shprehet e bindur se do të pranohet për shkak se është përgatitur.

Rexhaj: Besoj që do të pranohem sepse kam mësuar

“Drejtim që ka më shumë perspektivë sa i përket shkollimit dhe arsimimit të mëtutjeshëm... Besoj që po, nëse jo këtu jashtë vendit... Besoj që kam sepse jam përgatitur”, tha ajo.

Provimet pranuese në UP, do të mbahen edhe nesër dhe pasnesër, ndërsa të hënën do të publikohen rezultatet.

Po mbahet provimi pranues në UP

Në Universitetin e Prishtinës po mbahet provimi pranues për studentët që kanë vendosur të bëhen pjesë e tij.

Mbi 12 mijë studentë kanë konkurruar në gjithsej 143 programe studimi, ndërkohë që provimi pritet të përfundojë në të gjitha njësitë akademike më 21 korrik.

Rektori Marjan Dema bashkë me drejtues të tjerë të UP-së dolën për ta parë nga afër procesin e provimit.

Ai iu ka uruar suksese studentëve të rinj, duke i siguruar që ky proces do të kalojë me transparencë, dhe se meritorët do të zënë vendin në universitetin më të madh publik të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat