Tahiri falënderon Gjykatën Themelore për punën e bërë për vizat

Kosova

Tahiri falënderon Gjykatën Themelore për punën e bërë për vizat

Më: 19 korrik 2018 Në ora: 16:59
Abelard Tahiri

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, i shoqëruar nga kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi dhe kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, kanë vizituar sot Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku janë pritur në takim nga kryetarja e kësaj Gjykate, Afërdita Bytyçi.

Ministri Tahiri theksoi se vizita ka të bëjë me raportin pozitiv nga Komisioni Evropian për përmbushjen e të gjitha kushteve për liberalizimin e vizave, meqenëse Gjykata Themelore e Prishtinës ka bartur barrën kryesore në procesin e rasteve të shënjëstruara.                                                                                                      

“Kemi ardhur sot që t’i falënderojmë, që punën e gjyqësorit po e sjellin në një standard të ri, në një dimension të ri, dhe jam shumë i lumtur që tani e tutje vetëm sa do ta rrisim efikasitetin e gjyqësorit” theksoi ministri Tahiri.

Ministri Tahiri theksoi se ky raport pozitiv është shtysë e madhe që të punohet më tutje që gjyqësori të plotësoj pritjet dhe kërkesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

“Ne nuk do të vetëkënaqemi. Edhe më tutje do të angazhohemi që të kemi një gjyqësor sa më profesional, sa më efikas, i cili është në përputhje të plotë me pritjet dhe kërkesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, theksoi ministri Tahiri. Kryesuesi i KGJK-së, Idrizi, theksoi se raporti i KE-së ka motivuar gjyqësorin që lëndët e kësaj natyre të trajtohen me prioritet edhe në të ardhmen, ndërsa kryetari i Gjykatës Supreme, Peci potencoi rëndësinë që ka bashkëpunimi mes institucioneve, në të mirë të interesit të qytetarëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat