Kërkohet reagimi i Qeverisë, kultivimi i mjedrës drejt shuarjes

Kosova

Kërkohet reagimi i Qeverisë, kultivimi i mjedrës drejt shuarjes

Më: 21 korrik 2018 Në ora: 17:23
Foto ilustrim

Kultivuesit e mjedrës po kërkojnë nga Qeveria e Kosovës subvencionimin e kësaj kulture me 20 centë për kilogram të vjelur, për ta kaluar një gjendje alarmante që është këtë vit me çmimin shumë të ulët me të cilin po shitet kjo kulturë.

Fermeri Ekrem Rrahmani, nga fshati Lupç i Podujevës, shprehet i zhgënjyer me çmimin që është këtë vit, teksa me gjithë familjen e tij, thotë se jeton nga kultivimi i mjedrës.

Ai kërkon nga institucionet qendrore që të ndërhyjnë me subvencion prej 20 centë për kilogram të vjelur, që ta tejkalojnë këtë krizë për këtë vit.

Rrahmani tregon se pasur të mbjella 3 hektarë e 70 ari me kulturën e mjedrës, dy hektarë varieteti mapema dhe 1 hektar e 70 ari, polka.

Mirëpo, afër dy hektarë thotë iu dëmtuan nga vërshimet e pranverës dhe këtë vit nuk ka vjelje. Derisa, aktualisht ka vetëm 1 hektar e 70 ari që ka rendimet i cili është shumë i mirë.

Rrahmani: Kërkojmë përkrahjen e Ministrisë ta kalojmë këtë krizë

“Me çmim nuk jemi të kënaqur, çmimi është shumë i dobët. Shoqata e mjedrës nacionale ka bërë kërkesë në Ministrinë e Bujqësisë për 20 cent me na mbështetë për kilogram. Ministri i Bujqësisë ka shprehur gatishmërinë që të na ndihmoj dhe tani ka mbetur të bisedoj me kryeministrin dhe ministrin e financave Bedri Hamza, brenda shtatë dite do të na kthej një përgjigje. I kisha bërë thirrje prej pemishtes sime që të na mbështes kryeministri, që t’i mbrojmë këtë ngërç, të kalojmë këtë krizë këtë vit. Nuk është krizë vetëm tek ne në Kosovë, por ka krizë edhe në Evropë”, tha Rrahmani.

Fermeri Rrahmani thotë se çmimin e mjedrës nuk e cakton individualisht askush, por këtë e cakton berza.

Rrahmani rrëfen se si ai bashkë me gjithë anëtarët e familjes janë të angazhuar në pemishten e tij për të vjelë mjedrën, por që thotë se më çmimin që tashmë është caktuar, do t’iu duhet të punojnë për vetëm 10 centë fitim.

Ai thotë se nëse nuk ndërhynë Qeveria, ka mundësi që mijëra vende pune të shuhen.

Rrahmani: Për 10 cent nuk ia vlen me u marr me këtë punë

“Llogaritet deri në 65 ose 70 cent i bëhet fermerit deri sa ta qet në arkë për ta dërguar në pikën grumbulluese. Tash llogarite me shitë për 80 cent, për 10 cent është punë e mundimshme, donë përkushtim, për 10 cent nuk ia vlen të merremi me të...Unë jam i punësuar me katër anëtarët e familjes, jam punëtor sezonal mbi 15 që punojnë, mbajnë familjen nga kjo punë dhe shpresoj që do ta merr Ministria e Bujqësisë parasysh këtë punë”, theksoi Rrahmani.

Edhe fermeri tjetër, Rrahman Hoxha nga fshati Obranxhë e Podujevës, i cili ka të mbjella 40 ari me mjedër, shprehet i zhgënjyer me çmimin e caktuar për këtë vit, duke thënë se nëse nuk ndërhyn Qeveria, më shumë se gjysma e fermerëve do ta ndërpresin kultivimin e kësaj kulture.

Hoxha: Nëse nuk ndërhyn Qeveria shumë fermerë do ta ndërpresin kultivimin e mjedrës    

“Për çmim aktual që është, është për keqardhje. Sipas të gjitha gjasave nëse vazhdohet me këtë trend do ta shkëpusin një zinxhir të kësaj kulture që është krijuar në Llap sepse nuk mund ta përballojnë me këtë çmim. Nuk varet as nga pikat grumbulluese, por nuk varet as nga ne si fermerë...Nëse Qeveria nuk ndërmerr ndonjë hap konkret lidhur me subvencionime, sipas të gjitha gjasave së paku 70 për qind do ta ndërpresin këtë aktivitet”, u shpreh Hoxha.

Ankesa për çmimin, kanë edhe pikat grumbulluese, sipas të cilave, ky çmim po i demotivon fermerët që po merren me kultivimin e mjedrës.

Drejtori i përgjithshëm i kompanisë “Laberion” që bënë grumbullimin e mjedrës, Bashkim Osmani, thotë se cilësia e mjedrës këtë vit është shumë më e mirë se sa viteve tjera, porse çmimi është tejet i ulët.

Osmani: Cilësia e mjedrës është shumë e mirë, fatkeqësia është çmimi i ulët

“Cilësia përveç kushteve klimatike është mjaftë e theksuar, dallon prej vitit të kaluar shumë, është një cilësi e paparë. Fatkeqësia është që çmimi është mjaftë i varfër, është jo i arsyeshëm për fermerët. Në këtë rast jo vetëm për fermerët por edhe për neve si qendër grumbulluese sepse për neve shpenzimet fikse të energjisë elektrike, punëtorët e gjitha shpenzimet tjera fikse janë ato që janë, çmimi është i dobët. Në këtë rast çmimin që ne pranojmë me atë të dobët edhe i shesim me tutje. Ne kemi bërë ankesat tona në institucionet tona relevante, por shpresojmë më shumë se kurrë kësaj here duhet t’iu dilet në ndihmë këtyre fermerëve, sepse kjo është kulturë strategjike”, theksoi Osmani. 

Osmani tregon se kompania e tij, paguan fermerët çdo javë për mjedrën që e dërgojnë në kompaninë e tij. Ai thotë se gjatë sezonit angazhon mbi 70 punëtorë.

Drejtori i Drejtorisë për Bujqësi në Komunën e Podujevës, Vezir Januzi, tregon për vështirësitë që janë duke u ballafaquar fermerët e këtij qyteti që kultivojnë kulturën e mjedrës, si pasojë e çmimit të ulët të shitjes. Ai thotë se Komuna e Podujevës ka një sipërfaqe prej 1 mijë hektar me kulturën e mjedrës.

Ish ministri i Bujqësisë, i cili e njeh mirë këtë problem, ka kërkuar nga institucionet qendrore që t’iu dalin në ndihmë këtyre fermerëve që ta kalojnë këtë gjendje alarmante të këtij viti. Sepse, ata si drejtori janë munduar të bëjnë të pamundurën që t’iu dalin në ndihmë këtyre fermerëve, por që nuk kanë mundësi buxhetore.

Januzi: Kërkojmë ndërhyrjen urgjente te Qeverisë

“Me këto rendimente të larta që ka ky vit pas shirave vërshimeve të mëdha dhe erërave të fuqishme që na kanë përcjellë nga muaji janar deri sot, fermerët ia kanë dal t’i mbrojnë kulturat e veta dhe sot po ballafaqohen me një çmim jashtëzakonisht të ulët të tregut. Dhe ne jem të obliguar si Drejtori e Bujqësisë, të kërkojmë nga institucionet qendrore, këtë rast nga zyra e kryeministrit dhe Ministria e Bujqësisë që urgjentisht të marrin masa dhe të bëjnë ndonjë planifikim urgjent dhe të ndajnë ndonjë buxhet ose mjete financiare që fermerëve që merren me kultivimin e mjedrës t’u ndihmohet për prodhim për kilogram me nga 20 deri në 30 cent që ta kalojnë këtë situatë alarmante dhe e quaj emergjente”, tha Januzi.

Januzi thekson vitin tjetër kanë informacione që çmimi do të jetë më i mirë, prandaj kërkohet që këtë vit të ndërhyj Qeveria për ta përballuar këtë krizë.

Me një buxhet prej 3 milionë euro, Januzi beson që do t’ia dilnin që këtë kulturë ta mbrojnë këtë vit dhe fermerët mos të zhgënjehen dhe vitin tjetër ta vazhdojnë me të njëjtin trend dhe t’i rrisin sipërfaqet me kulturën e mjedrës. Por, nëse nuk gjendet ndonjë zgjidhje, atëherë sipas Januzit, shpresat e fermerëve për vitet e ardhshme do të shuhen.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo, ka premtuar përkrahje për kultivuesit e mjedrës. Këtë ai e ka bërë pas një takimi që ka pasur me përfaqësuesit e qendrave grumbulluese të mjedrës në Kosovë, si dhe kryetarin e Shoqatës së Kultivuesve të Mjedrës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat