ORCA: Avancohen Supermenët e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike

Kosova

ORCA: Avancohen Supermenët e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike

Më: 23 korrik 2018 Në ora: 11:51
ORCA

Sot në mbledhjen e Senatit të Universitetit të Prishtinës është vendosur pozitivisht për të gjithë kandidatët e propozuar nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike.

Sipas një kumtese nga ORCA, mesatarja e numrit të publikimeve për një kandidat të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike për një vit del 5.5, që është pesëfishi i publikimit të kolegëve të tyre në Norvegji të cilët në fushën e njëjtë ka 0.96 publikime shkencore në vit për profesor. ORCA ka vendosur që t’i ofrojë shansin publikut që të gjykojë lidhur me atë se a janë këta profesorë gjeni apo kanë ushtruar ndonjë veprimtari që është në shpërputhje me integritetin akademik.

Tutje sipas ORCA-s, tetë kandidatë janë avancuar në profesorë të rregullt, duke marrë kontratë të përhershme me Universitetin e Prishtinës. Nga tani e tutje, këta profesorë nuk i detyrohen më universitetit sa i përket avancimit të tyre akademik, shkencor dhe profesional. 

Këta profesorë janë:

-              Ahmet Shala (18 punime në një vit e gjysmë)

-              Azem Kycuku (12 punime në një vit e gjysmë)

-              Mirlind Bruci (10 punime në një vit)

-              Naser Lajqi (10 punime në një vit e gjysmë)

-              Nexhat Qehaja (9 punime në një vit e gjysmë)

-              Rame Likaj (19 punime në një vit e gjysmë)

-              Rexhep Selimaj (7 punime në një vit e gjysmë)

-              Xhevat Berisha (15 punime në një vit e gjysmë)

Shumica e punimeve të këtyre profesorëve janë në tre revista. Për këto tri revista ORCA ka zbuluar se: keqinformojnë për indeksimin e tyre, përmendin indeksim në databaza të shuara që një kohë të gjatë, nuk e tregojnë adresën e tyre, keqinformojnë për përdorimin e softuerit antiplagjiaturë – ndërkohë që është e lehtë të gjendet plagjiat nga Ëikipedia në publikimet e tyre. Për më tepër, njëra nga këto revista e ka botuesin të listuar si të dyshimtë dhe me shkelje serioze të Parimeve të Transparencës dhe Praktikave të Mira për Botues Shkencor.

“Megjithatë edhe rektori Marjan Dema edhe e ashtuquajtura trupë e tij “këshilldhënëse” i kanë rekomanduar këta profesorë për avancim. Madje rektori Marjan Dema në mbledhjen e sotme të Senatit ka folur për numrin rapid të publikimeve si dukuri e veçantë mirëpo ka thënë se ata i plotësojnë kriteret formale. Meqë është kështu, ORCA i bën thirrje UP-së dhe Ministrit të Arsimit që të mos shpenzojë para për Senatin, por që punët e tij t’ia lenë ORCA-s pasi vlerësime të tilla teknike mund të bëjë edhe ORCA”, thuhet në njoftimin për media të kësaj organizate. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat