Komuna e Podujevës ka vazhduar me programin e subvencionimeve në bujqësi duke shpërndarë nga pesë shoqëri bletësh për 100 bletarë llapjanë.
Shpërndarjen e shoqërive të bletëve në mënyrë solemne e ka bërë sot kryetari i Komunës së Podujevës Agim Veliu.
Ai me këtë rast tha se krahas mbështetjes së sektorëve tjerë në bujqësi, viteve të fundit Komuna e Podujevës ka vendosur në prioritetet e saj mbështetjen për bletarët llapjanë.
“Sot filluam të bëjmë shpërndarjen e 500 shoqërive të bletëve për 100 bletarë.
Krahas mbështetjes me shoqëri bletësh, jemi në përfundim të procedurave edhe për përkrahjen e 100 bletarëve të tjerë me pajisje të bletarisë”, tha Veliu.
Ai u premtoi bletarëve llapjanë se përveç mbështetjes në rritjen e shoqërive të bletëve dhe pajisjeve për punë, Drejtoria e Bujqësisë do të angazhohet edhe në programe për promovimin e brendit “Mjalti i Llapit”, duke organizuar panaire të ndryshme dhe programe të tjera të promovimit.
Ndryshe, sot janë shpërndarë bletët për 20 përfitues, ndërsa gjatë ditëve të ardhshme do të shpërndahen edhe për përfituesit e tjerë.