Tri komuna pajtohen për bashkëpunim për strehimin e viktimave të dhunës në familje

Kosova

Tri komuna pajtohen për bashkëpunim për strehimin e viktimave të dhunës në familje

Më: 9 gusht 2018 Në ora: 19:05
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ai i Skenderajt Bekim Jashari dhe kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ai i Skenderajt Bekim Jashari dhe kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, kanë nënshkruar sot në Mitrovicë një memorandum bashkëpunimi për mbështetjen e Qendrës rajonale për strehimin dhe mbrojtjen e viktimave nga dhuna në familje, me seli në Mitrovicë.

Me memorandumin e nënshkruar të tre kryetarët obligohen që të sigurojnë kushte normale për punë për këtë qendër, me qëllim të rehabilitimit sa më të shpejtë e profesionale të viktimave të dhunë në familje.

Sipas njoftimit për media të komunës së Mitrovicës, kryetarët Bahtiri, Jashari e Tahiri, thanë me këtë rast se është i domosdoshëm angazhimi i të gjithë institucioneve lokale dhe në nivel vendi që të bëjnë përpjekje më të mëdha për krijimin e kushteve dhe mekanizmave për mbrojtjen e grave, të fëmijëve dhe të viktimave të dhunës në familje.

“Ata u zotuan se në komunat e tyre të gjitha institucionet lokale do t’i kryejnë punët dhe obligimet e tyre ligjore ashtu si duhet dhe me efikasitet në mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje, por edhe do t’i mbrojnë me konsekuencë të drejtat e fëmijëve, grave dhe të të gjitha kategorive tjera shoqërore”, thuhet në njoftimin për media.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat