Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, së bashku me një pjesë të kabinetit qeveritar, ka vizituar Suharekën për të parë më për së afërmi gjendjen e shkaktuar nga vërshimet e fundit në këtë komunë.
Pas takimit me kryetarin e Suharekës, Bali Muharremaj, kryeministri Haradinaj tha se Qeveria do të ndajë një fond emergjent në mbledhjen e qeverisë që do të mbahet pasnesër.
Ai ka njoftuar që pas fondit emergjent, do të ndajnë edhe fonde të tjera.
Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj ka thënë se gjendja është e rëndë, por sipas tij, janë duke i ndihmuar. Ai ka treguar se kanë ndarë 43.0000 mijë euro.
I pyetur nga gazetarët se a do të ketë korrigjim të kufijve, kryeministri Haradinaj me shaka ka thënë se njëherë po mundohen t'i korrigjojnë lumenjtë, duke iu referuar rastit në fjalë.
Pas konferencës për media, kryeministër dhe ministrat e tjerë, bashkë me kryetarin e Suharekës janë nisur për t'i parë nga afër disa nga fshatrat e Suharekës që janë prekur nga vërshimet.
Ata kanë njoftuar që do të vizitojnë fshatrat Sopi, Grejkoc dhe Nëpërbisht.