Vetëvendosje uron besimtarët myslimanë

Kosova

Vetëvendosje uron besimtarët myslimanë

Më: 20 gusht 2018 Në ora: 21:18
Lëvizja Vetëvendosje

Lëvizja Vetëvendosje ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e Festës së Kurban Bajramit, duke vlerësuar se “Kurban Bajrami si festë sublimon përpjekjen dhe sakrificën vetmohuese për ideale të larta të përbashkëta e në shërbim të komunitetit, kombit e njerëzimit”.

Urimi i Vetëvendosjes:

Gëzuar festën e Kurban Bajramit

Lëvizja Vetëvendosje uron gjithë besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit.

Kurban Bajrami si festë sublimon përpjekjen dhe sakrificën vetmohuese për ideale të larta të përbashkëta e në shërbim të komunitetit, kombit e njerëzimit. Me vlera në themel si solidariteti e dashuria, na thërret për një botë e një shoqëri ideale, e cila në themel do të ketë barazinë, drejtësinë, dinjitetin e mirëqenien për të gjithë.

Shoqërinë e përbëjmë të gjithë dhe ajo mbahet nga secili, sikundër që të përmbushur jemi vetëm atëherë kur të gjithë ndjehen të lirë, të mirëqenë e të barabartë. Sot simbolikisht, por me mesazh të përhershëm dhe kudo, Kurban Bajrami trason rrugën e ndihmës për nevojtarët, dashuri në vend të urrejtjes, përparim në vend të varfërisë, barazi në vend të diskriminimit, drejtësi aty ku ka padrejtësi, e liri aty ku ka shtypje.

Drejtësia dhe barazia ndërmjet njerzëve gjithnjë kanë qenë një histori e pareshtur përpjekjesh e sakrificash për një shoqëri të vendosur mbi vlerat si solidariteti, drejtësia, dashuria e mirëkuptimi. Prandaj, të bashkuar në angazhim, pranë njëri-tjetrit e përkrah nevojtarëve, me përkushtim dhe me bindje të palëkundura në ideale, shoqëria dhe vendi do ta ketë më të lehtë përballjen me vështirësitë në rrugën e përparimit.

Urojmë për shëndet, mbarësi e çdo të mirë për secilin! Gëzuar!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat