Publikohet hulumtimi për dhunën ndaj gazetarëve dhe tregimet e tyre nga redaksitë ku punojnë

Kosova

Publikohet hulumtimi për dhunën ndaj gazetarëve dhe tregimet e tyre nga redaksitë ku punojnë

Më: 24 gusht 2018 Në ora: 15:52
Ky konstatim ka dalë nga hulumtimi i realizuar me gazetarë të pesë vendeve të rajonit, Kosovës, Serbisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës.

Gazetarët e vendeve të rajonit ballafaqohen me presione dhe shkelje të të drejtave të tyre edhe brenda redaksive ku punojnë. Frika për të folur për vështirësitë në punën e tyre nuk mungon.

Ky konstatim ka dalë nga hulumtimi i realizuar me gazetarë të pesë vendeve të rajonit, Kosovës, Serbisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës.

A kanë liri te duhur gazetarët që të merren me punën e tyre në redaksitë në të cilat punojnë?, ka qenë pyetja në fokus e  hulumtimit disamujor me titull, “Dhuna e Fshehur: Tregime nga Redaksia”, ku janë mbledhur dëshmitë e gazetarëve për presionet me të cilat ballafaqohen në punën e tyre të përditshme në redaksi.

Una Hajdari gjatë lansimit të hulumtimit, nga Kosova, tha se shpesh për të ardhur deri të momenti të publikohet një shkrim, gazetari duhet të luftoj brenda redaksisë për të dal tema ashtu siç duhet.

Ajo përmendi deri të disa përfundime në të cilat kanë ardhur pas realizimit të këtyre intervistave me gazetarë për punën e tyre brenda në redaksi.

Hajdari: Gazetarët rrallë punojnë me kontrata ku i kanë të definuara të drejtat e tyre

“Gjetjet e mia në Kosovë të cilat kanë qenë e për neve janë krejt të njohura, është se shumë rrallë gazetarët, pos në Televizionin Publik dhe në radio, punojnë me kontrata ku i kanë të definuara të drejtat e tyre. Gazetari kur hyn në punë në Kosovë ai nuk pret që mund të negocioj me punëdhënësin apo prej punëdhënësit të kërkoj mbrojtjen e të drejtave të tij apo kushteve brenda të cilave ai hyn në marrëdhënie pune. Gazetarët vetën e dallojnë këtu prej të punësuarve tjerë, dikush që hyn të punoj në bankë, në institucion apo ndoshta edhe ndonjë kompani private, i kërkon qartë të drejtat e punës së tij, derisa gazetarët shumë rrallë e kanë këtë mundësi”, tha Hajdari.

Sipas saj, në Kosovë, nuk ka asnjë iniciativë për organizimit sindikal ku në mënyrë kolektive organizohen për mbrojtjen e të drejtave të tyre.

Zarka Radoja gazetare në Serbi, ka paraqitur të gjeturat në hulumtimin që ka kryer atje,

Radoja: Përshtypja kryesore është se gazetarët janë të frikësuar

“Ne kemi biseduar me rreth njëqind gazetarë në të gjitha shtetet [e rajonit] dhe përshtypja kryesore është se gazetarët janë të frikësuar të flasin për vështirësitë në të cilat punojnë. Kjo është arsyeja pse shumica e dëshmive tona janë anonime. Dhe për ne, ky është përfundimi më shqetësues. Pra, kur flasim për Serbinë, edhe pse situata në Serbi, Bosnje, Maqedoni, Kosovë dhe Mal të Zi është shumë e ngjashme, kolegët tanë janë të diskriminuar, kanë probleme me censurën dhe presionin e hapur, që në fund çon në vetëcensurim, i cili është shqetësimi më i madh”, theksoi Radoja.

Sa i përket situatës së mediave në Serbi në përgjithësi, Radoja tha se shumë organizata ndërkombëtare tashmë kanë një përfundim në lidhje me lirinë e medias dhe situatën e medias në Serbi, ku RSF (Reporters Without Borders) tashmë e ka ranguar Serbinë për 10 vende më poshtë për vitin e kaluar lidhur me lirinë e medias në Serbi,

Gazetarja Biljana Sekulovska-Iva nga Maqedonia, thotë se frika ka qenë rezultati më i habitshëm i tyre në këtë hulumtim.

Sekulovska-Iva: Rezultati më i habitshëm i hulumtimit tonë është frika

“Pra, rezultati më i habitshëm i hulumtimit tonë është frika. Gazetarët kanë frikë nga gjithçka, por kryesisht nga redaktorët e tyre. Ata kanë frikë se redaktorët e tyre do t'i poshtërojnë, do t'i degradojnë ose do t'i torturojnë. Ata tashmë kanë paga të mjerueshme, por ata ende kanë frikë se do të pushohen nga puna, se nuk mund të gjejnë një punë tjetër dhe se do të përfundojnë në rrugë, se do të futen në listën e zezë nga gazetarë të tjerë dhe nga media të tjera”, ka thënë Sekulovska-Iva.

Ajo thotë se redaktorët kanë frikë nga pronarët e tyre pasi që mund të pushohen nga puna e tyre si gazetarë dhe mund të humbasin rehatinë e tyre, përfitimet e tyre, gjendjen e tyre financiare, por edhe pushtetin.

Ndërsa, pronarët, sipas saj, gjithmonë kanë frikë nga partia në pushtet, politikanët, qeveria, kryeministri, sepse ata mund të vihen nën ndonjë hetim për krimin, korrupsionin e tjerë.

Projekti “Dhuna e Fshehur: Tregime nga Redaksia” është mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe është pjesë e programit “Mbrojtja e lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes”, zbatuar nga Shoqata e Gazetarëve të Kroacisë si pjesë e projektit “Platforma rajonale për avokim të lirisë së medias dhe sigurisë së gazetarëve në Ballkanin Perëndimor”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat