316 tonë mbeturina janë mbeldhur gjatë aksionit "Ta pastrojmë Kosovën"

Kosova

316 tonë mbeturina janë mbeldhur gjatë aksionit "Ta pastrojmë Kosovën"

Më: 17 shtator 2018 Në ora: 12:12
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka mbajtur një konferencë për media,

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka mbajtur një konferencë për media, lidhur me aksionin "Ta pastrojmë Kosovën" që nisi më 15 shtator, ku u tha se janë mbledhur 46 mijë thasë me rreth 316 tonë mbeturina.

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hamësinor, Fatmir Matoshi tha se ky aksion është përkrahur në masë të madhe nga qytetarët. Ai njoftoi se kanë marrë pjesë mbi 100 mijë persona, janë mbledhur 46 mijë thasë me rreth 316 tonë mbeturina.

Matoshi njoftoi se po planifikojnë ta ndajnë aksionin në shtatë rajone të Kosovës, nga 10 ditë për secilin rajon, ku do të merren me mbeturinat inerte.

Sipas tij, kjo gjendje është papërgjegjshmëri qytetare dhe institucionale. Ai tha se aksioni ka për qëllim pastrimin e ambientit dhe vetëdijesimin e shoqërisë.

Matoshi njoftoi se Komunës së Prishtinës i kanë ndarë 50 mijë euro për krijimin e një deponie për mbeturinat inerte.

Kurse, Xhafer Gashi në emër të Asociacionit të Komunave, tha se ky aksion do të vazhdojë, dhe u zotua se do ta përcjellin ecurinë e aksionit.

Luan Hasanaj nga "Lets do it Kosova" tha se shumë ka rëndësi mobilizimi që u bë atë ditë, duke arritur numrin në mbi 100 mijë vullnetarë. Ai tha se nga nesër aksionet do të vazhdojnë në bashkëpunim me komunat, dhe se krahas deponive të mëdha, njoftoi se do të pastrohen edhe brezet rrugore.

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, njoftoi se kjo ministri iu është bashkangjitur aksionit me 300 punëtorë në terren, në 20 lokacione. Ai tha se aksioni po vazhdon me kompanitë që i ka të kontraktuara kjo ministri.

Ndërkaq, zëvendësministri i Arsimit, Arbër Geci, tha se MAShT ka marrë vendim që mësimdhënësit dhe nxënësit të angazhohen për pastrimin e shkollave gjatë këtij aksioni.

Ai tregoi se kanë kërkuar nga mësimdhënësit që të ngrisin vetëdijen e nxënësve për rëndësinë e ambientit duke zhvilluar tema të tilla.

Kurse, zëvendësministrja e MMPH-së, Milena Zdravkovic, tha se në këtë aksion kanë marrë pjesë edhe komunat serbe dhe se aksioni është zhvilluar me sukses. Ajo tha se pritet më shumë angazhim në aksionet e ardhshme.

Aksioni "Ta pastrojmë Kosovën" do të zgjasë deri më 15 dhjetor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat