Basri Sejdiu tregon arsyen e suspendimit të mjekëve

Kosova

Basri Sejdiu tregon arsyen e suspendimit të mjekëve

Më: 19 shtator 2018 Në ora: 14:42
QKUK

Suspendimet e fundit në QKUK nuk kanë ndodhur për qëllime politike apo personale, por për shkak të mungesës së individëve në vendin e punës.

Kjo është bërë e ditur sot nga drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Basri Sejdiu, i cili ka sqaruar se asnjë masë nuk merret për të dëmtuar ndonjë individ të caktuar. Sipas tij, krejt kjo është bërë që pacientit t’i ofrohet kujdes dhe siguri kur ai ka nevojë për ndihmën e mjekut.

Në një konferencë për media, Sejdiu duke u thirrur në reformimin e QKUK-së, tha se askush nuk do të jetë i privilegjuar, ndërkohë që shtoi se nuk do të ketë tolerancë për individë të caktuar.

Sejdiu: Mjekët u suspenduan sepse munguan në punë, jo për motive politike

“Asnjë masë nuk merret që të dëmtojë individin. Po institucioni gjithmonë merr masa në të mirë të organizimit sa më të mirë të atij institucioni dhe krijimit të sigurisë... Nëse merren masa ndaj dikujt nuk do të thotë që janë individuale ose politike. As të qëllimshme dhe as tendencioze... Kam parë nëpër media që janë komentuar individët që janë suspenduar, më e keqja është se në ato radhë ka pasur një pjesë që e mbrojnë individin, i cili është suspenduar.  Kam parë se dikush i ka mbrojtur ata që janë suspenduar. Rastet e fundit të suspendimit kanë ndodhur për shkak të mungesave  në vendin e punës gjatë kujdestarive”, tha ai.

Sejdiu tha se duhet bërë dallimi i orarit të rregullt me atë të kujdestarisë, pasi që mungesa e mjekut në kujdestari ka peshë shumë më të madhe. Ndërkohë, ai pati përgjigje edhe sa i përket zërave që janë suspenduar mjekët e mirë, me qëllim që të favorizohen të tjerë.

Sejdiu: E pa tolerueshme mungesa gjatë kujdestarisë, qoftë edhe një minutë

“Profesionalizmi normal që është i mirëseardhur. Nuk varem prej individëve asnjëherë. Nëse një institucion varet prej një individi atëherë nuk do të jetë ai institucion. Dhe nëse dikush e arsyeton mungesën në punë në kohë të kujdestarisë, atëherë nuk do shumë koment. Në atë moment kur pacienti ka nevojë, të mos jetë mjeku afër, dihen pasojat. Krejt kjo bëhet që të krijohet një kulturë e punës dhe secili mjek/infermier është e pa tolerueshme që të ketë vonesa qoftë edhe 1 minutë... Vetëm një të shtunë një mjek merr diku 170 euro për kujdestari”, tha Sejdiu. 

Ai ka mohuar se po e luan rolin e inspektorit, duke thënë se janë komisionet ato që kanë bërë inspektimet. Sipas tij, asnjë suspendim nuk ka ndodhur pa fakte.

Sejdiu: Nuk e kam luajtur rolin e inspektorit

"Nuk është luajtur roli inspektorit. Inspektimet që ndodhin ad-hoc gjithmonë janë me anëtarë të tjerë, por nuk e mohon të drejtën që drejtori të mos jetë i akomodim në zyrë dhe të mos dalë në teren”, u shpreh ai. 

Edhe Alban Janova, kryetar i komisionit disiplinor, bëri të ditur se kryetari i ShSKUK-së ka të drejtë të inspektojë, pasi që është në kompetencën e tij.  Ai ka sqaruar se pse është përjashtuar e nuk është suspenduar si kolegët e tjerë, doktori Sami Salihu.

Janova: Shërbimet e tij nuk i kemi pasur qe dy vjet që i bie se ia kemi ndalë veç pagën

“Sami Salihu ka pasur një aksident në vitin 2016, 1 vit nuk iu ka ndaluar paga dhe ka qëndruar në pushim jashtë çdo rregulli për shkak të anës njerëzore. Më 2 maj 2017 është deklaruar se tani e tutje do të vijë në punë. Prej se kanë hyrë kartelat në përdorim, për katër muaj ka qenë vetëm 4 herë nga 7 orë në ditë. Ne nuk kemi të drejtë ta mbajmë dikë në punë, kur ai shërbimet i ofron në spitalin ‘Sirona’, këtë e ka publiku vetë spitali. Ky publikim është bërë më 28 qershor, ‘nga Spitali Sirona dr. Sami Salihu ofron konsulta çdo të martë dhe të enjte në ora 10’, ndërsa ka pasur kontratë me QKUK deri në ora 15. Tash nuk di se si me e arsyetuar kur vetë e ka publiku këtë që pacientët me e gjet atje. Shërbimet e tij nuk i kemi qe dy vjet, vetëm ia kemi ndalë pagën që ka marrë”, theksoi ai. 

Krejt në fund, drejtori i ShSKUK-së bëri të ditur se Spitali i kardiokirurgjisë për fëmijë, në më pak se 18 muaj do të jetë i përdorshëm për operim të fëmijëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat