Paralajmërohet aksion për gjobitjen e ndotësve të mjedisit

Kosova

Paralajmërohet aksion për gjobitjen e ndotësve të mjedisit

Më: 19 shtator 2018 Në ora: 19:30
Ilustrim

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka konfirmuar se së shpejti do të nisë gjobitja për ndotësit e mjedisit.

Ai më tutje ka shtuar se 10 vjet pas luftës vendi ka pasur probleme të ndryshme, dëme e shkatërrime të mëdha në infrastrukturë e të tjerë. Sipas tij për këtë arsye ambienti ka mbetur anash, ndërsa shton se, “tani mjedisi po bëhet prioritet dhe ka ardhur momenti të ndahemi nga mbeturinat”.

Matoshi ka thënë se ka pasur një përgjigje pozitive nga qytetarët për të pastruar Kosovën.

“Kemi krijuar një Taskë Forcë, që ka një mobilizim shumë të madh, e vullnet shumë i madh i qytetarëve. Ka pasur një përgjigje shumë pozitive të njerëzve për këtë çështje, të komunave e të tjerëve. Edhe sot nëse dalim në rrugë shohim thasë të mbeturinave, por aksioni është duke vazhduar. Diku grumbullojnë qytetarët, e diku kompanitë e ndryshme. Ky është aksioni më i madh që ka ndodhur ndonjëherë në Kosovë”, ka thënë Matoshi.

Ai ka konfirmuar se maksimumi në tri javët e ardhshme do të nisë gjobitja për ndotësit e mjedisit.

“Ka pas edhe ligje e rregullore, por ndoshta nuk kanë qenë zbatim të mjaftueshëm në teren. Së shpejti do të jetë një udhëzim për gjobat që do të shqiptohen për hedhjen e mbeturinave. Brenda një jave do të nënshkruhet ligji, jemi duke bërë një plan për promovimin e këtij ligji. E pas kësaj ai do të jetë fuqi dhe do të fillojë të zbatohet. Kemi mekanizma me të cilët do ta vëmë në funksion të plotë. Maksimumi është tri javë nga dita e sotme, kur do të fillojë gjobitja”, ka thënë ai.

Më tutje ai ka shtuar se brenda policisë do të krijohet njësiti i policisë mjedisore, nuk mund të themi saktë sot numrin e tyre, por ekziston një vullnet i plotë që brenda këtij viti të kemi policinë mjedisore.

“Në afërsi të Drenasit është duke u bërë një impiant për mbetjet shtazore, që do të jetë më i madhi në rajon. Përdorimi i thëngjillit është i ndaluar në të gjitha institucionet publike e private. Nuk e di se ku do ta blejnë thëngjillin ekonomitë familjare. Janë shitës ilegal ata që shesin thëngjill. Kemi informacion se ai vjen i papërpunuar, dhe është shumë herë më i dëmshëm se thëngjilli i terur”, ka deklaruar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat