Xhevë dhe Fehmi Lladrovci, emblema e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Kosova

Xhevë dhe Fehmi Lladrovci, emblema e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Më: 20 shtator 2018 Në ora: 11:32
Shtatorja u përurua në 20 vjetorin e rënies së tyre.

(E plotësuar) - Fryma, angazhimi dhe mesazhet unifikuese dhe mobilizuese të Xhevës dhe Fehmiut për Ushtrinë Çlirimtare është e pa krahasueshme. Rënia e tyre ishte mesazhi më i mirë i një luftë sublime se lufta do vazhdonte deri në çlirimin e vendit.

Kështu u tha në 20-vjetorin e rënies, sot në Drenas me ç’rast janë përuruar shtatoret e heroit Fehmi Lladrovci dhe heroinës, Xhevë Krasniqi-Lladrovci, në të cilën morën pjesë krerët më të lartë të shtetit të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë dhe qytetarë të shumtë.     

Presidenti Hashim Thaçi u shpreh sot është një ditë e veçantë për Kosovën dhe kombin shqiptar.

“Xhevë dhe Fehmi Lladrovci  ishin dhe do të mbeten në përjetësi si emblema e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Fryma, angazhimi dhe mesazhet unifikuese dhe mobilizuese të Xhevës dhe Fehmiut për Ushtrinë Çlirimtare është e pa krahasueshme. Rënia e tyre ishte mesazhi më i mirë i një luftë sublime se lufta do vazhdonte deri në çlirimin e vendit", tha ai.

Kreu i vendit ka folur edhe për gjendjen aktuale në vend duke thënë se institucionet e vendit duhet të punojnë për integrimin e Kosovës në NATO dhe BE. Ai ka ripërsëritur se nuk do të lejojë assesi ndarje të territorit të Kosovës, por do të përkrahë idenë për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën.

"Kontributi dhe lufta e Xhevës dhe Fehmiut nuk ishte vetëm për pavarësinë e lirinë e Kosovës. Kjo është e pamjaftueshme për ta. Ne duhet të integrohemi në NATO, BE, kështu që tani institucionet janë në rrugë të mbarë dhe në koordinim me SHBA që në muajt e ardhshëm të fillojmë themelimin e ushtrisë së Kosovës.  Kam përkrahur dhe mbështes fuqishëm kërkesën e institucioneve të Luginës së Preshevës për bashkimin me territorin e Kosovës. Në asnjë rrethanë nuk do lejojmë ndonjë ndarje të territorit të shtetit, assesi ndërtimin e ndonjë republika serbe", tha ai.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj u shpreh se populli i Kosovës është populli më rrugën më të gjatë të lirisë.

"Në Drenasin e lirë janë kthyer në përjetësi luftëtarët e kombit që kushdo që ka pas nderin përulen dhe respekt para kësaj vepre kaq të qëlluar", tha ai.

Ndërsa, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se heronjtë Fehmi e Xhevë Lladrovcin nuk kanë vdekur, por kanë mbetur të gjallë përjetësisht me kontributin e dhënë për lirinë që ne gëzojmë sot.

"Fehmiu dhe Xheva nuk kanë lënë fëmijë, por për fëmijët e Kosovës e kanë lënë një trashëgimi të çmuar që është liria, shteti ynë, dhe për të do të punojmë çdo ditë që askush të mos ta cenojë dhe t’i ofrojmë zhvillim dhe perspektivë për qytetarët", tha ai.

Presidenti Thaçi ka ndarë medaljen presidenciale për kontributin e dhënë për liri për babin e ndjerë të heroinës, Xhevë Krasniqi Lladrovci, Abdyl Krasniqi dhe për babin e Fehmi Lladrovcit, Muhametin.

Ndryshe, Fehmi Lladrovci dhe Xhevë Krasniqi-Lladrovci, kanë rënë heroikisht gjatë luftimeve me armikun serb, më 22 shtator të vitit 1998 në malet e Qyqavicës.

Përurohet shtatorja e Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit në Drenas

Shtatorja e heronjve të kombit, Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit është përuruar sot në sheshin që mban emrin e tyre në qytetit e Drenasit.

Zbulimin e shtatores së heronjve e bën pasardhësit e familjes Lladrovci dhe ish-drejtuesve të UÇK-së. Shtatorja u përurua në 20 vjetorin e rënies së tyre.

Për personalitetin e tyre foli Bedri Islami, përfaqësues i UÇK-së dhe vëllai i Fehmi Lladrovcit, Ramiz Lladrovci, kryetar i Drenasit.

Pjesëmarrës në ceremoninë e zbulimit të shtatores morën pjesë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ai i Shqipërisë, Ilir Meta, kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli, ish-presidentët e Shqipërisë dhe ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu si dhe personalitete dhe zyrtarë tjerë nga Kosova e Shqipëria.

Zbulimi i shtatoreve të Fehmi dhe Xhevë Lladrovci (Drejtpërdrejt)

Në 20 vjetorin e rënies, në Drenas po mbahet manifestimi kushtuar dëshmorëve të kombit Fehmi Lladrovci dhe heroinës Xhevë Krasniqi-Lladrovci.

Gjatë manifestimit përkujtimor, do të zbulohen shtatoret e dy heronjve të shkrira në bronz.  Manifestimi po mbahet në sheshin “Fehmi Lladrovci” në Drenas.

Në manifestim po marrin pjesë krerët e shtetit.

Fehmi Lladrovci dhe Xhevë Krasniqi-Lladrovci, të cilët ishin bashkëshortë, rënë heroikisht gjatë luftimeve me armikun më 22 shtator të vitit 1998 në malet e Qyqavicës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat