Gratë në Kosovë paguhen më shumë se burrat

Kosova

Gratë në Kosovë paguhen më shumë se burrat

Më: 20 shtator 2018 Në ora: 17:29
Foto ilustrim

Edhe pse gratë me vështirësi arrijnë të sigurojnë një vend pune në tregun e Kosovës, pavarësisht kualifikimeve arsimore dhe përvojës së punës, sipas të dhënave zyrtare, së fundmi thuhet se gratë paguhen më shumë për punën që bëjnë, krahasuar me meshkujt.

Në raportin e fundit të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), thuhet se “pagat neto të shumicës së punonjësve në Kosovë, në tremujorin e dytë të këtij viti, ishin nga 400 deri në 500 euro në muaj dhe janë vërejtur dallime gjinoreme 5.2 për qind më e lartë te femrat se sa te meshkujt”

Po sipas këtij raporti, vetëm 12 për qind e femrave punojnë.

Ato që gëzojnë një vend pune, punojnë kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë, shëndetësisë si dhe në administratën publike.

Në mesin e grave që punojnë është edhe Behija, e cila qe shtatë vjet punon në administratën publike. Ajo thotë se paguhet me rreth 400 euro, por në sektorin ku punon, sipas saj, ka raste që burrat paguhen më shumë, pavarësisht arsimimit.

“Unë punoj në institucionet publike, paga nuk është e mirë krahasuar me standardin jetësor. Por, unë mendoj se pavarësisht kualifikimit, burrat ngrihen në pozita më të mira dhe normal paguhen më shumë”, thotë Behija.

Por, Florije Gashi është me profesion juriste dhe është e papunësuar. Ajo tregon se ka aplikuar në shumë konkurse të shpallura nga institucionet publike, por që nuk ka arritur të sigurojë një vend pune.

“Unë kam konkurruar pothuajse në të gjitha konkurset që kam parë , por nuk kam pasur sukses. Paraprakisht,për të siguruar një vend pune duhet të kesh të njohur në institucionin përkatës. Unë kam nevojë për punë në mënyrë që të kontribuoj në buxhetin e familjes, për shkak se me një pagë në familje, nuk mund t’i plotësojmë kërkesat e nevojshme”, thotë Gashi.

Në anën tjetër, përfaqësuese të organizatave joqeveritare që merren me të drejtat e grave, nuk konsiderojnë se gratë paguhen më shumë në Kosovë se sa burrat.

Luljeta Demolli, nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore, thotë për Radion Evropa e Lirë, se në tregun e Kosovës, konkretisht në sektorin privat, ka numër të madh të të punësuarve në mënyrë joligjore, e që në të shumtën e rasteve janë të gjinisë mashkullore.

Ajo, madje, thotë se edhe shkalla e lartë e papunësisë te femrat nuk mundëson që gratë të kenë nivel më të lartë të pagave se sa burrat.

“Në sektorin publik nuk ka dallime në paga. Kurse, gratë që janë të punësuara në sektorin privat, janë kryesisht si shitëse në dyqane të ndryshme. Edhe këtu pothuajse është një rrogë fikse, por që burrat më shumë punojnë në sektorin e ndërtimtarisë, pa kontrata pune dhe nuk e dimë numrin e tyre”, sqaron Demolli.

Kurse, hulumtues në Institutin “Riinvest” nuk japin ndonjë vlerësim lidhur me raportin e ASK-së, por duke marrë parasysh situatën në tregun e punësimit dhe shkallën e lartë të papunësisë te femrat, dyshojnë se gratë mund të paguhen më shumë.

Dita Dobranja, hulumtuese e avancuar në këtë Institut, thotë për Radion Evropa e Lirë, se gratë që janë të inkuadruara në tregun e punës dhe kanë nivel të shkollimit terciar, paguhen më shumë në krahasim me gratë tjera, por jo me burrat që kanë të njëjtin nivel të shkollimit.

“Prej grave që janë të kyçura në tregun e punës, janë të punësuara, një pjesë shumë e mirë prej tyre kanë shkollim terciar dhe mund të kenë paga më të larta, por kjo nuk do të thotë se kanë paga më të larta se burrat që kanë shkollim terciar. Krahasimi për rroga duhet të bëhet për punë të njëjta ose të ngjashme të barasvlershme”, thotë Dobranja.

Instituti “Rinvest” vitin e kaluar ka publikuar një raport “Gratë në tregun e punës”, ku thuhet se “nga përqindja e përgjithshme e grave të punësuara, 54 për qind prej tyre janë të punësuara në sektorin privat dhe 41 për qind në sektorin publik”.

Në këtë raport thuhet, se gratë e punësuara në sektorin publik, në 78 për qind të rasteve besojnë se ato paguhen njëjtë si burrat për punën e njëjtë dhe 8 për qind nuk besojnë se paguhen njëjtë.

Por, në sektorin privat vetëm 51 për qind e grave besojnë se ato paguhen njëjtë si burrat në pozitën e njëjtë, kurse 19 për qind janë të sigurta që burrat paguhen më shumë për punën e njëjtë./rel

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat