Suhareka edhe me një shkollë të re nga shtatori i vitit i ardhshëm

Kosova

Suhareka edhe me një shkollë të re nga shtatori i vitit i ardhshëm

Më: 21 shtator 2018 Në ora: 10:52
Suhareka edhe me një shkollë të re

Në shtator të vitit të ardhshëm pritet që nxënësit e fshatit Tërrnje të Suharekës të ndjekin mësimet në shkollën fillore “Vaso Pashë Shkodrani”, gurthemelin e së cilës e vunë sot kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj dhe Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi.

Muharremaj tha se ky fshat ka dhënë shumë kontribut për arsimin e para luftës, andaj edhe e meritojnë këtë investim.

Muharremaj: Ka ardhë një epokë e re për mësim cilësor

“Kjo shkollë do të jetë për nxënësit e fshatit Tërrnje, do të jetë për arsimtarë dhe mësuesit e këtij vendi që e dhanë një kontribut me dekada, 10 vite para luftës e majtën arsimin gjallë, e meritoni më shumë edhe nxënësit, edhe mësuesit, edhe mësueset, keni sakrifikuar shumë për këtë ditë  që sot ne pe gëzojmë duke ju falënderuar dëshmorëve dhe martirëve të Therandës, Tërrnjës, Kosovës dhe të kombit. Ka ardhë një epokë e re, ka ardhë epoka për zhvillim ekonomik, ka ardhë një epokë e re, për mësim cilësor, po ka ardhë epoka e re nxënësit të kenë cilësi më të mirë në arsim, këtë duhet të punojnë mësimdhënësit më shumë. Dëgjoni, mos harroni, mbane në mend është 21 shtatori, me 21 gusht kjo shkollë ka me u lëshu, vitin e ardhshëm”, tha Muharremaj.

Ai kërkoi nga Qeveria që mos të ndodh sikur në të kaluarën me vonesa në realizimin e projekteve, duke përmendur një rast në Leshan ku puna ka filluar qe dy vjet, por edhe më tutje s’iu ka vendos kulmi shkollës. 

Muharremaj tha se shkolla “Vaso Pashë Shkodrani”, do të fillojë procesin mësimor më 1 shtator 2019, pavarësisht nëse marrin ndihmë nga institucionet qendrore apo jo.

Kurse, ministri Bytyqi u shpreh se çdo herë që kanë takime të tilla ku flasin për arsimin është kënaqësi, mirëpo raste të tilla ai tregoi se janë kënaqësi e veçantë për të.

Bytyqi: Kot flasim për zhvillim ekonomik, nëse nuk kemi arsim cilësor

“Kënaqësia më e madhe është kur jemi si sot, kësi lloj takimi, kur flasim për ndërtimin e një shkolle, pra ndërtimin e një shkolle të re. Që po shfrytëzoj rastin që së pari të gjithë nxënësve, mësimdhënësve, banorëve  të kësaj ane tu uroj fillimin e punimeve në këtë shkollë, unë e përgëzoj kryetarin për angazhimin që po e bënë për ndërtimin e shkollës dhe në punën rreth ngritjes së kapaciteteve për një  arsim më cilësor, gjitha premtimet që kryetari i ka pasur gjatë fushatës, që po i realizon, unë ju duartrokas, por veçanërisht dua të duartrokas kur flasim për mbajtjen e fjalës për shkolla, sepse konsideroj që nëse ne flasim për zhvillim ekonomik, për një zhvillim të përgjithshëm të vendit tonë, është kot të flasim nëse ne së pari nuk kemi një arsim cilësor i cili është e vetmja mënyrë që mund ta zhvillojë vendin dhe të kemi një vend çfarë të gjithë po e ëndërrojnë, një v end të zhvilluar dhe të qëndrueshëm”, u shpreh Bytyqi me këtë rast.

Ai tutje ka shtuar se në kuadër të Ministrisë do të ofrojnë përkrahje edhe për këtë shkollë, duke përsëritur që pritet që ky institucion arsimor në Tërrnje të fillojë punën në vitin e ardhshëm akademik.

Në emër të fshatit Tërrnje fjalën e mori Enver Shabani, i cili tregoi rëndësinë e kësaj shkolle për banorët.

Shabani: Sot është një ditë e veçantë për të gjithë banorët e fshatit Tërrnje

“Sot për nxënësit, mësimdhënësit e shkollës ‘Vaso Pashë Shkodrani’ dhe gjithë banorët e fshatit Tërrnje është një ditë e veçantë, pasi që sot po vendoset gurë themeli i shkollës së re, që për shumë vite e kërkuan dhe e pritën,  më në fund kërkesa e tyre u bë realitet. Premtimi i dhënë nga kryetarit i komunës Bali Muharremaj sot është bërë realitet”, tha Shabani. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat