Kosova me probleme ligjore për respektimin e të drejtave gjuhësore

Kosova

Kosova me probleme ligjore për respektimin e të drejtave gjuhësore

Më: 24 shtator 2018 Në ora: 13:53
Pamje nga tryeza

“Legjislacioni dygjuhësor në Kosovë" dhe "Respektimi i të drejtave gjuhësore në Policinë e Kosovës”, janë dy raportet e publikuara nga misioni i OSBE-së për respektimin e të drejtave gjuhësore në Kosovë, me rastin e Ditës Evropiane të Gjuhëve.

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Jan Braathu, ka thënë se Kosova është një shoqëri shumë komunitare, duke marrë shembuj te shteteve evropiane që kanë më shumë se një gjuhë zyrtare. Sipas tij, kjo dukuri është realitet evropian.

Në kuadër të kësaj dite kanë nisur aktivitetet nën moton "Gjuha juaj e drejtë e juaj".

Braathu: Multikulturalizmi është vlerë

“Njerëzit e vendeve të ndryshme qëndrojnë krah njërit tjetrit të bashkuar dhe mësojnë gjuhët e njëri-tjetrit. Ky multikulturalizëm është një vlerë që e pasuron shoqërinë. Dhe kjo, nuk është specifike vetëm në Kosovë, por edhe në kontekstin evropian, është e rëndomtë në legjislacionin evropian që të ketë gjuhë zyrtare që respektojnë komunitetet dhe kulturat e tyre”, tha Braathu.

Braathu tha se përdorimi i gjuhëve zyrtare ka shënuar progres sipas raporteve hulumtuese, por ai kërkoi nga qeveria që të punojë më shumë në këtë drejtim.

Kurse Komisioneri për Gjuhë, Slaviša Mladenovi?, tha se të drejtat gjuhësore duhet të mbrohen dhe se paraqesin një vlerë për shoqërinë kosovare.

Ai po ashtu tha se legjislacioni dy gjuhësor në Kosovë duhet të zbatohet më shumë, po ashtu bëri thirrje që keqpërdorimet në proceset gjuhësore të ndalohen.

Mladenovi?: Problemi qëndron te zbatimi i ligjeve

“Ne kemi vënë në pah këtë problem dhe kemi thënë që problemi më i madh është në zbatimin e ligjeve, dhe në një prej takimeve të mija të para me kryeministrin e Kosovës, kam shprehur dëshirën që një prej hapave të pare që do t’i ndërmarrim, të jenë në shërbim të shoqërisë”, ka thënë Mladenovic, përcjell KosovaPress.

Drejtori i Zyrës Ligjore në Zyrën e Kryeministrit, Mentor Borovci ka thënë se përkthyesit janë shumë të ngarkuar dhe kapacitetet i kanë të limituara, me ç’rast ka potencuar mungesën e një njësie qendrore të përkthimeve.

Borovci: Kemi mungesë të përkthyesve ligjorë

“Mungesa e përkthyesve ligjorë. Pra, legjislacioni dhe procesi i përkthimit të legjislacionit, përveç njohurive të gjuhës përkatëse, kërkon edhe njohuri të terminologjisë specifike juridike. Dhe natyrisht kjo përfaqëson një sfidë në rastin e harmonizimin të legjislacionit në gjuhët përkatëse. Një sfidë tjetër është edhe mungesa e një njësie qendrore të përkthimeve në kuadër të secilit institucion i cili inicion, përgatitë akte nënligjore apo projektligje”, ka thënë Borovci.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje, e cila përfaqëson komunitetin boshnjak tregoi se kishte pasur vështirësi për shkak të komunikimit. Ajo tha se për rininë është shumë e rëndësishme që t’i mësojnë gjuhët e shteteve fqinje. Balje tregoi se për tre muaj e kishte mësuar gjuhën shqipe dhe një pjesë të fjalimit në konferencë e tha në shqip.

Balje: Implementimi i ligjit është problem në Kosovë

“Këtu në Kosovë implementimi i ligjit është problem shumë i madh. Na mundemi me bë brenda parlamentit dhe qeverisë një ligj, mandej në parlament ne mundemi si deputet me ndryshu ligjin, gati 50 për qind. Por, në terren është diçka shumë ma ndryshe. Është shumë e rëndësishme me pas një ligj të mire”, ka thënë Balje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat