Droga “Skunk” e Lazaratit më e shtrenjtë se kokaina

Kronikë e zezë

Droga “Skunk” e Lazaratit më e shtrenjtë se kokaina

Më: 21 tetor 2012 Në ora: 19:19

Në Shqipëri ka nisur të sofistikohet prodhimi i marihuanës dhe këtë e kanë vërtetuar oficerët grekë të Antidrogës së Igumenicës, kur kanë gjetur një sasi të madhe të drogës “Skunk”, mes një ngarkese të sekuestruar në kufirin shqiptaro-grek. Droga e rrallë është kapur në Giromeri të Filatit, Igumenicë, në afërsi të Qafë-Botës, në Sarandë. Burime nga Policia greke bëjnë me dije se në një kontroll rutinë në Giromeri policia kufitare e Filatit ka ndaluar një automjet të dyshimtë që vinte nga kufiri i gjelbër shqiptaro-grek, me drejtim për në brendësi të tokës helene. Shenjës së policisë për të ndaluar, drejtuesi i është bindur menjëherë. Brenda automjetit me targa greke, policia ka gjetur çanta të zeza sportive të mbushura me pako me drogë. Menjëherë është vënë në pranga shoferi, një 29-vjeçar grek (me origjinë ruse). Nga peshimi, droga e kapur rezultoi në një sasi prej 166 kg e 930 gramë, e dyshuar fillimisht për llojin e thjeshtë të kanabis sativa. Por, një këqyrje e mëtejshme e pakove me drogë ka habitur oficerët e Policisë. 70 nga 150 pakot, pra rreth gjysma e sasisë, kishin mbishkrime në gjuhën angleze, ndërsa shkruhej mbi to edhe sasia fikse e secilës. Kjo ka bërë që të nisë një kontroll i hollësishëm i lëndës brenda tyre. Lënda narkotike në 70 pakot e dyshimta rezultoi e llojit “Skunk”, një prodhim i veçantë i marihuanës.

“Skunk” është cannabis sativa i prodhuar në mjedis të mbyllur (serë ose shtëpi) dhe disa herë më i fortë se kanabisi normal, pra përmban katër herë më shumë Tetrahydrocannabinol se normalja. I kontaktuar në linjë telefonike, shefi i Antidrogës së Igumenicës, u shpreh: “Nga hetimet e deritanishme të Policisë, rezulton se droga dyshohet të ketë ardhur nga fshati Janjar i Sarandës. Për momentin, ajo është pika më problematike që kemi, sa i përket kufirit. Çantat me drogë janë transportuar deri në kufi, ku ka ardhur 29-vjeçari për t’i marrë dhe për t’i transportuar më pas në Athinë. Automjeti nuk është në pronësi të drejtuesit, por të një shqiptari, që është shpallur në kërkim. Sa i përket cilësisë së drogës, mund të them se gjysma e sasisë është e llojit “Skunk”. Është një lloj kanabisi i fortë, që rritet në mjedise shtëpie. Dyshojmë se është prodhuar në Lazarat, me farë të ardhur nga Holanda. Ka veçori që piqet shumë shpejt. Është hera e parë që ne sekuestrojmë një drogë të këtij lloji. Ka pasur raste të ardhura nga Holanda, por nga Shqipëria është rasti i parë”.

Sipas burimeve policore greke, dyshohet se sasia e “Skunk” nuk ishte destinuar për tregun grek, por për atë britanik, pasi kjo lloj droge njihet se përdoret më shumë në Britaninë e Madhe.

“Skunk” është kthyer në trend nga rinia britanike vitet e fundit. Studimet e bëra nga specialistë të drogës kanë zbuluar se “Skunk” përmban 18 % Tetrahydrocannabino, krahasuar me 4 % që përmban marihuana. Policia britanike e rendit këtë lloj droge në klasin A, ku hyjnë droga si kokaina dhe extasy. Dr Marta Di Forti e Institutit Psikiatrik të Londrës, në studimin e saj shprehet se “Skunk” ka gjasa të shkaktojë 7 herë më shumë sëmundje psikiatrike, si skizofrenia, se sa hashashi normal. Në vitin 2007, 1 gram “Skunk” shitej 5 funte, por tashti çmimi i tij ka shkuar në një vlerë më shtrenjtë se kokaina.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat