Të pandehurit për krim të organizuar në arrest shtëpiak

Kronikë e zezë

Të pandehurit për krim të organizuar në arrest shtëpiak

Më: 21 tetor 2012 Në ora: 21:37

Gjykata e Qarkut në Pejë ka caktuar masën e arrestit shtëpiak prej 30 ditësh për dy të pandehurit Hajdar dhe Remzi Thaçi, të cilët dyshohen për veprat penale “krim i organizuar”, “trafikim me qenie njerëzore” dhe “armëmbajtje pa leje”. Kurse ndaj Mentor Nikajt vazhdon masa e paraburgimit.

Gjyqtarja e EULEX-it e procedurës paraprake, Franciska Fisher, vendosi të premten që ndaj të pandehurve Hajdar dhe Remzi Thaçi të hiqet masa e paraburgimit dhe ajo të zëvendësohet me masën e arrestit shtëpiak. Ndërsa ndaj të pandehurit Mentor Nika vazhdon paraburgimi, pasi që atij, më herët i ishte caktuar masa e arrestit shtëpiak, por nuk e kishte respektuar, percjellë "Jeta në Kosovë".

Prokuroria Speciale e Kosovës ka filluar hetimet ndaj tre të pandehurve lidhur me veprat penale “krim i organizuar” nga neni 274, paragrafi 2, lidhur me nenin 23; “trafikim me qenie njerëzore”, nga neni 139, paragrafi 1, lidhur me nenin 23; dhe “armëmbajtje pa leje”, nga neni 328, paragrafi 2.

Prokurori i rastit, Besim Kelmendi, kërkoi vazhdimin e masës së paraburgimit, sepse sipas tij, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit i kanë kryer veprën penale, për të cilat janë të dyshuar. Prokurori këtë dyshim e bazon në raportin e masave të fshehta, ku shihet qartë se si te pandehurit iu siguronin femra klientëve të tyre për shfrytëzim seksual.

Po ashtu, prokurori Kelmendi deklaroi se ka dëshmitarë të cilët tregojnë edhe për shumën që duhet paguar për ta marrë një femër nga lokali i të pandehurve. Prokurori i kërkoi Gjykatës që të pandehurve t’iu vazhdohet masa e paraburgimit edhe për një muaj, pasi që ekziston dyshimi se ata mund të ikin, pasi njihen se kanë një të kaluar kriminale. “Nëse të pandehurit gjenden në liri, mund të ndikojnë në hetimin e rastit, në dëshmitarë, në fshehjen e provave dhe asgjësimin e tyre”, shtoi ai.

Avokati Gëzim Kollçaku, si mbrojtës i të pandehurit Hajdar Thaçi, e kundërshtoi kërkesën për vazhdimin e paraburgimit. Sipas tij, prokurori dështoi të argumentojë dyshimin e bazuar se klienti i tij ka kryer vepër penale. “Po ashtu, i mbrojturi im nuk ka një të kaluar kriminale ashtu siç pretendon prokurori. Kur kjo thuhet, duhet te argumentohet”.

Avokati Muharrem Hoti, mbrojtës i të pandehurit Remzi Thaçi, deklaroi se ndaj klientit të të tij nuk ka dyshim të bazuar që ka kryer vepër penale.

Edhe avokatët e të pandehurit Mentor Nikaj kërkuan që paraburgimi të zëvendësohet me ndonjë masë tjetër, si paraqitja në stacionin e policisë për çdo ditë, apo me arrest shtëpiak.

I pandehuri Hajdar Thaçi deklaroi se asnjëherë nuk ka qenë i akuzuar për ndonjë vepër penale, siç aludon prokurori. “Unë jam i pafajshëm”, deklaroi ai. Ndërsa Nikaj shprehu keqardhje që më herët e ka shkelur masën e arrestit shtëpiak, të caktuar nga kjo gjykatë. I pandehuri Remzi Thaçi nuk u deklarua fare.

Pasi dëgjoi palët, gjyqtarja e procedurës paraprake, Franciska Fisher, vendosi që Hajdar dhe Remzi Thaçi të lirohen nga paraburgimit dhe të vendosen në arrest shtëpiak, duke konsideruar se kjo masë është e mjaftueshme. Ndërsa për Nikajn vazhdon masa e paraburgimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat