Rrëfimi i Sokol Mjacajt: Si u vra 13-vjeçari me gurë lumi në kokë

Kronikë e zezë

Rrëfimi i Sokol Mjacajt: Si u vra 13-vjeçari me gurë lumi në kokë

Më: 7 korrik 2015 Në ora: 08:21

Sokol Mjacaj, i dyshuar për vrasjen e dy tur istëve çekë Michael Svatos e Anna Kasinova në fshatin Prekal të Dukagjinit, nuk ishte një personazh i panjohur për drejtësinë. Ai është dënuar me 10 vite burg në dhjetor të 2011-ës nga Gjykata e Shkodrës, për akuzën e “Vrasjes për shkak të cilësive të veçanta të viktimës”, kryer në bashkëpunim, në dëm të 13- vjeçarit A.L. Por me një vendim të datës 4 janar 2013, Gjykata e Apelit Shkodër (treshja gjykuese e kryesuar nga Musa Halili dhe anëtarë Fuat Vjerdha dhe Luan Dervishi), e ndryshoi kualifikimin e veprës penale dhe dënoi Sokol Mjacajn me 4 vite burg, për akuzat e “Sigurimit të kushteve për të kryer vrasje” dhe “Moskallëzimit të krimit”, duke bërë që ai të fitonte shpejt lirinë.


“Gazeta Shqiptare” zbardh argumentet e përdorura nga dy shkallët e gjyqësorit për Sokol Mjacajn. Në një kohë që gjykatësit e shkallës së parë e cilësonin atë fajtor për vrasje, për gjykatësit e Apelit, Sokol Mjacaj nuk ishte bashkëpunëtor në vrasjen e fëmijës, por kishin krijuar bindjen se ai u ka krijuar kushte dy të pandehurve Besnik e Edmond Kodra (vëllezër) për ta kryer krimin si dhe nuk kishte treguar për vrasjen. Të dyja shkallët e gjyqësorit janë bazuar te dëshmitë e vetë të pandehurit Sokol Mjacaj dhe babait të tij, Fran Mjacaj, ndonëse i kanë interpretuar në mënyra të ndryshme.


VENDIMI I SHKALLËS SË PARË

Gjatë shqyrtimit gjyqësor rezultoi e provuar se më datë 10.09.2010, rreth orës 24:30, është marrë njoftim nga salla operative se në fshatin Pjoll kishte humbur shtetasi A.L., 13 vjeç, banues në fshatin Pjoll të komunës Shalë. Rreth orës 01:30 të datës 12.09.2010, në sallën informative është marrë informacion se shtetasi A.L. ishte gjetur i mbytur në shtratin e lumit Shalë. Menjëherë policia gjyqësore ka shkuar në vendin e ngjarjes (vend i treguar nga dëshmitarët e gjetjes së trupit të viktimës), ku është vërejtur që në një shkurre shkoze në afërsi të bregut të shtratit të Lumit të Thatë është evidentuar një gjurmë në formë pike si ngjyrë e kuqe. Në brendësi të shkurres, midis degëve të padëmtuara është gjetur dhe sekuestruar një këpucë atlete e këmbës së majtë. Në distancë rreth 4.5 metra larg, me drejtim nga jugu, pothuajse përballë me shkurren, në shtratin e Lumit të Thatë, në një pellg uji është gjetur trupi i viktimës A.L. Gjatë këqyrjes së kufomës, është konstatuar se në trupin e viktimës kishte shenja dhune.


Nga akti mjekoligjor nr.81, datë 12.09.2010, rezulton se… “te kufoma e shtetasit A.L. konstatohet se ka edem të lehtë në kokë, në të dy anët e ballit gërvishtje, dërrmishje dhe ekimoza në fytyrë, gojë, qafë e duar. Brazed strangulacioni në qafë, sufizione hemorragjike në të bardhë të syrit, edem pulmonare të shprehur etj. Mekanizmi i vdekjes së shtetasit A.L., është ai i shtypjes, shtrëngimit të rrugëve të frymëmarrjes (ky konkluzion që jepet në aktin mjekoligjor të bërë në hetimet paraprake konfirmohet edhe nga ekspertimi mjekoligjor i realizuar gjatë gjykimit të çështjes). Në aktin e ekspertimit mjekoligjor nr.1952, datë 06.12.2010, grupi i ekspertëve të caktuar nga gjykata ka rikonfirmuar se dëmtimet janë të shkaktuara në trupin e viktimës me dhunë fizike. Nga akti rezulton se… “vdekja e viktimës ka ardhur nga asfiksia mekanike nga shtrëngimi i organeve të qafës me lak dhe duar si dhe shtypjes së barkut. Prania e disa gërvishtjeve në duar si dhe gjetja e atletes së këmbës së majtë afër vendit ku u gjet kufoma tregojnë për rezistencë fizike të ushtruar nga viktima kundrejt agresorëve”.


I pyetur gjatë hetimeve paraprake, Fran Mjacaj ka deklaruar se ka dyshime dhe bindje se djali i tij, i pandehuri Sokol Mjacaj ka dijeni se ku mund të jetë personi i humbur (viktima) si dhe për veprimet kriminale të kryera ndaj tij. Në hetim është pyetur fillimisht si i dyshuar i pandehuri Sokol Mjacaj, i cili ka konfirmuar faktin se ka qenë dëshmitar okular i vrasjes së kryer ndaj të miturit A.L. dhe se autorë të këtij krimi janë të pandehurit Besnik Kodra e Edmond Kodra. Gjatë hetimeve paraprake është bërë edhe sigurimi i provës dhe në seancë gjyqësore Sokol Mjacaj ka deklaruar ndër të tjera se: “…pas njoftimit të familjarëve për veprën e kryer, nuk i ka dërguar menjëherë te vendi i ngjarjes, por rreth tri orë më vonë. Në shpjegimet e tij i pandehuri Sokol Mjacaj ka pranuar se me kërkesën e të pandehurve Edmond e Besnik Kodra ka thirrur viktimën në vendin ku do të ndodhte vrasja, se ka qëndruar roje, sipas tij i shtyrë me dhunë fizike dhe psikike dhe se më pas ka fshehur dy telefonat e viktimës, me synim fshehjen e gjurmëve të krimit”. Në kuadër të veprimeve hetimore, policia gjyqësore, me autorizim të prokurorit dhe miratim të gjykatës ka bërë përgjimin ambiental të bisedave të zhvilluara në mes të dyshuarit Sokol Mjacaj dhe babait të tij, Fran Mjacaj. Nga procesverbalet e transkriptuara rezulton e provuar se i pandehuri Sokol Mjacaj ka dijeni të plotë lidhur me kohën dhe rrethanat e vrasjes së viktimës A.L.


Nga transkriptet e këtyre përgjimeve rezulton se i pandehuri Sokol Mjacaj mohon faktin se ka bashkëpunuar aktivisht për vrasjen e viktimës, por pranon se është ai që e ka thirrur viktimën A.L. në vendin ku është bërë vrasja e tij. Besnik dhe Edmond Kodra janë shprehur se nuk janë autorë të vrasjes dhe nuk kanë dijeni për personat që kanë kryer krimin. Gjatë ripyetjes, i pandehuri Sokol Mjacaj ka treguar se dy telefonat që ka pasur viktima në momentin e vrasjes janë fshehur nga ana e tij në afërsi të banesës (shtëpia e Sokol Mjacajt), në vendin e quajtur “Brinja”, në afërsi të një vije uji. Policia ka bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes, duke gjetur dhe sekuestruar dy celularët e viktimës. BABAI I SOKOL MJACAJT Babai i Sokol Mjacajt, Fran Mjacaj, në seancë gjyqësore ka deklaruar se: “…kam marrë Sokolin mënjanë dhe e kam pyetur, ‘Sokol, me sa shoh ka mbaruar kjo punë, ku është djali i Gjergj Lerës?’, dhe ai m’u përgjigj: ‘pasi më mori Edmond Kodra në telefon me telefonin e A.L., unë e pyeta përse më more me numrin e A.L. dhe ai u përgjigj, i kam bërë një gjilpërë, e kam mbyt’. Atëherë unë ua dhashë djalin me vete personave që ishin te shtëpia ime, të cilët së bashku me djalin tim u larguan në kërkim të A.L.”.


Gjykata konstaton se dëshmitari Fran Mjacaj, në mënyrë të qartë ka shpjeguar se djali i tij, i pandehuri Sokol Mjacaj, është në dijeni të plotë të vrasjes. Kjo, pasi ai gjatë dëshmisë është shprehur: “Sokoli e di, sepse i ka çuar te vendi i vrasjes. Djali im i di edhe arsyet se përse është vrarë A.L.”. Dëshmitari Fran Mjacaj, duke iu referuar bisedës tërësisht intime që ka bërë me djalin e tij, të pandehurin Sokol Mjacaj, ditën e ngjarjes, deklaroi se, “Sokoli i ka rrëfyer atij që, atë ditë është nisur në drejtim të fshatit atje ku kishte lënë takim me A.L. dhe te vendi i quajtur ‘Laster të Gjonit’, ka gjetur A.L. që po priste. Më pas aty kanë shkuar dhe të pandehurit Besnik e Edmond Kodra, ku kanë ecur të katërt së bashku në drejtim të fshatit. Në këtë kohë Besniku dhe Edmondi kanë filluar ta ngacmojnë A. me fjalë ofenduese dhe me duar, dhe më pas ka ndodhur vrasja në afërsi të lumit…”.


DËSHMIA E SOKOL MJACAJT

Para gjykatës, Sokol Mjacaj ka shpjeguar me detaje vrasjen e 13-vjeçarit. Ai ka rrëfyer si më poshtë: “…një ditë të javës më ka thirrur A.L. Kam dalë në Gecaj dhe jam taku me Edmondin, i cili ishte duke pjek raki. Kam qëndruar me të dhe kemi biseduar një orë e gjysmë. Me Edmondin diskutuam punë droge. Ai më tha ‘Edhe në Pjoll më duket ka hashash’. Unë e pyeta ‘Kush të ka thënë, nga e din ti?’. Ai më tha ‘A ia ke pa N.L. fotot në telefon, të cilat janë foto hashashi’. I thashë ‘po, ia kam parë, po varet ku i ka bërë’. Unë e njihja bimën e hashashit dhe në foto e kam dalluar se ishte bimë hashashi. Këtu u mbyll ky muhabet. Pastaj ndërruam temë dhe bëmë pak debat, por çfarë konkretisht nuk më kujtohet. Ditën e enjte të po kësaj jave, më ka telefonuar Edmondi e më ka thënë ‘A po vjen në breg të lumit, se jam duke luajtur dhe Besniku po vjen prej Shkodre’. Kam shku te Bregu i Lumit, kam takuar A.L., i cili doli nga shkolla. Takova Edmondin dhe i thashë ‘Hajde bëjmë një lojë bilardo’. Pasi dolëm nga bilardoja, jam takuar me A.L. përsëri dhe më tha “A po vjen për shpi, se jam nisur dhe unë për në shtëpinë time”. Kur ai ma kërkoi këtë, i thashë: ‘Prit, se po thërrasim Edmondin dhe Besnikun për të shkuar në shtëpi’. Gjatë rrugës, Edmondi më tha: ‘Sokol, prit një minutë’, dhe më pas më pyeti: ‘Sokol, a po e pyet A.L. nëse ka drogë në Pjoll dhe nëse po ku’. E pyeta A.L. dhe ai më tha: “Nuk e di”. Ai na tha që, ‘nëse mësoj gjë do ju bëj telefon’. Mjacaj ka shpjeguar në gjykatë se ditën e vrasjes, Edmond Kodra i ka kërkuar të takoheshin me A.L”.


Sipas Mjacajt, dy vëllezërit Kodra e kanë marrë me fuoristradë, në të cilën ndodheshin dy persona që nuk i njihte dhe nuk ia kanë prezantuar. Më pas ata në makinë kanë marrë edhe të miturin A.L. “Kemi vazhduar rrugën në drejtim të Bregut të Lumit dhe mbërritëm në vendin e quajtur ‘Ndërshqem’. Besniku e pyeti A.L: ‘ku është droga?’ dhe ai iu përgjigj: ‘Nuk e di’. Pa nga unë. Shoferi e ndali makinën dhe pastaj Besniku i tha A.L.: ‘O A…, a e ke pru drogën?’, dhe ai i tha: ‘Çfarë droge?’. Besniku iu drejtua Edmondit: ‘O Edmond, çfarë droge ka thënë ky djalë, po na ke sorollat kot njiktu’”, rrëfen Mjacaj. Pastaj ai tregon se kanë shkuar me makinë në një “log”, ku i kërkoi sërish t’i tregonte për drogën. Pastaj, sipas tij, ai e ka qëlluar me shpullë të miturin. Mjacaj rrëfen më tej se A.L. tentoi të largohej dhe se në këto momente, Besniku e kakapur dhe e ka goditur me gjunjë turinjve. Pastaj Mjacaj rrëfen se Edmond Kodra e ka goditur aq shumë të miturin, duke i përplasur kokën pas një guri lumi dhe e lëshoi me fytyrë përmbys te pellgu me ujë.


VENDIMI I APELIT

Në vendimin e Apelit theksohet fakti se fajësia e Edmond dhe Besnik Kodrës është provuar me shpjegimet e hollësishme të dhëna nga i pandehuri Sokol Mjacaj. Sipas gjykatës, fakti se i pandehuri Sokol fillimisht ka hezituar të tregojë të vërtetën e ngjarjes, nga frika se familjarët e viktimës do ta vrisnin, ka bërë që ai të heshtë derisa ka marrë siguri prej tyre dhe më pas ka treguar vendin, mënyrën e kryerjes së veprës dhe autorët.


“Me gjithë variantet e ndryshme që ka dhënë për vrasjen, asnjëherë nuk ka akuzuar persona të tjera si autorë përveç të pandehurve Edmond e Besnik Kodra”, thekson Apeli. Sipas gjykatës, të pandehurit dhe viktima kanë lënë takim në një vend të fshehtë ku nuk lëviznin njerëz dhe ku ka ndodhur ngjarja. Mes të pandehurve dhe viktimës ka pasur debate, pasi i kanë kërkuar viktimës të sillte një sasi lëndë narkotike, që e ka refuzuar. Gjatë debatit, dy vëllezërit Besnik e Edmond e kanë goditur viktimën në pjesë të ndryshme të trupit dhe një zinxhir që mbante në qafë ka shërbyer si lak i mbytjes. Apeli thekson se i pandehuri Sokol me porosinë e të pandehurit Edmond ka sjellë viktimën në vendin ku ai është vrarë. Pasi sqaron mekanizmin e kryerjes së krimit, Gjykata e Apelit arsyeton se i pandehuri Sokol nuk ka bashkëpunuar në vrasje, por u ka krijuar kushte dy të pandehurve të tjerë për ta kryer atë dhe duhet të përgjigjet për veprën penale të parashikuar nga neni 80 i Kodit Penal, dhe atë të “Moskallëzimit të krimit”.

/balkanweb

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat