Mashtroi nëpërmjet skemave piramidale, 10 vjet burg kroatit

Kronikë e zezë

Mashtroi nëpërmjet skemave piramidale, 10 vjet burg kroatit

Më: 15 korrik 2016 Në ora: 18:48
Ilustrim

Gjykata e Tiranës ka dënuar me 10 vite burg një shtetas kroat. Damir Miserda është shpallur fajtor për akuzat e mashtrimit dhe pastrimit të parave.

Miserda akuzohet se ka krijuar dy skema piramidale në Shqipëri, me të cilat ka përvetësuar në mënyrë të paligjshme së paku 530 mijë euro nga më shumë se 300 persona.

Atyre u ishte premtuar se duke u bërë pjesë e një grupi do të shumëfishonin investimin fillestar prej 3 mijë eurosh. Në fund ka rezultuar se jo vetëm nuk kanë krijuar të ardhura, por organizatorët e skemës u kanë marrë rreth 3000 euro secilit, duke mos ua kthyer më asnjëherë.

Krahas Miserdës, nën akuzë u vunë edhe dy shtetas kosovarë, Burim Haxhiolli dhe Valon Kyçyku. Në kohën kur u gjykuan dy të akuzuarit e parë, megjithëse ishte i njohur fakti që kishin edhe një bashkëpunëtor të tretë, nuk u arrit të identifikohet në atë kohë shtetasi kroat.

Çështja është hetuar prej vitit 2014. Tre bashkëpunëtorët janë akuzuar për “mashtrim” më shumë se një herë dhe me pasoja të rënda, si edhe për “pastrim të produkteve të veprës penale”. Ata akuzohen se kanë bindur persona të shumtë për t’u anëtarësuar në shoqërinë “Eurolife”, e cila vepron në shërbim të shoqërisë “Gemak”, subjekte këto të regjistruara në Shkup, Maqedoni. Në momentin e anëtarësimit, personat e dëmtuar kanë paguar secili shumën 2 290 euro, që shpërndahej te shtetasit Damir Miserda, Burim Hoxholli dhe Valon Kyçyku, të cilët dyshohet se në total kanë përvetësuar shumën 532 163 euro.

Sipas hetimeve të Prokurorisë, kjo shumë ka shkuar drejtpërdrejt për llogari të tre të akuzuarve, ndërkohë që një shumë tjetër parash është shpenzuar për sallat ku zhvilloheshin konferencat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat